E Diel, 1 Nëntor 2026

“Zvërneci”, Ibrahimaj: Jemi ende në fazë studimi dhe projektimi. Mbështetës të vijimit të zhvillimit sipas çdo standardi të mjedisit

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, ka deklaruar se nuk ka ende një projekt final lidhur me planet për ndërtimin e një resorti turistik në Zvërnec.

Pas mbledhjes së qeverisë, Ibrahimaj iu përgjigj interesit të gazetarëve për këtë çështje, duke theksuar se procesi ndodhet ende në fazën e studimit dhe projektimit, dhe se nuk ka ende një projekt përfundimtar për t’u bërë publik.

Megjithatë, ajo nënvizoi se çdo projekt që do të miratohet do të përmbushë të gjitha kushtet dhe standardet mjedisore.

“Jemi në fazë ende të një studimi dhe projektimi, qeveria nuk e ka ende një projekt final për ta ndarë me publikun. Në momentin që do të na vijë një propozim do të jetë një propozim që do t’i plotësojë të gjitha kushtet mjedisore. Është shqetësimi ynë kryesor që të gjitha ato standarde të mjedisit për të cilat ne jemi duke punuar edhe në bashkëpunim me BE, të respektohen. Është në qëllimet tona që projekti të miratohet dhe të vazhdojë, pa diskutim brenda kushteve dhe starteve të BE. Kemi një proces të nisur negociatash me BE, kemi një kalendar  detyrash ku bën pjesë i gjithë legjislacioni që kemi për të gjitha fushat dhe në momentin që do të na vijë një projekt që do të ketë një studim të impaktit në mjedis, do të analizohet nga strukturat e qeverisë dhe do të bëhet publik.

Ne duam që një projekt i kësaj përmase financiare të vijë në Shqipëri jo vetëm për ndikimin që sjellë në ekonominë shqiptare, por edhe për imazhin, standardin që sjellë në turizëm dhe për impaktin që mund të ketë edhe në sektorin e turizmit në hotele të tjera. Pa diskutim që ne jemi mbështetës të vijimit të zhvillimit të projektit sigurisht sipas çdo kushti dhe standardi. Arsyeja pse investitorët vijnë në Zvërnec është natyra dhe është në interesin tonë ta mbrojmë natyrën, por edhe në interesin e tyre për nivelin e turizmit që duan të sjellin në Shqipëri që natyra të ruhet sepse është vlerë e shtuar për projektin”, tha Ibrahimaj.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›