E Diel, 1 Nëntor 2026

11 mars 2008- Letonia, avokate e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Topalli në Letoni, lobing për Naton në prag të Samitit të Bukureshtit.

Letonia, vendi i parë që ratifikoi MSA-në Shqipëri-BE dhe i pari nga vendet balltike që njohu shtetin e ri të Kosovës, premton  se do jetë një avokate e Shqipërisë  në procesin e integrimit në NATO.
Këtë garanci mori Kryetarja e  Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli dhe delegacioni  parlamentar shqiptar gjatë vizitës zyrtare, dy ditore në Letoni, me ftesë të Kryetarit të Parlamentit të Letonisë, Gundarz Daudze.

Kjo vizitë e zonjës Topalli, duke synuar kryesisht lobimin për marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO, shënoi edhe vizitën e parë zyrtare të nivelit të lartë në Letoni, vendi me një rritje ekonomike prej 11 për qind e me influencë të madhe në zonë.

Në takimin me Kryetarin e Parlamentit letonez, Kryetarja Topalli shprehu mirënjohjen e Shqipërisë për mbështetjen e vazhdueshme që Letonia ka dhënë në proceset integruese të vendit tonë, për ratifikimin e MSA-së Shqipëri BE, si dhe për njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Zonja Topalli u shpreh optimiste për përmbylljen e ratifikimit të MSA-së brenda këtij viti si dhe për marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO, gjatë Samitit të ardhshëm të Bukureshtit.

Forcat poltike dhe opinioni publik janë në një zë në mbështetje të integrimit të vendit si në BE ashtu edhe në NATO, u shpreh Kryetarja Topalli. Shqipëria është e vendosur të kapë këtë moment historik dhe ti japë një shtysë të fuqishme cilësore ecurisë së saj. Të gjitha forcat poltike në vend kanë rritur bashkëpunimin duke krijuar një sistem të qendrueshëm politik dhe besoj se kjo klimë entuziaste do të ndjekë të gjitha reformat deri në zbatimin e plotë të tyre.

Kryetarja e Kuvendit e njohu zotin Daudze me reformat e ndërmarra nga Qeveria e Kuvendi, reforma që,siç u shpreh zonja Topalli, kanë sjellë një stabilitet makroekonomik dhe forcim të shtetit të së drejtës.
Me një rritje ekonomike prej 6 për qind, inflacion nën kontroll, lehtësim të procedurave për biznesin, krijimin e një klime të favorshme për investimet që sa vijnë e rriten, imazhi ynë në botë ka ndryshuar pozitivisht dhe kjo për shkak të reformave të guximshme të cilat jemi të vendosur ti vijojmë, tha zonja Topalli.

Nga ana e tij zoti Daudze pasi  vlerësoi vizitën e Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë si të një rëndësie shumë të veçantë, garantoi se Letonia është e gatshme të mbështesë, të bashkëpunojë e të ndihmojë Shqipërinë në proceset e saj integruese.
Ne kemi mbështetur dhe do të vijojmë mbështetjen tonë për marrjen e ftesës për antarësim në NATO dhe në përshpjetimin e procesit të antarësimit në BE, theksoi ai.
Zoti Daudze u shpreh i sigurt se Shqipëria do të marrë ftesën për anëtarësim në NATO në Samitin e Bukureshtit.

Duke u ndalur në çështjen e Kosovës, Kryetarja Topalli tha se Kosova e pavarur, e orientuar drejt integrimit euro-atlantik është zgjidhja më e drejtë dhe më e qendrueshme, faktor paqeje e stabiliteti për Ballkanin e më gjerë.

Bashkëbiseduesit ndanë mendimin se marrëveshja për heqjen e taksimit të dyfishtë, nënshkruar së fundmi mes dy vendeve, duhet të pasohet nga të tjera marrëveshje në fushat e ekonomisë, drejtësisë, energjisë, infrastrukturës, arsimit, shëndetësisë apo turizmit.

Kryetarja Topalli u shpreh se, nivelit shumë të mirë të marrëdhënieve politike duhet ti përgjigjet një dinamizim i shkëmbimeve ekonomike. Ajo tha se Shqipëria mirëpret investitorët letonezë dhe pjesëmarrjen e tyre në privatizime në vendin tonë.
Biseda u fokusua në gjetjen e mundësive të bashkëpunimit në fusha si: energjia, infrastruktura, transporti apo teknologjia e informacionit, për të cilën Letonia është shumë e njohur në botë.

Më pas, Kryetarja Topalli dhe delegacioni që e shoqëronte zhvilloi seanca dëgjimore me Komisionin e Mbrojtes, Politikës së Brendshme, Parandalimit të Korrupsionit dhe Komisionin e Politikës së Jashtme në Parlamenin letonez. Në këto takime u diskutua mbi shkëmbimin e përvojës mes komisioneve reciproke parlamentare, mbi ecurinë e reformave në Shqipëri dhe nga ana e tyre, përfaqësuesit e parlamentit letonez garantuan zonjën Topalli se Letonia ka qenë e do të jetë avokate e proceseve integruese të Shqipërisë, veçanërisht tashmë përpara pritjes për marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO.


Deklaratë për shtyp e Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli dhe Kryetarit të Parlamentit të Letonisë, Gundarz Daudze.

Gundarz Daudze: Jemi munduar ta bëjmë programin e kësaj vizite sa më intensiv e të frytshëm, sepse e dimë se kemi shumë përvoja dhe ide për të shkëmbyer me kolegët tanë nga Shqipëria.
Ne gjithmonë kemi mbshtetur dhe do të mbështesim deri në fund kolegët tanë në rrugën  e tyre drejt anëtarësimit në NATO dhe BE. Unë shpresoj që takimet dhe diskutimet që do të zhvillohen gjatë kësaj vizite do të jenë hapi i parë për zhvillimin e bashkëpunimit ndërparlamentar dhe për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe.

Jozefina Topalli: Unë falënderoj Kryetarin e Parlamentit të Letonisë për ftesën që më bëri mua dhe delegacionit të deputetëve nga Shqipëria. Është hera e parë që një delegacion i një niveli të tillë të lartë vjen këtu për një vizitë zyrtare. Natyrisht, gjëja e parë që do të thoja është të falënderoja Presidentin e Parlamentit, Qeverinë për mbështetjen që i kanë dhënë Shqipërisë në rrugën e integrimit. Ka qenë vendi i parë dhe parlamenti i parë që ka ratifikuar MSA-në Shqipëri-BE. Ka qenë vendi i parë nga vendet balltike dhe në grupin e parë të vendeve të BE-së, që ka njohur Kosovën. Ky është një rast, që natyrisht, kërkon një vazhdimësi në nëshkrimin e marrëveshjeve të ndryshme. Ishte një mundësi për të biseduar për çështje të ndryshme e për të diskutuar se si këtë nivel shumë të mirë të marrëdhënieve politike ta intensifikojmë dhe të bëjmë të mundur të kemi shkëmbime më intensive midis dy parlamenteve, mes komisioneve parlmentare. Presidenti i Parlamentit tha se janë në dispozicion për të mbështetur Shqipërinë në rrugën e integrimit, me eksperiencën e tyre.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›