E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama: Shqipëria në BE, 1 miliard euro mbështetja financiare çdo vit

TIRANË, 1 maj /ATSH/ Kryeministri, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama deklaroi sot se, me anëtarësimin e Shqipërisë në BE, mbështetja financiare për vendin tonë do të arrijë në mbi 1 miliard euro çdo vit.

Duke marrë fjalën në takimin me qytetarë të Kuçovës, që u zhvillua sot në kuadër të fushatës elektorale për zgjedhjet e 11 majit, Rama tha se, “në rrugëtimin e këtyre tre mandateve, ne kemi pas mbështetjen nga BE dhe kjo mbështetje ka qenë në rritje”.

Sipas tij, gati 90% e mbështetje së BE ka qenë kredi e butë, ndërkohë që me anëtarësimin në BE, Shqipëria do të marrë mbi 1 miliard euro financim çdo vit.

Ndryshimi tjetër, vijoi Rama, do të jetë që ky financim nuk do të jetë kredi e butë, kontribut i asaj shtëpie të përbashkët për Shqipërinë.

Rama tha se, “shifra tjetër që dua t’ju jap lidhet me bujqësinë”.

“Ne kemi ecur më shumë se asnjë herë tjetër që kur ndryshuam sistemin në sektorin e bujqësisë në këto vite. E tregojnë këtë shifrat dhe të gjitha faktet e sektorit dhe edhe në këtë progres BE ka pas kontributin e saj. Kemi marrë shumë më pak në të vërtetë sesa 200 milionë euro mbështetje, por duke pasur parasysh dhe nevojat e bujqësisë dhe mundësitë tona ka qenë një shumë e konsiderueshme, Ndërkohë që me anëtarësimin e Shqipërisë në BE, Shqipëria do të marrë për bujqësinë dhe fshatin 300 milionë euro në vit dhe e gjitha mbështetje e drejtpërdrejtë dhe jo kredi”, u shpreh Rama.

Sipas tij, të gjitha këto mjaftojnë për të kuptuar se ne si anëtarë të rinj të BE-së, bëhemi me një buxhet ekstra, përveç të ardhurave që krijohen si rezultat i rritjes ekonomike të vendit.

“BE funksionin si një familje ku ata që janë më të vegjël dhe kanë nevojë të rriten, familja kontribuon drejtpërdrejtë. Pra kjo është ajo që duhet kuptuar se sa e rëndësishme është vota dhe zgjedhja në 11 maj”, tha Rama.

Nga ana tjetër, theksoi kryeministri, duhet kuptuar që ajo shtëpi nuk e ka derën gjithë kohën të hapur.

“Janë 27 vende dhe dera nuk hapet pavarësisht se mund të trokasësh ti. Ajo derë hapet kur të 27 vendet bien dakord të hapin derën dhe e hapin kur kanë ata interesin për ta hapur. Që nga dita e parë që e kemi nisur këtë rrugë tranzicioni ky moment është sot dhe neve na është dhënë mundësis që të ulemi në tavolinë dhe t’i mbyllim negociatat brenda vitit 2027”, deklaroi Rama.

Kjo, tha kryeministri, “nuk i ka ndodhur asnjë vendi më parë dhe kjo vjen si rezultat i faktit që ne kemi punuar për të qenë gati kur BE të hapë derën dhe Shqipëria sipas tyre, gjendet më e përgatitura për të hyrë në atë shtëpi”.

/r.e/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›