-Kryeministri Nano: Privatizimi më i suksesshëm në vend dhe Europën Juglindore- Fjala e Kryeministrit Fatos Nano në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave Të nderuar anëtarë t
-Kryeministri Nano: Privatizimi më i suksesshëm në vend dhe Europën Juglindore-
Fjala e Kryeministrit Fatos Nano në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave
Të nderuar anëtarë të Këshillit të Ministrave,
E thirra këtë mbledhje jashtë radhe të Këshillit të Ministrave për të marrë një vendim tepër të rëndësihëm për ekonominë e Shqipërisë. Kam kënaqësinë, pra, që me këtë rast t'i bëj të ditur opinionit publik se Këshilli i Ministrave vendos sot të miratojë kontratën e privatizimit të Bankës së Kursimeve në favor të Reiffesen Bank për një vlerë prej 126 milion dollarësh, e gjitha në CASH, përfshirë dhe dividentin e Bankës së Kursimeve prej 21 milion dollarësh më lejoni të them se sot Shqipëria buxheti i shtetit dhe programet e zhvillimit janë gati 150 milionë dollarë më të pasur.
Duke vlerësuar interesin dhe pjesëmarrjen në garë edhe të OTP një tjetër bankë presigjioze hungareze gjej rastin të deklaroj me kënaqësi se proçesi i privatizimit të Bankës së Kursimeve mund të konsiderohet më transparenti dhe më i suksesshmi në historinë e privatizimeve tona, që ndihmon trasformimin e ekonomisë shqiptare drejt strukturave dhe standarteve të ekonomisë globale.
Ky proces kaloi nëpër disa faza të cilat u menaxhuan me përgjegjësi dhe profesionalizëm të lartë nga ana e qeverisë. Qeveria miratoi dhe zbatoi një plan veprimi konkret mbi bazën e të cilit u reformua e gjithë struktura e bankës që e solli atë në parametra të matshëm, të vlerësueshëm dhe të besueshëm në piacat financiare kryesore. Theksoj se deri në këtë moment që po marrim këtë vendim Kryeministri dhe Ministri i Financave arritën të përballojë negociata intensive që përfunduan në këtë çmim të lartë dhe në futjen në tregun tonë financiar dhe bankar të një emri të madh nga tregjet globale.
Banka e Kursimeve aktualisht është më e madhja në vend dhe administron aktualisht 50 % të kursimeve dhe depozitave të shtetasve dhe sipërmarrjes ose 1.3 miliard dollarë. Garanci më e madhe se sa ky privatizim i madh për sigurinë e tyre nuk mund të arrihej.
Kalimi në pronësi i kësaj banke sëbashku me asetet dhe depozitat e saj në administrim të Reiffeisen Bank më shumë se një vlerësim është një garanci për proçeset transformuese dhe reformat modernizuese të sistemit bankar dhe të sipërmarrjes vendase, është një provë e kredibilitetit të situatës makroekonomike të vendit dhe e dinamikës së qëndrueshme të rritjes së ekonomisë shqiptare. Kjo është një provë konkrete e politikave të drejta të Qeversië Shqiptare për privatzimin e sektorëve strategjikë të ekonomisë dhe për integrimin e tregjeve.
Vlerat që do të arkëtohet prej 126 milion dollarësh është më e madhja e përftuar deri më sot nga privatizimet e ndërrmarrjeve strategjike të vendit. Ajo lëviz nga 80% më e lartë nga vlera minimale deri në 26 % më e lartë se vlera maksimale e identifikuar nga kompani ndërkombëtare auditimi. Koeficienti i shitjes së BKSH prej 3 herë më i lartë nga Vlera e Librit të Inventarit, qëndron mbi nivelet e rasteve analoge të shtijes së bankave në gjithë europën lindore ( 1.7- 2.3).
Në buxhetin e shtetit do të dedhen gjithashtu i gjithë dividenti vjetor 2003 i BKSH në shumën prej 21 milion USD. Me arkëtimet në buxhet për të 147 milion dollarëve nga kurorëzimi me sukses fantastik i këtij privatizimi strategjik të ardhurat e përgjithshme në buxhetin e shtetit për vitin 2004 rriten afro 8 %, duke zgjeruar ndjeshëm financimin e investimeve publike për zhvillim dhe integrim.
Përvoja e 141 vjeçare e Reiffeisen Bank garanton të sjellë në Shqipëri modelet bashkëkohore të administrimit të kursimeve dhe veçanërisht të kreditimit të sipërmarrjes private dhe të konsolidojë standartet ndërkombëtare të tregut financiar në Shqipëri. Për Qeverinë Shqiptare, futja në tregun e vendit të kësaj kompanie përbën një urë të sigurt për suksesin e integrimit të vendit e të tregjeve tona në ato ndërkombëtare financiare. Këtë mesazh të rëndësishëm shkëmbeva dje me kancelarin austriak Shysel në një bisedë telefonike të drejtpërdrejtë, ku ndamë gëzimin e këtij suksesi të përbashkët, edhe për vazhdimin e marrëdhënieve bilaterale me produkte të tjera të frytshme.
Ky proces privatizimi që po mbyllim sot, do të shërbejë si model edhe për raste të tjera analoge. Ne ditëm të harmonizojmë mirë interesat financiare të shtetit me ato të zhvillimit të ekonomisë në termin afatgjatë. Njëherësh ky proces dëshmoi për cilësinë e lartë të aftësive negociuese të qeverisë sonë në transaksione prioritare.
Pas suksesit të fazës së parë të privatizimit të INSIG-ut ( 27 milion dollarë për 39 % të aksioneve), ky është një shembull tjetër kulmor i performancës sonë qeverisëse në zbatimin e prioriteteve të reformave për integrim për forcimin e partneritetit institucional me sipërmarrjen e madhe ndërkombëtare dhe vendase, në shfrytëzimin efikas të asistencës së huaj dhe të ekspertizës sonë për transaksione dhe politikat ekonomike dhe financiare, që ka në sintezë rezultatin e rritjes së kredibilitetit të Shqipërisë në tregjet globale dhe në piacat financiare kryesore.
Përgëzime dhe mbarësi për të gjithë!