Zonat malore të juglindjes zbardhen nga dëbora, nuk ka situata emergjente

Reshjet e para të borës kanë zbardhur zonat malore të Librazhdit dhe Korçës. Fshatrat Stërblev, Qarrishtë, Marat, Dardha, Maja e Biglës dhe zona e Shtyllës deri në majën e Mashkullores janë veshur me një shtresë të bardhë prej 5 deri në 10 centimetra në lartësitë mbi 1200 metra.
Aktualisht të gjitha rrugët dhe akset malore në këto zona janë plotësisht të kalueshme, pa asnjë bllokim apo problematikë në qarkullim. Nuk ka situata emergjente dhe as ndërprerje të lëvizjes së automjeteve.
Gjatë orëve të fundit, në lartësitë mbi 1200 metra në juglindje të vendit janë shënuar reshje dëbore, të cilat kanë prekur kryesisht zonat malore. Më të evidentuara janë Maja e Biglës në Dardhë dhe zona e Shtyllës deri në majën e Mashkullores, ku trashësia e dëborës varion nga 5 deri në 10 centimetra.
Firmat e mirëmbajtjes ndodhen në terren, po pastrojnë rrugët dhe sigurojnë qarkullim të papenguar, përfshirë edhe rrugën e Dardhës. Strukturat përgjegjëse po monitorojnë vazhdimisht situatën në të gjitha zonat e thella malore të qarkut.
Dimri ka nisur bukur në juglindje, por pa shqetësime për udhëtarët deri tani. Megjithatë, për këdo që planifikon të ngjitet në këto zona ditët në vijim, gomat dimërore dhe zinxhirët mbeten të domosdoshëm.
/rtsh.al/