A ka përplasje mes Ronaldinjos dhe Rajkard?

Fillimi i këtij sezoni në Primera Divizion në Spanjë, pritej me shumë interes. Një nga arsyet ishte dhe talenti brazilian i Barcelonës, Ronaldinjo. Ndryshe nga sa parashikohej, paraqitja e tij në Botërorin e Gjermanisë la shumë për të dëshiruar. Të gjithë mendonin se me fillimin e Primerës, ai do ta linte prapa formën jo të mirë. Por duket se akoma nuk do të kemi mundësinë të shohim Ronaldinjon spektakolar. Ndeshjet e para për këtë sezon nuk kanë treguar një kampion të madh. Përvec kësaj, ka pasur edhe një konflikt me Huan Laportën, presidentin e klubit.
Pagesa...
Kontratën e re, Ronaldinjo nuk e ka firmosur akoma. Dhe duket se nuk do ta firmosë për sa kohë nuk i plotësohet një kusht. Nga nëntë milion euro që merr aktualisht për sezon, kërkon të marrë dymbëdhjetë milion. Por kjo shumë duket se është sforcim i madh ekonomik për presidentin e klubit. Flitet, që, nëse Ronaldinjo nuk pranon të firmosë kontratën e re, zëvendësuesi i tij është gati, Lionel Mesi. Presidenti i klubit, Laporta, nëse i vendos në peshore këta të dy, pra Ronaldinjon dhe Mesin, do të shohë se Mesi i leverdis më shumë. Argjentinasi Lionel është vetëm 19 vjec, ndërsa Ronaldinjo është 26. Pra për arsye moshe, argjentinasi është më premtues.
Problemi me Rajkard...
Mediat spanjolle flasin edhe për një konflikt të Ronaldinjos me trajnerin e tij Frank Rajkrad. Mesa duket, tekniku holandez ka qenë i pakënaqur me paraqitjen e Ronaldinjos në këto javë të para të Premier Ligës spanjolle. Për këtë pikë nuk ka asgjë zyrtare. As Rajkard dhe as Ronaldinjo nuk e kanë komentuar akoma. Është e vështirë të besohet, që mes Frankut dhe Ronaldinjos të ketë mosmarrëveshje. Gjithmonë marrëdhëniet mes të dyve kanë qenë shumë të mira. Por duke mos pasur akoma një deklaratë nga asnjëra palë, nuk mund të thuhet asgjë. Shtegu për konflikt mbetet i hapur. Në futboll pritet cdo gjë.
Reagimi i menaxherit...
Roberto de Assis, që është vëllai dhe menaxheri i Dinjos thotë: "Asnjë nga këto lajme nuk janë të vërteta. Duan të destabilizojnë situatën. Ne nuk do të ikim nga klubi. Do të vazhdojmë të kontribuojmë për trofetë, që klubi do të fitojë. Në jemi dhe do të jemi akoma pjesë e historisë së Barcelonës". Ndërsa pyetjes së gazetarëve, për një përplasje të mundshme Ronaldinjo-Rajkard, nuk ka preferuar të shprehet.
Kush është Ronaldinjo...
Ronaldinjo Gaucho, lindi në 21 mars të vitit 1980 në Porto Alegre në Brazil. Vjen nga një familje me tradita në futboll. Edhe babai i tij ka qenë futbollist profesionist. Ka luajtur me ekipin e Kruzeiros. Karriera e Dinjos ka nisur në rrugët e varfra të lagjes Porto Alegre. Shumë shpejt ai ra në sy si një djalë teknik dhe me aftësi të mrekullueshme zotërimi të topit. Ka filmime, që e tregojnë që në moshë të vogël Ronaldinjon tek luan me top. Është i mrekullueshëm. Tamam një djalë që ka ardhur në këtë jetë më një mision. T'i mahnisë të tjerët me lojën e tij. Në vitet 1998-2001, Dinjo luajti në ekipin e Gremios. Në 110 ndeshje ai shënoi 37 gola. Në këtë periudhë bie në sytë e menaxherëve të Paris Saint German në Francë. Pas shumë tratativave, pranon të mbrojë ngjyrat e klubit francez. Në 55 ndeshje shënoi 17 gola. Më pas, për të interesohet ekipi i Barcelonës. Bie menjëherë dakord. Ka një karrierë të shkëlqyer në këtë ekip. Në vitin 2002 fiton Botërorin me ekipin e Brazilit. Një nga golat më spektakolarë të tij është ai në cerek finalet e Botërorit 2002 ndaj Anglisë. Nga 35 metra largësi, gjuan një goditje dënimi dhe topi përfundon në rrjetën e portës së mbrojtur nga veterani, Devid Siman. Brazili në festë, Anglia e shtangur. Në merkaton e kësaj vere, Ronaldnjo pati kërkesa nga shumë klube të njohur. Ekipi që këmbënguli më shumë ishte Milani. Shumë herë u besua se ai do transferohej në Itali. Por braziliani i ka premtuar besnikëri katalanasve.
Sot, ky kampion i madh, merret në gojë për formën e tij jo të mirë. Një gjë vërtet e hidhur. E vetmja gjë, që shpresohet, është që ta kalojë formën e tij jo të mirë dhe sportdashësit të shohin edhe njëherë Ronaldinjon e tyre spektakolar.
Elio Laze