E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Fatos Nano gjatë kthimit nga SHBA ka zhvilluar në Vjenë një takim me sekretarin e pergjithshem te OKB-së Kofi Anan. Gjatë këtij takimi të dy autoritetet e larta diskutuan rreth z

Kryeministri Fatos Nano gjatë kthimit nga SHBA ka zhvilluar në Vjenë një takim me sekretarin e pergjithshem te OKB-së Kofi Anan.
Gjatë këtij takimi të dy autoritetet e larta diskutuan rreth zhvillimeve në Shqipëri, hapat integruese në strukturat euroatlantike, zhvillimet më të fundit në rajon, veçanërisht ato në Kosovë etj.
Zoti Anan ka shprehur vlerësim për rolin dhe kontributin e Shqipërisë për stabilitetin, paqen e rajonit.
Duke iu përgjigjur interesimit të medias rreth këtij takimi
Kryeministri Fatos Nano është shprehur:

Pyetje : Zoti Kryeministër, çfarë diskutuat në Vjenë me sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së Kofi Anan?

Kryeministri Nano: Sekretari i Përgjithshëm i OKB –së u interesua edhe për progresin e Shqipërisë në marrëdhënie me organizatat shumëpalëshe, sidomos pas lajmit të gëzuar për të gjithë, që vendet e Adriatikut, të Kartës së Partneritetit Shqipëri- Maqedoni- Kroaci –SHBA, u ftuan si kanditatët e ardhshëm për zgjerimin e NATO-s në Uashington, por dhe për vazhdimin e rolit konstruktiv të Shqipërisë në stabilitetin e Ballkanit në mbajtjen e linjave kryesore të tij aktive që nga koncepti dhe programi i standarteve për status në Kosovë deri tek marrëdhëniet e Prishtinës me të gjitha kryeqytetet e tjera të Ballkanit, si dhe vazhdimi i dialogut me Beogradin për kthimin e të shpërngulurve serbë në Kosovë. Biseda përfshiu dhe aspekte të tjera të skapierës ballkanike, gjendjen në Serbi që paraqitet e paqëndrueshme pas zgjedhjeve të fundit me qeverinë e pakicës së Koshtunicës si dhe zhvillimet pas humbjes së Presidentit maqedonas Trajkovskit përballë fushatës së zgjedhjes së presidentit të ri. E sigurova zotin Anan për vazhdimin e rolit aktiv dhe moderator të qeverisë së Shqipërisë në raport me këto kryeqytete dhe zhvillime në rajon duke i dhënë informacionin më të ri për kontaktet e zhvilluara edhe gjatë ngjarjeve kritike të dy javëve më parë në shpëtimin e dhunës etnike në Kosovë edhe për ndërmjetsimin tim midis faktorëve të ndryshëm që nga përfaqsuesi special i sekretarit të përgjithshëm Holkeri në Prishtinë apo autoritet shqiptare që drejtojnë institucionet vetëqeverisëse deri tek ndërmjetsimi për të siguruar një zhvillim të mbarë të zgjedhjeve presidenciale në Maqedoni midis Kryeministrit Cervenkovski që ka vënë kandidaturën për president, Ali Ahmetit, Arbër Xhaferrit etj. Ndamë të njëjtin vlerësim për domosdoshmërinë e ruajtjes të proçesit të bashkëpunimit rajonal, të ndërtimit të institucioneve të bashkëjetesës në vende me demokraci multietnike si Kosova, apo Serbi, Mali i Zi krahas stabilitetit të Maqedonisë dhe vazhdimit të bashkëqeverisjes maqedonase shqiptare për të ruajtur këtë realitet edhe në të ardhmen. Zoti Anan më siguroi vëmëndjen e vazhdueshme të Këshillit të Sigurimit dhe të Oganizatës së Kombeve të Bashkuara si dhe nevojën që të mbetemi në një dialog aktiv me qeverinë e Tiranës në funksion të prosperitetit dhe të progresit të axhendave të integrimit rajonal dhe global të vendeve të Ballkanit.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›