Isli Hidi tregon mashtrimin alla qipriotPortieri i kombëtares rrëfen gënjeshtrat e drejtuesve të Alqit, muajt pa u paguar dhe talljet e pafundme

Jorgis Memo -Në një prononcim ekskluziv për uebsajtin qipriot “protathlima.com.cy”, portieri i kombëtares, Isli Hidi, ka treguar historinë e tij të shkurtër tek Alqi i Larnakës. Mashtrime, tallje, por jo vetëm. 28-vjeçari ka folur pa dorashka, duke akuzuar drejtuesit e klubit, të cilët ishin kthyer në mashtrues ordinerë me të. “Presidenti i Alqit, Nikos Lilis, ka folur për mua në një radio, duke thënë se nuk jam profesionist dhe se nuk vete në stërvitje. Unë kam qenë normalisht në stërvitje dhe këtë e dinë të gjithë tek Alqi, por presidentit i pëlqen të thotë gënjeshtra. Çfarë ka thënë për mua janë të gjitha gënjeshtra. Ai më ka folur çdo ditë për lekët, por nuk jam paguar në muajt tetor, nëntor, dhjetor e deri më tani, që po mbaron janari. Më kanë dhënë vetëm 2 mijë euro para festës së Krishtlindjeve. Kjo është situata, jo vetëm për mua, por për të gjithë futbollistët. Unë nuk jam amator, por profesionist, kështu që nuk mund të qëndroj pa u paguar,”- tregon Hidi. Ai flet edhe për kushtet se si stërvitej. “Dy muajt e fundit jemi stërvitur me masazhatorin, sepse në ekip nuk ka pasur trajner portierësh. Kjo është skandaloze.”
I pyetur se pse zgjodhi pikërisht këtë çast për t’u shkëputur nga skuadra, ai theksoi: “Në qoftë se do të vazhdoja të qëndroja me Alqin, do të humbisja gjithçka. Unë jam portier i aftë dhe erdha në Qipro sepse besoja se Alqi ishte një skuadër e mirë dhe profesioniste. Por koha tregoi të kundërtën dhe gjërat nuk qëndronin ashtu siç i kisha menduar.”
Portieri i kombëtares u duk i acaruar dhe më tej u shpreh: “Jam shumë i nervozuar, pasi vazhdojnë të thonë çdo ditë idiotësi dhe pavërtetësi të tilla, sikur unë nuk paraqitesha në oraret e stërvitjeve. Unë isha i pranishëm në stërvitje deri të shtunën, para ndeshjes me AEK un. Askush nga klubi nuk u interesua të më pyeste, se pse u tërhoqa, pasi ata e dinë arsyen. Tek Alqi nuk kanë fytyrë të përballen me mua, prandaj nuk erdhën. Çdo ditë përsërisnin të njëjtën histori.”
“Vetëm fjalë, fjalë dhe fjalë”
“Erdha në Qipro që të luaj futboll dhe që të jap maksimumin tim, por në atë skuadër nuk mund të luhej, ishte e pamundur. Nuk mund të jesh për katër muaj i pashpërblyer. Arsyeja e parë dhe më kryesorja ishte pikërisht kjo. Nuk mund të vazhdosh të ecësh para dhe të jetosh në këtë mënyrë. Nuk jemi vetëm lojtarë futbolli, por edhe familjarë. Vetëm fjalë, fjalë dhe fjalë. Kam bërë gati letrat për në FIFA dhe UEFA. Do të jetë e ardhmja ajo që do të tregoj se kush ka të drejtë dhe se kush jo, në të gjithë këtë histori. Nëse do të më paguanin, unë nuk do të kisha folur kështu dhe as do të isha larguar,”- tregon portieri kuqezi.
“Ja talljet që më bënë për lekët”
Isli Hidi rrëfen gënjeshtrën e madhe që i bënë drejtuesit e Alqit për detyrimet e pashlyera. “Iu drejtova klubit në periudhën që do të kthehesha nga Shqipëria, dhe më thanë se do të më jepeshin disa lekë. Gjithashtu, më thanë që më 15 janar do të më shlyenin të gjitha detyrimet e prapambetura, sepse më parë e kishin të pamundur, për shkak të disa problemeve që kishin pasur. Kontaktova më 15 janar dhe përsëri më caktuan datën 16, si ditën kur do të realizohej likuidimi. Por të nesërmen, ata nuk iu përgjigjeshin telefonatave të mia. Iu drejtova avokatit tim, pasi ajo skuadër nuk është profesioniste dhe serioze. Këto ishin tallje.”Në mbyllje, portieri la të nënkuptonte se nuk kishte ndër mend të kthehej për të luajtur në vendin e tij. Mundësitë ekzistojnë që ai të luajë me një tjetër skuadër në Qipro. Për Hidin kanë shfaqur interes një skuadër greke dhe një qipriote. Gjithsesi, për momentin nuk ka asgjë të sigurt.
Marre nga Sporti Shqiptar
E Enjte, 22 Janar 2009