E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Fatos Nano gjatë vizitës së tij zyrtare në Shtetet e Bashkuara ka zhvilluar një takim me z. Robert Trise, Përfaqësues i lartë i Kompanisë Lockheed Martin dhe me z. Don Antonucci

Kryeministri Fatos Nano gjatë vizitës së tij zyrtare në Shtetet e Bashkuara ka zhvilluar një takim me z. Robert Trise, Përfaqësues i lartë i Kompanisë Lockheed Martin dhe me z. Don Antonucci President i Lockheed Martin për Menaxhimin e Trafikut Ajror, si dhe me përfaqësues të tjerë të kësaj kompanie të njohur amerikane.

Kryeministri Nano, në fillim të këtij, takimi është shprehur se Qeveria Shqiptare mirëpret interesimin e shprehur nga Kompania Lockheed Martin, për të qenë pjesë e investimit të huaj në vendin tonë. Më pas, Kryeministri Nano i ka ftuar përfaqësuesit e lartë të kësaj kompanie të vëzhgojnë dhe të identifikojnë mundësi të reja për investime të tjera, sëbashku me kompani të nivelit të lartë ndërkombëtar, në Shqipëri.

"Ne vlerësojmë bashkëpunimin dhe partnerishipin me Lockheed Martin në modenizimin e hapësirës ajrore, në projektet që ju po realizoni me shumë kujdes dhe qëllimet për të zhvilluar investime afatgjata në Shqipëri. Ne presim të shohim rritjen e biznesit tuaj në vendin tonë dhe do t'ju mbështesim edhe përmes krijimit të lehtësirave të nevojshme në të ardhmën, që ju të përfshiheni në zona me interes të shumëfishtë", tha Kryeministri Nano.

Nga ana e tyre, përfaqësuesit e Kompanisë Lockheed Martin vlerësuan bashkëpunimin e deritanishëm me Qeverinë Shqiptare. Ata u shprehën se po nxisin edhe kompani të tjera të fuqishme amerikane të investojnë në Shqipëri, pasi tashmë vendi juaj përbën një vend të sigurtë, stabël dhe me një pozicion të admirueshëm në rajon. "Ne, - tha z. Trise - jemi të kënaqur që po punojmë në Shqipëri. Vlerësojmë dhe çmojmë së tepërmi mbështetjen tuaj si Kryeministër dhe të Qeverisë Shqiptare për atë që ne po realizojmë dhe që do të vazhdojmë edhe në të ardhmen, në vendin tuaj".

Gjithashtu, ata u shprehën se kompani të tjera amerikane kanë paraqitur interes për projekte të ndryshme në infrastrukturë, turizëm, energjetikë dhe së shpejti përfaqësuesit e këtyre kompanive do të vizitojnë Shqipërinë. Përfaqësuesit e lartë të Lockheed Martin shtuan se vizita e Kryeministrit Nano në SHBA, mbështetja që Presidenti Bush dha për integrimin e Shqipërisë në NATO, si dhe Rezoluta e Kongresit Amerikan është një fakt shumë i rëndësishëm për investitorët strategjikë amerikanë, që të afrohen drejt vendit tuaj, i cili tashmë po plotëson standartet demokratike, ato ekonomike, si dhe garancitë për investime të sigurta.

Z. Trise theksoi gjithashtu, se shtimi i nivelit të investimeve të huaja në Shqipëri po shfaq impakte pozitive, ndër të cilat ai përmendi mbështetjen në projekte të ndryshme të EXIM Bank, privatizimin e realizuar nga Raiffeisen Bank, projektin AMBO, projekte të ndryshme në energjetikë etj.

Më tej, Kryeministri Nano vlerësoi përfshirjen e Kompanisë Lockheed Martin në projekte të asistencës në Ministrinë e Mbrojtjes, veçanërisht në ofrimin e teknologjisë moderne, sidomos në kuadër të procesit të anëtarësimit në NATO.

Kompania e njohur amerikane Lockheed Martin është menaxhuese e projektit Për Modernizimin e Sistemit të Kontrollit të Trafikut Ajror Shqiptar dhe të Aeroportit "Nënë Tereza". Gjithashtu, kjo kompani ka paraqitur disa projekte të rëndësishme në fushën e sigurisë ajrore dhe atë të kufijve.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›