- Takimi me Presidentin Bush dhe aktorët e tjerë të Qeverisë amerikane, takimet me përfaqësuesit e kompanive të fuqishme dhe të institucioneve financiare, takimet me përfaqësuesit e opinioni

- Takimi me Presidentin Bush dhe aktorët e tjerë të Qeverisë amerikane, takimet me përfaqësuesit e kompanive të fuqishme dhe të institucioneve financiare, takimet me përfaqësuesit e opinionit publik dhe të shoqërisë civile në SHBA
Në përfundim të vizitës së punës dhe të takimeve që Kryeministri i Shqipërisë, Fatos Nano zhvilloi gjatë kësaj jave në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ai i është përgjigjur interesit të mediave, duke u ndalur në momentet më të rëndësishme të kësaj vizite.
Kryeministri u shpreh:
Duke ju falenderuar për ndjekjen me vëmendje të kësaj vizite pune të Kryeministrit të Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara, dua të ndaj me ju dhe me opinionin publik produktet shumë të vlefshme të saj që vijuan pas muajsh të tërë pune, përpjekjesh, rezultatesh, sakrificash, për forcimin e bashkëpunimit dhe të partneritetit midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, krahas partnerëve të tjerë perëndimorë të Aleancës së Atlantikut të Veriut dhe të Bashkimit Europian.
Natyrisht ngjarja historike e ceremonisë së zgjerimit të NATO-s ku u ftua edhe Shqipëria, krahas Kroacisë dhe Maqedonisë, për të marrë pjesë dhe për t'u kualifikuar si lideri i grupit të ardhshëm të vendeve të Kartës së Adriatikut, për t'u anëtarësuar në Aleancë, shpresoj në Samitin e 2006-ës, më dha mundësinë të përshëndetem, të bisedoj dhe të marr drejtpërsëdrejti nga Presidenti Xhorxh W.Bush, vlerësimet pozitive dhe inkurajuese të punës që po bëjmë të cilat u shprehën prej tij me tre fjalë të thjeshta, të vërteta dhe të merituara: "You are doing well!" që do të thotë se po i bëjmë mirë detyrat e shtëpisë, po i përgjigjemi siç duhet nevojave të zhvillimit të vendit në demokracinë ende jetëshkurtër që jetojmë pas shëmbjes së komunizmit, po krijojmë kapacitetet funksionuese të institucioneve dhe të shërbimeve të ndryshme civile apo të sigurisë, me të cilat bashkëpunojnë agjenci administrative të mbrojtjes, të inteligjencës dhe të zhvillimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, tashmë në mënyrë akoma më frytdhënëse sesa dy vjet më parë dhe e gjitha kjo sintetizon vlerësimin e Presidentit Bush, të Qeverisë amerikane, të Kongresit amerikan, të institucioneve financiare të Shteteve të Bashkuara, që nga ExIm Bank deri tek USAID, të cilat mbikqyrin, mbështesin dhe nxisin zhvillimin tonë për integrimin në tregjet globale.
Dhe pas një vizite shumë njerëzore, krahas ngjarjes historike dhe ceremonisë të zgjerimit të NATO-s, në shumë prej ambjenteve të Shtëpisë së Bardhë, ku përveç njohjes nga afër me teknologjinë e funksionimit të këtij institucioni dhe organizimin e brendshëm të Shtëpisë së Bardhë dhe banorët kryesorë të saj, do të më lejoni që t'ju kujtoj se në dhomën e kabinetit të mbledhjeve të qeverisë, unë munda të takoj protagonistët kryesorë të Qeverisë amerikane që kanë vizituar Shqipërinë, që drejtojnë marrëdhëniet globale në këtë Botë demokratike që na ka pranuar dhe ne në gjirin e saj për të luftuar terrorizmin, krimin e organizuar dhe fondamendalizmin e çfarëdo ngjyre që kërcënon sigurinë ndërkombëtare, që nga Presidenti Bush, nga Zëvendëspresidenti Cheney, Sekretari Powell, Sekretari Rumsfeld, Condoleezza Rice, dhe në funksion të këtij bashkëveprimi dhe njohjeje me protagonistët e qeverisë amerikane, u mbyll me Prokurorin e Përgjithshëm, që pata kënaqësinë t'i uroj edhe ditën e parë të punës pas një ndërhyrjeje kirurgjikale të suksesshme që ai ka bërë.
Kjo sigurisht është një pjesë e përshtypjeve amerikane të kësaj vizite sepse gjithçka tjetër i shërbeu konsolidimit të partneritetit, të besimit reciprok dhe të stimujve për të përballuar akoma me më shumë energji në të ardhmen dhe me më shumë mbështetje detyrat tona në axhendën e integrimit dhe të bashkëpunimit me Botën euroatlantike të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara.
Dua të kujtoj se ne mundëm të vilnim vlerësimet dhe të mësojmë drejtpërsëdrejti nga eksperienca qeverisëse globale e udhëheqësve të Kongresit amerikan, që nga kryetari i maxhorancës Tom Delay, tek kryetari i Komisionit të Jashtëm Henry Hyde, tek një numër i madh kongresmenësh me influencë që ndjekin dhe mbështesin proceset e zgjerimit të institucioneve euroatlantike, drejt rajonit tonë, dhe të gjithë Europës Lindore dhe Jugore dhe të mundemi të kuptojmë njëlloj me ta nevojën e konsolidimit të procesit të reformave dhe të rolit konstruktiv dhe të rëndësishëm, tashmë të pazëvendësueshëm që Shqipëria luan në Ballkanin Perëndimor apo në Europën Juglindore për të forcuar sigurinë paqen, stabilitetin dhe bashkëjetesën demokratike.
Unë besoj se ishin po kaq të rëndësishme kontaktet në nivelet më të larta me botën financiare amerikane dhe me botën e institucioneve ndërkombëtare financiare që punojnë në Uashington. Kam parasysh takimet me Philip Merril, President apo Kryetar i Bordit të ExIm Bank, që kohët e fundit ka rritur garancitë shtetërore të qeverisë amerikane për investimet private në Shqipëri duke pakësuar përjashtimin për risqet ndaj tyre në tregun shqiptar dhe në rajonin tonë, me Andrew Natsios, drejtorin e rëndësishëm të Agjencisë së rëndësishme në Ndihmave Amerikane për Zhvillim që ka programe shumë efikase dhe prioritare në sektorët kryesorë të rritjes së ekonomisë dhe të shoqërisë sonë, me drejtuesit e disa kompanive të mëdha që për shkak të rolit lider në ekonominë globale kanë identifikuar interesa për një sipërmarrje produktive edhe në funksion të zhvillimit tonë të qëndrueshëm, edhe në rajonin e Ballkanit, edhe në Shqipëri, dhe në veçanti nivele të larta ekzekutive të kompanive General Electric, Lockheed Martin apo të grupeve të tjera të rëndësishme që lidhen me projekte të mëdha si AMBO apo termocentralet e Vlorës, që më në fund po zgjojnë edhe interesin e grupeve të tjera sipërmarrëse me veprimtari përtej detit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku do të veçoja Opikun, organizatën që mbron investimet e përtej detit të Shteteve të Bashkuara, e cila e drejtuar me shumë vizion nga një menaxher i klasit të parë, na dha mundësinë të kuptojmë që janë të gatshme dhe ne duhet të përgatitemi për t'i thithur 2 miliard dollarë investime si portofol fizibiliteti për Shqipërinë vetëm.
Më në fund sapo arrita të përfundoj ciklin e takimeve të kësaj vizite pune me dy institucionet financiare ndërkombëtare me të cilat punon edhe Shqipëria, duke përfunduar bisedën me zonjën An Krueger, drejtorja ekzekutive e FMN, ku kuptuam se parametrat e stabilitetit dhe të rritjes së qëndrueshme ekonomike, treguesit e reformave strukturore dhe të privatizimit që po zhvillohen në Shqipëri mbikëqyren, vlerësohen shumë pozitive dhe nxiten për hapa të mëtejshme edhe nga FMN.
Më lejoni të kujtoj si një pjesë të rëndësishme të bilnacit të kësaj vizite në SHBA bashkëbisedimin në disa orë me një numër analistësh, opinionbërësish dhe mbështetësish nga shoqëria civile për aktivizimin e marrëdhënieve të partneritetit global që shtrihen deri në Shqipëri dhe në rajonin tonë nga shtypi dhe organizata jo qeveritare të cilat janë shumë të rëndësishme në funksion të vendimmarrjes të Shteteve të Bashkuara, në Kongres, në Shtëpinë e Bardhë, në Departamentin e Shtetit, apo në funksion të analizave që mbështesin fizibilitetin e investimeve përtej detit, që rrisin edhe eksportet amerikane në drejtimin tonë, me të cilët patëm mundësinë të krijojmë të njëjtin imazh të konsoliduar të stabilitetit të shoqërisë tonë demokratike, të rritjes së saj të qëndrueshme, të luftës pa kompromis që ka angazhuar qeverinë shqiptare dhe institucionet e shtetit të së drejtës në Shqipëri ndaj terrorizmit, krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme apo ekstremistëve që do të synojnë apo tentojnë të nxisin sërish dhunë ndëretnike në rajonin tonë.
Përfundimisht më lejoni të vlerësoj se kjo vizitë na ka ndërtuar dhe ka pasuruar në mënyrë të jashtëzakonshme programin tonë të punës në të ardhmen dhe ajo do të pasohet nga shumëfishimi i kontakteve dhe i iniciativave të bashkëveprimit dhe të sipërmarrjes së aktorëve kryesorë të këtij kontinenti dinamik drejt Shqipërisë, Europës Juglindore, të cilat do të përshpejtojnë akoma më shumë procesin e integrimit për anëtarësim të plotë të Shqipërisë në NATO dhe në Bashkimin Europian.
Pyetje: Z.Kryeministër, duket se jeni i suksesshëm dhe i vlerësuar në politikën e jashtme, gjë që duket pak në kontrast me atakime në politikën e brendshme nga krahu i opozitës. Si mendoni ta zvogëloni këtë hendek?
Unë besoj se kjo që po bëjmë është pasqyrim i progresit në politikën e brendshme, në procesin e reformave që konsolidojnë autoritetin e ligjit dhe institucionet e rritjes së qëndrueshme ekonomike. Nuk besoj se kjo që ndodhi këto ditë në Uashington është më shumë apo më pak e rëndësishme sesa privatizimi jashtëzakonisht i suksesshëm i Bankës sonë të Kursimeve, që pasi të kthehemi do t'i kalojë me një ceremoni zyrtare përfundimisht Raiffeisen-it si një kompani tjetër globale europiane. Nuk besoj se kjo që ndodhi këto ditë në Uashington, do të ishte e mundur të jepte vlerësime dhe nota kaq pozitive pa progresin e reformave të shtetit ligjor, rezultatet në luftën kundër kriminalitetit, traqeve, terrorizmit dhe korrupsionit, dhe nuk besoj se kjo që ndodhi këto ditë në Uashington nuk ju ka shërbyer edhe juve përfaqësues të medias për të kuptuar se Shqipëria reale është kjo dhe që nëqoftëse do të vazhdojë hendeku midis Shqipërisë virtuale të ndonjë medie e cila preferon headline-t e krimit në familje, në raport me mbështetjen euroatlantike të Shqipërisë dhe të institucioneve të saj në luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit vendas apo global duhet të fillojë të pakësohet dhe unë jam këtu, në funksion dhe në shërbim të shpjegimit me durim të këtyre realiteteve për cilindo dhe në funksion tuaj për të komunikuar me të gjithë qytetarët e Shqipërisë që përtërijnë optimizmin dhe jo vetëm shpresën sepse hapësirat e ushtrimit të lirive dhe të drejtave të tyre përsëri do të zgjerohen akoma më shumë dhe do të bëhen akoma më të sigurta.