Gruevski takon familjet e 12 të zhdukurve maqedonas
Familjet e të zhdukurve maqedonas gjatë konfliktit të vitit 2001 sot kërkuan në një takim me kryeministrin Nikolla Gruevski ndriçimin e plotë të rastit të të afërmve të tyre të zhdukur.
Familjarët e 12 të zhdukurve maqedonas kanë kërkuar që rasti të mos shtyhet, por të procedohet sa më shpejt nga organet e gjyqësorit dhe të fillojë procesi gjyqësor për ndriçimin e plotë të rrëmbimeve. Ata kanë kërkuar në takimin e sotëm nxjerrjen para drejtësisë të autorëve të ngjarjes.
Kërkesa e 12 të zhdukurve ishte dërguar në Tribunalin e Hagës, por ajo u kthye në Maqedoni në kompetencë të drejtësisë vendore, së bashku me tre raste të tjera, ku gjithashtu ngarkohen ish-drejtues të UÇK-së.
Vanço Shehtanski, avokati mbrojtës i famijeve të të zhdukurve tha se ka kërkuar nga kryeministri që të zbulohen, publikohen dhe sanksionohen urdhërdhënësit dhe kryerësit e rrëmbimit dhe zhdukjes së 12 maqedonasve nga rajoni i Tetovës.
Prokuroria deri tani nuk ka dhënë hollësi se si do të veprojë me lëndët që janë kthyer nga Tribunali i Hagës.