E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Zelensky bisedë me të dërguarit e SHBA-së para takimit trilateral në Abu Dhabi: Garancitë e sigurisë të jenë baza e marrëveshjes

Europë | 17 minuta më parë

Facebook

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, zhvilloi një bisedë me Emisarët Specialë të Presidentit të SHBA-së, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, përpara mbajtjes së takimit trilateral që pritet të zhvillohet në Abu Dhabi.

Lajmin e bëri të ditur vetë kreu i shtetit ukrainas përmes një postimi në rrjetin social Facebook, raporton agjencia ukrainase e lajmeve Ukrinform.

“Sapo përfunduam një bisedë shumë të detajuar, prej një orë e gjysmë, me Steve Witkoff dhe Jared Kushner. Po përgatitemi për një format trilateral në nivel të ekipeve punuese midis Ukrainës, Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë – i cili do të mbahet në më pak se një javë”, u shpreh Zelensky.

Presidenti ukrainas bëri me dije se gjatë ditës së sotme është zhvilluar gjithashtu një takim përmbajtjesor në Bruksel. Në këtë tryezë morën pjesë ekipet ukrainase dhe amerikane, përfaqësues të Bashkimit Evropian, Francës, Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, NATO-s, Bankës Botërore si dhe komuniteti global i biznesit, me fokus të veçantë te rindërtimi i vendit pas luftës.

Sipas Zelenskyt, një tjetër takim i nivelit të lartë është caktuar të mbahet nesër në Bruksel, ku në qendër të vëmendjes do të jenë garancitë e sigurisë për Ukrainën.

“Negociatat duhet të ecin përpara me kapacitet të plotë për t’i dhënë fund kësaj luftë sa më shpejt të jetë e mundur. Ukraina është e gatshme të ndërmarrë hapat e nevojshëm. Propozimet tona janë të qarta dhe ia kemi dorëzuar palës amerikane”, nënvizoi Zelensky.

Presidenti ukrainas theksoi se mbrojtja ajrore mbetet një prioritet kyç i diskutimeve me partnerët. Ai rikujtoi se Ukraina ka nevojë urgjente për raketa kapëse për sistemet Patriot, me qëllim mbrojtjen e jetës së qytetarëve nga sulmet ruse.

Gjithashtu, u nënvizua domosdoshmëria e thellimit të bashkëpunimit me SHBA-në në të gjitha trajektoret dypalëshe, veçanërisht në formatin e marrëveshjeve për dronët.  

“Ukraina i është mirënjohëse Shteteve të Bashkuara për mbështetjen e saj ndaj pavarësisë së Ukrainës, popullit tonë dhe përpjekjeve diplomatike. Paqja nuk ka alternativë dhe garancitë e sigurisë pas luftës duhet të jenë me të vërtetë të çelikta. Po punojmë që kjo të bëhet Realitet!”, përfundoi presidenti Zelensky.

Emisari Special i Presidentit të SHBA-së, Steve Witkoff, konfirmoi se Uashingtoni do të ndërmjetësojë bisedimet e nivelit të punës midis Ukrainës dhe Rusisë, të cilat janë planifikuar të zhvillohen më 10–11 nëntor në Abu Dhabi, Emiratet e Bashkuara Arabe.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›