Zgjedhjet e 11 majit, Rama: Skuadër përfaqësuese për Kuçovën, vijojmë mbështetjen

TIRANË, 1 maj/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socilaiste, siguroi sot se edhe mandatin e katërt do të vazhdojë mbështetja për bashkinë e Kuçovës dhe qarkun e Beratit në tërësi, i cili tanimë ka hyrë në një dinamikë të re zhvillimi.
Në një takim elektoral në qytetin e Kuçovës, Rama u shpreh se “në këtë rrugëtim drejt 11 majit jemi përpjekur të bëjmë një skuadër sa më përfaqësuese për qarkun e Beratit”.
“Më vjen shumë mirë që kemi dy djem të shkëlqyer për Kuçovën. Ervin Demo ka marrë përsipër të jetë drejtpërdrejtë edhe përfaqësuesi juaj në Kuvendin e Shqipërisë, në kuptimin që të qëndrojë më pranë sesa kur ka qenë në krye të bashkisë Berat”, tha Rama.
Kryeministri vlerësoi se Kuçova e ka mbështetur historikisht pa rezervë PS-në, por nga ana tjetër siguroi se “këtë mbështetje nuk e kemi marrë sikur e kemi në xhep”.
“Përkundrazi, kemi bërë jo aq sa do të donim, por aq sa kemi mundur që ky komunitet i mrekullueshëm ta ndiejë vëmendjen, mbështetjen dhe ndryshimin që ka prekur Shqipërinë. Jemi në një hapësirë publike shumë të bukur. Ka qenë një dëshirë dhe kërkesë e komunitetit tuaj për ta krijuar këtë hapësirë publike në rrënojat që ishin këtu deri disa kohë më parë”, tha Rama.
/r.e/a.f/