Zhupa: Banorët e prekur nga projekti nuk janë konsultuar për TID Durrës

TIRANË, 11 dhjetor/ATSH/ Pas fjalës së ministrit Blendi Gonxhja në interpelancën e sotme në Kuvend mbi projektin e TID Durrës, replikoi deputetja e opozitës Ina Zhupa, kërkuesja e interpelancës, e cila pretendoi se banorët e prekur nga projekti i rijetësimit nuk janë informuar apo konsultuar.
Ina Zhupa tha se pronat e disa prej qytetarëve të Durrësit rezultojnë të tjetërsuara në projekt.
“Zoti Ministër, më vjen keq që viheni në një pozitë për një projekt që nuk është i juaji dhe jeni i detyruar ta mbroni, por mund të tërhiqeni. Nuk është turp të pranoni dështimin e ministres para jush”, tha Ina Zhupa, duke cilësuar më tej, shkeljet ligjore dhe mangësitë e projektit, si dhe shkatërrimin që i sjell ky projekt qytetit të Durrësit.
Deputetja Zhupa tha se, vendbanimet janë palca e qytetit dhe të rëndësishme për t’u ruajtur të patjetërsueshme.
“Këtu është shkelur i gjithë procesi. Është qesharake të thoni se janë bërë konsulta e dëgjesa, se i ka dëgjuar edhe Kryeministri… Ligji i shpronësimeve është shumë i qartë. Ligji kërkon që banorët e prekur drejtpërdrejtë të dëgjohen dhe të konsultohen. Nuk mund të konsultosh institucionet e tua për të prishur banesën e dikujt”, tha Zhupa në foltore, duke ripërsëritur se banorët nuk janë njoftuar as në fazën e projektimit, as të konsultimit dhe as në fazën e vendimmarrjes.
Gjithashtu, sipas saj, dokumentet themelore si pasaporta e objektit, projekte, preventiva, ekspertiza, nuk janë dhe nuk janë vënë kurrë në dispozicion.
Zhupa i kërkoi ministrit Gonxhja t’i shpjegonte se cili ishte modeli i një qyteti në botë që ka rrafshuar vendbanimet për t’i dhënë hov turizmit apo për të ruajtur identitetin. “I vetmi model i tillë mund të jetë lufta”, tha Zhupa, e cila në fund të fjalës së saj e ftoi kreun e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit të bëjë më të mirën për Durrësin dhe qytetarët e tij.
/r.e/a.f/