'> Inaugurohet Aeroporti i Kukësit
Pas zvarritjeve dhe punimeve disavjeçare, më në fund aeroporti i Kukësit quhet i përfunduar. Ai tashme do te njihet me emrin e mbretit te Emirateve te Bashkuara Sheik Zajed, njëherësh financuesi i objektit. Ne ceremoninë e inaugurimit ministri i Jashtëm Ilir Meta tha se, aeroporti i ri do t'i shërbejë edhe Kosovës e Maqedonisë, por pa dhenë detaje për mënyrën e funksionimit te tij. Por, fluturimet dhe vënia ne funksion te plote e aeroportit te Kukësit nuk dihet se kur do te nise. Ne marrëveshjen koncensionare qe ka shteti ynë me kompaninë "Airport Partners" administruese e Rinasit, nuk lejohet hapja e një aeroporti te dyte te paktën për 20 vjet. Ndonëse nga qeveria është deklaruar hyrja ne bisedime dhe gjetja e një zgjidhje, ende nuk ka një përgjigje se kur do te filloje puna ne te. Aeroporti i Kukësit "Sheik Zajed" është i dyti ne vend pas atij te Rinasit. Ai është ndërtuar 8 kilometra ne jug te qytetit verior dhe është i njëjte me aeroportin e Podgoricës, i cili përballon një kapacitet prej 100 mije pasagjeresh në vit.