13 mars 2008 - Kuvendi diskuton mbi raportin e KKRT-së.
1. Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës (deri 60).
2. Miratimi i procesverbalit të seancës plenare, datë 10.03.2008.
3. Projektligji Për ratifikimin e ndryshimit të marrëveshjes së rishitjes së aksioneve të INSIG Sh.a. ndërmjet Ministrisë së Financave, që vepron në emër të shtetit shqiptar, Korporatës Financiare Ndërkombëtare (IFC) dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim.
4. Projektligji Për një ndryshim në ligjin nr. 9649, datë 27.11.2006 Për përcaktimin e formës dhe të formulës së privatizimit të INSIG Sh.a.
5. Raport i Këshillit Kombëtar të Radio Televizionit (KKRT).
6. Projektvendim Për vlerësimin e punës së KKRT-së.
Në diskutimet jashtë rendit të ditës, disa deputetë dhanë qëndrimet e tyre për Raportin e Departamentit të Shtetit të SHBA-së, për të Drejtat e Njeriut, kapitulli referuar Shqipërisë. Lidhur me këtë çështje dha opinionin e saj dhe Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila tha :
" Është një raport realist dhe pozitiv. Raporti flet për progresin , si rezultat i reformave të ndërmarra"
Gjatë diskutimeve jashtë rendit të ditës, Kuvendi mbajti një minutë heshtje në nderim të muzikologut të shquar Ramadan Sokoli, i cili u nda nga jeta, pak ditë më parë. Më tëj, diskutimet vijuan me trajtimin e çështjeve të ndryshme, si lufta kundër korrupsionit, transparenca në zhvillimin e tenderave në institucionet publike, inflacioni, niveli ekonomik, akciza e naftës për peshkatarët dhe probleme të tjera.
Një vend të veçantë në diskutimet e lira, zuri çështja e reformës zgjedhore,
dhe roli që po luan Komisioni i Posaçëm Parlamentar, në këtë proçes.
Më tej Kuvendi vijoi punimet me dëgjimin e raportimit të veprimtarisë së Këshillit Kombëtar të Radio Televizionit (KKRT) për vitin 2007.
Në një përmbledhje të raportit, kryetarja e KKRT, Mesila Doda, tha ndër të tjera se " baza e punës së KKRT për vitin 2007 kanë shërbyer detyrat e vendosura nga Kuvendi në rezolutën e datës 4 Qershor 2007, mbi rritjen e autoritetit të zbatimit të ligjit në mënyrë konstante dhe pa diferencime nga ana e institucionit; hartimin, në një kohë sa më të shkurtër të Planit Kombëtar të Frekuencave dhe reformimin e mëtejshëm ligjor e institucional të KKRT-së.
Sipas raportit të KKRT- së, gjatë vitit 2007 jane bërë hapa vendimtarë në zbatimin e standarteve të kërkuara nga Kuvendi.
Deputetë të pozitës dhe opozitës i drejtuan një grup pyetjesh kryetares së KKRT, mbi problematikën dhe çështje të ndryshme që prekin mediat elektronike në vend, të cilat morën përgjigjet përkatëse nga zonja Doda.
Seanca e pasdites në Kuvend, vijoi me diskutimet e deputetëve për raportin e KKRT për vitin 2007.
Votimi i Raportit të KKRT për vitin 2007 do të zhvilohet në seancën e ardhshme.
Seanca mbylli punimet në orën 18.40