E Diel, 1 Nëntor 2026

4 prill 2008- Ambasadorë e personalitete të larta të vendit, urojnë Kryetaren Topalli për ftesën për anëtarësim të Shqipërisë në NATO.

 

Urime të përzemërta  për marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO, u përcollën sot në pritjen e organizuar nën kujdesin e veçantë të Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, ku nderuan me pjesëmarrjen e tyre  ambasadorë të akredituar në Tiranë, atashe ushtarakë, deputetë, Kryetarë të Insitucioneve Kushtetuese, ish kryetarë të Kuvendit, personalitete të larta shtetërore analistë, gazetarë e artistë.


Ftesa për anëtarësim është pa mëdyshje një testament i punës së madhe e serioze, që e bëri këtë vizion një realitet. Ajo reflekton qartë progresin që ky vend ka bërë, në një kohë të shkurtër, në arritjen e standardeve"' tha Kryetarja Topalli.

Sot, një ditë pas marrjes së ftesës, kërkesa për vazhdimin  e transformimeve është më  qartë se kurrë. Entuziazmi dhe kënaqësia e kësaj ngjarjeje të madhe duhet kthyer në energji pozitive për sfidat e këtij shekulli, për reforma të tjera të guximshme, reforma që kërkojnë lidership të fortë dhe vullnet inspirues. Unë jam optimiste se menjëherë javën ardhshme do nisë puna në Kuvendin e Shqipërisë në komisionet parlamentare për tju përgjigjur  menjëherë besimit e dhënë nga  NATO.


Ftesa që morëm dje për tu bërë pjesë e familjes së madhe është një fillim i ri, fillim i një etape të re sfidash të rëndësishme që kërkojnë dinamikë. Ndaj dhe bashkëpunimi mes forcave poltike është thelbësor në ditët në vijim, për të shkurtuar rrugën e anëtarësimit të plotë në strukturat Euro-Atlantike, tha Kryetarja e Kuvendit.


Në përshëndetjen e tij ambasadori amerikan Uithers vlerësoi faktin që mbi 94 për qind e shqiptarëve mbështesin anëtarësimin e vendit në NATO dhe kjo, tha ai, tregon vendosmërinë tuaj për të ecur përpara. Ambasadori amerikan shprehu admirim e kënaqësi për atë çka Shqipëria arriti në Samitin e Bukureshtit, duke nënvizuar fjalët që Presidenti Bush tha në këtë Samit se, Shqipëria është një komb i madh në një Aleancë të madhe.
Është një ditë e mrekullueshme për Shqipërinë dhe miqtë e saj, u shpreh zoti Uithers.

Kryetarja e Kuvendit, duke trokitur gotat, falënderoi përzemërsisht ambasadorët për mbështetjen  që popujt dhe qeveritë e vendeve të tyre i kanë dhënë dhe i japin Shqipërisë, veçanërisht në këtë moment të kthimit të shpirtit të lirë të shqiptarëve në strehën e Aleancës që mbizotëron sot botën, në Aleancën e së mirës.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›