E Hënë, 2 Nëntor 2026

Zjarret në Vlorë e Selenicë, Vengu: Të qëllimshme, shkaktuesit do të ndeshen me forcën e ligjit

TIRANË, 22 gusht /ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, deklaroi sot në një reagim në rrjetet sociale se vatrat e shumta të zjarrit që janë shfaqur gjatë mbrëmjes në bashkinë Vlorë dhe atë të Selenicës janë pasojë e zjarrvënies së qëllimshme dhe të organizuar.

Sipas ministrit, ndërsa vatra e Dukatit është shuar plotësisht, puna vijon për neutralizimin e zjarreve në fshatrat Drashovicë dhe Vajzë të Selenicës. Forcat e Armatosura dhe shërbimet zjarrfikëse lokale janë angazhuar në terren për të mbrojtur banesat dhe pronat e qytetarëve.

Vengu nënvizoi se forcat operacionale do të vijojnë të qëndrojnë të angazhuara përgjatë gjithë natës, ndërsa me mbështetjen e Policisë së Shtetit dhe strukturave të tjera ligjzbatuese po punohet për zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e autorëve.

“Zjarrvënia e qëllimshme mbetet një krim i rëndë, shkaktuesit e të cilit do të ndeshen me reagimin tonë të plotë dhe me forcën e ligjit”, theksoi ministri i Mbrojtjes.

/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›