E Enjte, 5 Nëntor 2026

Zelensky paralajmëron takimin trepalësh Ukrainë-SHBA-Rusi brenda një jave pas bisedimeve me Witkoff dhe Kushner

Europë | 39 minuta më parë

Facebook

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka bërë të ditur zhvillimin e një serie takimesh intensive diplomatike dhe përgatitjen për një fazë të re negociatash ndërkombëtare me synim dhënien e fundit konfliktit.

Në një njoftim të shpërndarë në platformën X, udhëheqësi i Kievit zbuloi se pati “një bisedë shumë të detajuar, një orë e gjysmë të gjatë, me Steve Witkoff dhe Jared Kushner”. Sipas tij, po punohet intensivisht “për një format trepalësh në nivel ekipi midis Ukrainës, Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, i cili do të mbahet në më pak se një javë”.

Diskutimet në Bruksel për rindërtimin dhe sigurinë

Përveç bisedimeve me emisarët amerikanë, Zelensky vuri në dukje rëndësinë e takimit të zhvilluar në Bruksel. Aty u mblodhën ekipet ukrainase së bashku me delegacione nga “Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Franca, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, NATO, Banka Botërore dhe përfaqësues të komunitetit global të biznesit”, me fokus kryesor planin e rindërtimit pas luftës. Bisedimet pritet të vijojnë edhe ditën e nesërme në Bruksel, ku në qendër të vëmendjes do të jenë garancitë e sigurisë për Ukrainën.

“Negociatat duhet të vazhdojnë me shpejtësi të plotë për t’i dhënë fund kësaj lufte sa më shpejt të jetë e mundur. Ukraina është gati të ndërmarrë hapat e nevojshëm; propozimet tona janë të qarta dhe ne ia kemi paraqitur tashmë palës amerikane”, shpjegoi presidenti ukrainas.

Nevojat urgjente për mbrojtjen ajrore

Në planin ushtarak dhe mbrojtës, Zelensky theksoi se “mbrojtja ajrore është një përparësi kyçe, të cilën e kemi diskutuar gjerësisht”. Ai bëri me dije se vendi i tij ka nevojë urgjente për interceptorë për sistemet Patriot, të cilat përshkruhen si “thelbësore për të mbrojtur jetët nga sulmet ruse”, si dhe vijimin e bashkëpunimit dypalësh me SHBA-në për marrëveshjen e dronëve.

Në përmbyllje të mesazhit të tij, duke shprehur mirënjohjen për mbështetjen e Uashingtonit, presidenti ukrainas theksoi se “nuk ka alternativë tjetër përveç paqes dhe garancitë e sigurisë pas luftës duhet të jenë absolutisht të forta dhe të paprekshme”.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›