11 prill 2008 - Topalli takon delegacionin e lartë të shtetit të Kuvajtit. Topalli vlerëson dhe falënderon Emirin dhe popullin e Kuvajtit për ndihmën financiare
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë Jozefina Topalli priti sot delegacionin e lartë të shtetit të Kuvajtit, të kryesuar nga Këshilltari i Kryeministrit të Shtetit të Kuvajtit, Ismail Al Shati dhe Kryetar i Gjysmëhënës së Kuqe të Kuvajtit, Burges Al Byrges.
Në fillim të takimit Kryetarja Topalli falenderoi zyrtarët kuvajtianë për mikëpritjen e veçantë që autoritetet e Kuvajtit, i rezervuan delegacionit të Kuvendit të Shqipërisë, gjatë vizitës në këtë shtet.
Vizita në Kuvajt ka qenë një ndër më të veçantat dhe me mikpritje të paharrueshme, tha Kryetarja e Kuvendit.
Gjatë takimit, Këshilltari i Shtetit të Kuvajtit, Ismail Al Shati, shprehu ngushëllimet dhe keqardhjen e thellë , në emër të Emirit dhe popullit të Kuvajtit, për tragjedinë e Gërdecit.
Ndihma financiare për këtë qëllim, është në mbështetje të popullit shqiptar dhe ndjenjave miqësore e bashkëpunimit që ekzistojnë mes dy vendeve- tha Këshilltar i Kryeministrit të Shtetit të Kuvajtit Ismail Al Shati,
Kryetarja e Kuvendit vlerësoi dhe falenderoi Emirin, autoritetet dhe popullin e
Kuvajtit, për ndihmën e dhënë për tragjedinë e Gërdecit.
Zonja Topalli tha se vetëm miqtë të gjenden në ditë të vështira.
Gjatë bisedës Kryetarja e Kuvendit dhe Delegacioni i lartë nga Kuvajti trajtuan çështjet e bashkëpunimit në sektorë të ndryshëm të fushës ekonomike e sociale.
Bashkëbiseduesit theksuan faktin se vitet e fundit, marëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kuvajtit, po njohin impulse të reja zhvillimi.