- Zoti Nano dhe zoti Schreder marin pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të hyrjes në fuqi të kontratës përfundimtare të Marrëveshjes së Koncesionit të Aeroportit ndërkombetar "Nënë Ter
- Zoti Nano dhe zoti Schreder marin pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të hyrjes në fuqi të kontratës përfundimtare të Marrëveshjes së Koncesionit të Aeroportit ndërkombetar "Nënë Tereza" -
Në ditën e dytë të vizitës në Berlin, Kryeministri Fatos Nano është pritur sot në një takim të veçantë nga kancelari gjerman Gerhard Schreder.
Në fillim të takimit, Kryeministri Nano dhe Kancelari gjerman Schreder kanë vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve, në nivelin politik dhe bashkëpunimin ekonomik, duke e konsideruar takimin e sotëm një mundësi të mirë për të diskutuar çështje me interes të përbashkët, si në aspektin dypalësh, ashtu edhe për zhvillimet në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Dy autoritetet ndanë të njëjtin mendim se në marrëdhëniet dypalëshe nuk ka probleme politike, përkundrazi kontaktet tashmë janë konsoliduar dhe kjo i hap rrugën bashkëpunimit më intensiv dhe të ngushtë të të dy vendeve në shumë fusha dhe, veçanërisht, në mbështetjen në rrugën e integrimit europian të Shqipërisë nga Gjermania ashtu dhe bashkepunimit ekonomik. Kancelari Schreder vlerësoi progresin e dukshëm të Shqipërisë, hapat dhe përpjekjet për realizimin e reformave integruese që zhvillojnë vendin. Shqipëria, theksoi ai, është e përfshirë në të gjithë projektet e BE-së në këtë funksion
Kryeministri Nano, duke u ndalur në bashkëpunimin për realizimin e programeve dhe projekteve në drejtim të kryerjes së reformave integruese, ka shprehur bindjen se "me rastin e 25 vjetorit të rënies së murit të Berlinit Shqipëria do të integrohet plotësisht në BE".
Duke vlerësuar koncesionin gjermano-amerikan për Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit, zoti Nano ka kërkuar në takim edhe ardhjen e kompanisë së njohur ndërkombëtare të fluturimit "Lufthansa" në Shqipëri për të vendosur fluturime të rregullta, duke ofruar kështu dhe një mundësi të re të kontaktit në këtë funksion, e cila ndikon në hapjen e mëtejshme të lëvizjeve mes dy vendeve dhe më tej. Zoti Schreder, ndërsa ka mirëpritur këtë ide ka theksuar angazhimin për ta realizuar atë së shpejti, duke shprehur gjithashtu kënaqësinë që të dy autoritetet të jenë sëbashku në udhëtimin e parë të "Lufthanses" në Shqipëri me këtë rast.
Dy autoritetet e larta kanë vlerësuar se "nëshkrimi i marrëveshjes së koncesionit për Aeroportin Ndërkombëtar të Shqipërisë është një sinjal i drejpërdrejtë dhe i fortë për gjithë investitorët e rëndësishëm gjermanë për t'u afruar drejt tregut të hapur dhe me parametra tashmë më optimalë të Shqipërisë, treg i cili në dy vitet e fundit ka të pranishëm emra të njohur të kompanive ndërkombëtare".
Në funksion të zgjerimit të mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve, në takim është diskutuar gjithashtu mbi zhvillimin e programeve që nxisin edhe krijimin e ndërmarrjeve të mesme dhe të vogla në Shqipëri, ndërsa janë vlerësuar marrëveshjet e tregtisë së lirë me vendet e rajonit si mundësi për lëvizje më dinamike të mallrave. Zoti Schreder ka vlerësuar së tepërmi idenë e Kryeministrit për krijimin e një Shengeni Ballkanik, gjë që ndikon në kapjen më shpejt të standarteve në lëvizjen e lirë të njerëzve. Të dy personalitetet kanë inkurajuar krijimin e tregut rajonal të energjisë në vitin 2008.
Kryeministri Nano ka shprehur gjithashtu mirënjohjen për kontributin që Gjermania ka dhënë prë forcimin dhe konsolidimin e institucioneve demokratike në këto vite në Shqipëri, si dhe ka shprehur angazhimin për thellimin e reformave të gjithanshme që forcojnë në mënyrë të vazhdueshme kapacitetet administrative. "Ne jemi të vendosur për të luftuar fenomenet negative nëpërmjet forcimit të ligjit dhe insitucioneve ligjore", tha zoti Nano. Në këtë drejtim, po ashtu Kryeministri ka shprehur vullnetin e Qeverisë Shqiptare "për të kontribuar në një luftë të përbashkët rajonale, duke bashkëpunuar me institucionet e specializuara për sigurinë e kufijve, goditjen kundër trafiqeve dhe krimit të organizuar etj.".
Lidhur me zhvillimet në rajon, në takim është vlerësuar roli i Shqipërisë dhe qëndrimet dhe inisiativat e saj të vazhdueshme, që nxisin integrimin rajonal, sigurinë dhe stabilitetin. Duke u ndalur në zhvillimet në Kosovë ata kanë ndarë të njëjtin mendim se zgjedhjet e fundit atje u zhvilluan në një mjedis demokratik dhe klasa politike tregoi pjekuri, fakt i rëndësishëm ky për të ardhmen e saj.
Më pas, zoti Nano dhe Kancelari Schreder kanë marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të hyrjes në fuqi të kontratës përfundimtare të Marrëveshjes së Koncesionit të Aeroportit ndërkombëtar "Nënë Tereza", ndërmjet Qeverisë Shqiptare dhe kompanisë gjermane "Hochtief Airport", në emër të konsorciumit Airport Partners, e cila u nënshkrua nga Ministri i Ekonomisë Anastas Angjeli dhe përfaqësuesi i lartë i kompanisë "Hochtief Airport". Në këtë ceremoni ishte e pranishme edhe ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Marcie Ries.
Konsorciumi përbëhet nga Hochtief Airoport, Fondi Shqiptaro-Amerikan i Ndërmarrjeve dhe Grupi Gjerman i Investimit dhe Zhvillimit. Sipas marrëveshjes, konsorciumi do të investojë 83 milion dollarë për modernizimin e aeroportit "Nënë Tereza" në Rinas, duke e kthyer atë në një aeroport të standarteve më të përparuara ndërkombëtare.
Në përfundim zoti Nano dhe Kancelari Schreder kanë dalë në një konferencë të përbashkët për shtyp.
Po sot, është nënshkruar në Berlin nga Drejtori i Koorporatës Elektroenergjitike Shqiptare, Andis Harasani dhe drejtuesit e lartë të bankës gjermane KFW marrëveshja për financimin 50 milion euro të linjës energjitike 400 kv Tiranë -Podgoricë.
Gjithashtu, në përfundim të takimit mes Kryeministrit të Shqipërisë Fatos Nano dhe Kancelarit gjerman Gerhard Schreder, Qeveria Gjermane ka publikuar një deklaratë rreth këtij takimi, në të cilën shprehet:
"Gjermania dhe Shqipëria forcojnë bashkëpunimin
Qeveria e Republikës Federale të Gjermanisë mbështet Shqipërinë për t'u afruar në Bashkimin Europian dhe NATO, në mënyrë që të konsolidohet stabiliteti dhe paqja në Europën Juglindore. Për këtë është e rëndësishme që edhe vendet e rajonit të zhvillojnë akoma më ngushtë bashkëpunimin mes tyre.
Kancelari federal Gerhard Schreder dhe Kryeministri shqiptar Fatos Nano, gjatë takimit të përbashkët në Kancelarinë gjermane më 18 nëntor vlerësuan marrëdhëniet e ngushta politike dhe ekonomike midis dy vendeve. Duke qenë se në planin politik nuk ka asnjë problem midis dy vendeve, të dy kryetarët e qeverive u përqëndruan në çështjet e ekonomisë dhe infrastrukturës.
Stabiliteti në Europën Juglindore është i rëndësishëm për të gjithë Europën
Kancelari Schreder vuri në dukje se Gjermani sëbashku me Bashkimin Europian mbështet afrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt BE-së. një gjë e tillë kontribuon edhe në stabilizimin e të gjithë Ballkanit. Një kusht i rëndësishëm për këtë qëllim është fakti që ndihmat e BE-së t'i shërbejnë vërtet Shqipërisë, ose edhe Shqipërisë në kuadër të kontributit rajonal.
Kryeministri Nano vlerësoi rëndësinë strategjike të Gjermanisë për përpjekjet e Shqipërisë drejt integrimit në BE dhe NATO. Takimi me Kancelarin i dha një impuls akoma më të madh marrëdhënieve dypalëshe. Nano çmoi lart rëndësinë e bashkëpunimit me Gjermaninë dhe BE-në për stabilizimin e Ballkanit Perëndimor. Në këtë kuadër ndaj të njëjtin vizion me Kancelarin gjerman, në të cilin përfshihet edhe Serbia dhe Kosova, tha Nano.
Angazhim ekonomik gjermano-amerikan në Shqipëri
Në përfundim të takimit, Kancelari gjerman dhe i ftuari i tij nga Shqipëria asistuan në nënshkrimin e Marrëveshjes për marrjen me koncesion të aeroportit "Nënë Tereza" në Tiranë. Në Marrëveshjen midis kompanisë "Hochtief" dhe Republikës së Shqipërisë, e cila u nënshkrua nga Ministri i Ekonomisë së Shqipërisë, Anastas Angjeli, bëhet fjalë për marrjen në koncesion të aeroportit nga firma gjermane, me pjesëmarrjen edhe të amerikanëve. Në këtë Marrëveshje përfshihet marrja e një sëre masash në vitet e ardhshme për zgjerimin dhe modernizimin e aeroportit, duke përfshirë edhe ndërtimin e një godine të re.
Në këtë kuadër, Kryeministri Nano shprehu kënaqësinë e tij për angazhimin e firmës gjermane, e cila për këtë projekt do të bashkëpunojë edhe me kompani amerikane. Ne takim u shprehen për një rifillim të shpejtë të fluturimeve të "Lufthansës" drejt Tiranës dhe duke u theksuar dëshiren që fluturimin e parë të "Lufthansës" për në Tiranë zoti Nano ta kryej sëbashku më Kancelarin Schreder."