13 mars 2008- Topalli: Parlamenti ka marrë rolin qendror që i takon. Kuvendi, protagonisti kryesor i vendimmarrjes dhe i reformave.
Unë mendoj se rritja e rolit qendror të Parlamentit nuk është meritë e imja, tha Topalli. Ajo është meritë e të gjitha forcave politike. Është një realitet i shkruar në Raport-Progresin e Bashkimit Europian. Është një rritje e dimensionit të parlamentarizmit. Ky Parlament arriti të bënte vendin me President dhe është meritë e të gjitha forcave politike që ky Parlament kaloi ligjin themelor të reformës për drejtësi. Është një vlerë e këtij Parlamenti që nuk kemi më nevojë që, për çështje të rëndësishme të ndërhyjnë të huajt, nuk është më nevoja që të ecim me tryeza jashtë institucionit qendror, jashtë atij që mbart sovranitetin dhe që është Parlamenti.
Natyrisht kjo nuk është meritë e imja. E përsëris, kjo është meritë e të gjitha forcave politike. Është fat i madh që parlamenti, nga një rol periferik që ka pasur në të kaluarën, ka marrë rolin e protagonistit politik të vendimmarrjes dhe të reformave themelore. Kjo është meritë e gjithë klasës politike.
Ndërsa lidhur me raportin e Departamentit të Shtetit për të Drejtat e Njeriut Kryetarja Topalli e vlerësoi atë si një raport realist dhe pozitiv. Raporti flet për progresin, si rezultat i reformave të ndërmarra", nënvizoi Kryetarja e Kuvendit.