“Zgjedhjet ishin me standarde”, Gonzato: Partitë t’i drejtohen organeve përkatëse për parregullsitë

Ambasadori i Bashkimit Europian, Silvio Gonzato nga Korça kërkoi miratimin e një reformë gjithëpërfshirëse zgjedhore në Shqipëri në përputhje me rekomandimet e bëra nga OSBE/ODIHR.
“Ka pasur një deklaratë shumë të qartë nga Brukseli dhe është një element që unë dua ta përmend, që unë e kam shumë kryesor, siç e ka thënë edhe përfaqësuesja e lartë, Kaja Kallas: Është koha tashmë që qeveria shqiptare, por edhe Parlamenti, të miratojnë një reformë gjithëpërfshirëse zgjedhore, e cila të përfshijë të gjitha rekomandimet e shkuara dhe të tashme nga OSBE/ODIHR. Rezultati dhe përgjegjësia bie mbi qeverinë që të ndërmarrë e të kryejë këtë reformë kaq të gjerë, sepse me patjetër që i ka numrat. Nga ana tjetër, është edhe pritshmëria e shqiptarëve, duke qenë se Shqipëria është në këtë rrugëtim për t’u futur në BE”, u shpreh Gonzato.
Gonzato vlerësoi ndërkohë edhe bashkëpunimin mes KQZ, Prokurorisë së Përgjithshme dhe SPAK për zgjedhjet e 11 majit.
“Në raport me atë çfarë patëm, kemi një raport të OSBE/ODIHR i cili pasqyron se si kanë qenë këto zgjedhje, ndërkohë që i ka njohur me standardet. Ndërkohë që përmenden edhe çështje si përdorimi i burimeve publike, por administrimi i zgjedhjeve është përgëzuar nga raporti i OSBE/ODIHR. Ndaj po e theksoj që kjo është diçka e cila duhet trajtuar nëpërmjet një reforme gjithëpërfshirëse në të ardhmen. Dua të vlerësoj Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për punën që ata kanë bërë, Prokurorinë e Përgjithshme, SPAK-un – që do të thoja ka qenë një bashkëpunim ekzemplar”, tha Gonzato.
Për sa i përket qëndrimit të opozitës për mosnjohjen e zgjedhjeve dhe pretendimeve për vjedhje masive të votave diplomati i BE tha: Çdo parti e cila mendon apo ndjen se ka pasur parregullsi, patjetër le t’i raportojë ato e të ankohet te organet përkatëse, që janë organet që administrojnë zgjedhjet dhe natyrisht edhe te organet e tjera përkatëse. Kjo është mënyra se si duhet të shkojnë gjërat.
Gonzato deklaroi se partitë politike duhet të punojnë për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian./vizionplus.tv