Çerdhet, të hapura edhe në gusht
Çerdhet në qytetin e Tiranës do të mbeten të hapura gjatë muajit gusht. Ditët e fundit, Bashkia e Tiranës ka shpërndarë një plan veprimi me udhëzimet përkatëse mbi masat që këto institucione duhet të marrin për mirëpritjen e fëmijëve edhe gjatë gushtit.
Gjatë stinës së verës fluksi i fëmijëve që frekuentojnë çerdhet zvogëlohet për shkak të pushimeve të verës dhe kalimit të tyre nga çerdhja në kopshte. Kështu, gjatë muajit qershor, numri i fëmijëve që kanë frekuentuar çerdhet ka qenë 1200 ose 30 përqind më pak se zakonisht. Pritet që gjatë periudhës korrik - gusht kjo përqindje të rritet akoma më shumë.
Përpos këtyre parashikimeve, Bashkia e Tiranës ka vendosur që dyert e çerdheve të mbeten të hapura edhe gjatë gushtit për të gjitha ato familje të cilat kanë nevojë për këtë shërbim.
Në planin e veprimit që është shpërndarë për stafin e këtyre institucioneve parashikohen edhe masat për lyerjet, higjienën si dhe për përgatitjen e ushqimit në kushtet e temperaturave të larta.