E Diel, 1 Nëntor 2026

Zyrtare- Paga minimale bëhet 50 mijë lekë, zbardhet vendimi i Qeverisë

Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për rritjen e pagës minimale në shkallë vendi, duke e çuar atë në nivelin e 50,000 (pesëdhjetë mijë) lekëve në muaj. Vendimi është marrë me propozim të Ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit dhe është i detyrueshëm për t’u zbatuar nga çdo punëdhënës, qoftë në sektorin publik apo atë privat.

Sipas vendimit të zbardhur, kjo pagë bazë minimale vlen për 174 orë pune në muaj, të kryera gjatë kohës normale të punës.

Sa bëhet ora e punës?

Me rritjen e re të pagës bazë, ndryshon edhe vlerësimi për orën e punës. Qeveria ka përcaktuar se paga minimale orare tashmë do të jetë 287.3 lekë. Ky është dyshemeja nën të cilën asnjë punonjës nuk mund të paguhet për orët e punës së kryer.

Shtesat mbi pagë

Një detaj i rëndësishëm që saktësohet në pikën 4 të vendimit lidhet me shtesat. Qeveria thekson se shtesat me karakter të përhershëm duhet të jepen mbi pagën bazë. Kjo do të thotë se 50 mijë lekëshi është vetëm baza e sigurimeve dhe pagesës neto, pa përfshirë vjetërsinë në punë apo shtesa të tjera që mund të përfitojë punonjësi sipas kontratës.

Ky vendim shfuqizon vendimin e mëparshëm, i cili mbante pagën minimale në nivele më të ulëta (40 mijë lekë), dhe hyn në fuqi menjëherë, duke u bërë detyrim ligjor për të gjithë personat juridikë dhe fizikë, vendas ose të huaj, që ushtrojnë veprimtari në Republikën e Shqipërisë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›