E Hënë, 2 Nëntor 2026

Zgjedhjet në Tiranë, Neza: Në këto rrethana, Florjan Binaj kandidatura më e mirë

Analisti Sami Neza ka komentuar zhvillimet më të fundit politike dhe ngjarjen tragjike ku humbi jetën gjyqtari Astrit Kalaja, gjatë një interviste në emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri” në RTSH 1.

Gjatë bisedës, Neza analizoi zgjedhjet e pjesshme vendore në Tiranë, duke vënë në dukje strategjinë e Partisë Socialiste dhe qasjen e re të opozitës me kandidaturën e aktorit Florjan Binaj.

Ai theksoi se PS mbështetet te mekanizmi parti-qeveri, ndërsa opozita po tenton një ribrendim politik përmes një figure jo tradicionale.

Në pjesën tjetër të intervistës, Neza u ndal te ngjarja e rëndë që tronditi sistemin e drejtësisë, duke e cilësuar vrasjen e gjyqtarit Kalaja si një moment alarmant për sigurinë institucionale dhe për besimin e qytetarëve te drejtësia.

Ai kërkoi që kjo ngjarje të mos trajtohet vetëm si çështje sigurie, por si një sinjal për nevojën e një reforme të thellë në sistemin gjyqësor, në favor të qytetarëve dhe funksionimit efikas të institucioneve.

Duke u ndalur në zgjedhjet e pjesshme vendore, veçanërisht ato në Tiranë që do të mbahen më 9 nëntor, Neza tha se kandidatura e Partisë Socialiste është në një vijë logjike, pasi ka drejtuar fushatën parlamentare në kryeqytet dhe ka pasur rezultat shumë pozitiv.

“Partia Socialiste nuk konkurron me figura por konkurron me mekanizmin e vet parti-qeveri, ku mekanizmi furnizon gjithë këtë sistem dhe është e pritshme që të ketë rezultat të mirë në zgjedhje,” tha Neza.

Sipas tij, ky mekanizëm do të jetë prezent sepse “nuk ka asnjë presion nga ndërkombëtarët apo vullnet të shprehur nga vetë PS-ja, për të bërë këtë dallim mes partisë dhe qeverisë në kohë fushate elektorale dhe ky mekanizëm nuk ofron kushte për zgjedhje të lira dhe të barabarta.”

Në kampin opozitar, ku është vendosur të mbështetet kandidatura e aktorit Florjan Binaj, Neza e cilësoi këtë si një kandidaturë të spikatur dhe që duket kandidatura më e mirë e mundshme në rrethanat ku ndodhet opozita.

“Brenda Patisë Demokraike dhe bllokut opozitar nuk ka gjetur shumë përkrahje ideja e daljes me një kandidat jo politik, por megjithatë PD-ja bëri këtë lëshim dhe dha konsensusin për një kandidaturë jo politike. Dhe mendoj se kandidatura e gjetur e mbështetur nga opozita dhe PD-ja është ndoshta kandidatura më e mirë e mundshme në këto rrethana,” tha ai.

Sipas Nezës, kjo është një qasje e re që tregon se si opozita po e sheh veten në një proces të domosdoshëm ribrendimi.

Duke folur për Florjan Binajn, Neza tha se “të gjithë e njohin si aktor humori, por ka të paktën pesë vite që është ndër aktivistët më shembullor që ka Tirana dhe Shqipëria.”

Analisti u ndal te ngjarja e rëndë ku gjyqtari Astrit Kalaja u vra brenda sallës së gjyqit, duke e cilësuar si një moment tronditës për sistemin e drejtësisë.

“Është një ngjarje tragjike, jashtëzakonisht e rëndë. Kjo ngjarje ngjall pasiguri jo vetëm te trupa e gjyqtarëve dhe gjithë drejtësia, por ngjall pasiguri në të gjithë vendin,” tha Neza.

Ai theksoi se “kjo është hera e parë në 35 vite që ndodh një vrasje e një gjyqtari brenda sallës së gjyqit, duke shtuar se “ka pasur kërcënime dhe atentate ndaj avokatëve, por jo ndaj gjyqtarëve.”

Sipas tij, kjo çështje nuk duhet të trajtohet vetëm si problem sigurie.

“Duhet të adresohet në të gjitha çështjet e tjera të menaxhimit dhe uljen e stokut të dosjeve. Së pari, numrin e madh të stokut të dosjeve që zyrtarisht është raportuar se në fund të vitit 2024 ka pasur rreth 140 mijë çështje në stok. Ka pasur një ulje të stokut në Gjykatën e Lartë ose në atë Administrative, ndërsa në gjykatat e tjera stoku ose është stabil ose është rritur, sikurse ka ndodhur në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm.”

Ai paralajmëroi se kjo situatë po e kufizon aksesin e qytetarëve në drejtësi.

“Kjo është pasojë jo vetëm e keqmenaxhimit por edhe si pasojë e mungesës së vizionit për një reformë në drejtësi në favor të qytetarëve,” tha Neza. Sipas tij, fillimisht kishte optimizëm për reformën në drejtësi, por “numri i madh i stokut sot do të krijojë sërish korrupsion.”

Neza e lidhi këtë situatë me procesin e vettingut, që sipas tij “shkarkoi rreth gjysmën e gjyqtarëve dhe prokurorëve nga sistemi i drejtësisë.”

Ai kritikoi edhe hartën e re gjyqësore të aplikuar në vitin 2023, duke thënë se “nuk u parashikua mirë as për resurset njerëzore, as për infrastrukturën sikurse është shembulli e Gjykatës së Apelit ku ndodhi ngjarja tragjike, ku është parashikuar që duhet të kishte 74 gjyqtarë, por në fakt nuk ka më shumë se 24 gjyqtarë.”

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›