E Diel, 1 Nëntor 2026

Këshilli i Ministrave miratoi sot vendimin "Për përcaktimin e formës dhe strukturës së formulës së privatizimit të Shoqërisë "Uzina Mekanike e Naftës", shpk, Kuçovë, dhe kriteret b

Këshilli i Ministrave miratoi sot vendimin "Për përcaktimin e formës dhe strukturës së formulës së privatizimit të Shoqërisë "Uzina Mekanike e Naftës", shpk, Kuçovë, dhe kriteret bazë për përzgjedhjen e investitorit e për vlerësimin e ofertave".

Kjo shoqëri është regjistruar si person juridik me përgjegjësi të kufizuar. Objekti i shoqërisë është kryesisht kryerja e shërbimeve dhe punimeve mekanike për industrinë e naftës si dhe punime dhe shërbime teknike për të tretët. Rezultati financiar i shoqërisë, megjithëse ka ardhur në rritje dy vitet e fundit, krahasuar me vlerën e kapitaleve të shoqërisë, është i ulët dhe nuk mbështet nevojat e mëdha të zhvillimit të shoqërisë.

Në kushtet kur tashmë sektori i prodhimeve dhe shërbimeve mekanike është i liberalizuar dhe në pjesën më të madhe i privatizuar dhe kur shoqëritë e naftës kontraktojnë për nevojat e tyre dhe me shoqëritë private, kësaj shoqërie për të siguruar mbijetesën e saj i duhet të bëjë investime të konsiderueshme për të rinovuar teknologjinë, për hapjen e aktiviteteve të reja dhe të përsosë menaxhimin e shoqërisë në përputhje me ekonominë e tregut.

Në vendim propozohet që forma e privatizimit të jetë ajo e transferimit tek të tretët e të drejtës së pronësisë të kuotave të kapitalit të shoqërisë dhe ky transferim i ofrohet investitorit nëpërmjet shitjes me tender të hapur.

Me formulën e privatizimit që propozohet jo më pak se 51% e kuotave të kapitalit të shoqërisë, i ofrohet për transferim investitorit, duke i dhënë maxhorancën në menaxhimin e shoqërisë. Ish-pronarëve të truallit i ofrohen kuota të kapitalit sipas vlerës së truallit të përfshirë në kapitalin e shoqërisë, siç përcaktohet në vendimin e Këshillit të Ministrave nr.169, datë 13.3.2003 dhe sipas akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi. Kuotat e privatizimit të mbetura, pas transferimit tek investitori dhe ish-pronari i truallit, u ofrohen vetëm punonjësve të shoqërisë, me anë të shkëmbimit të kuotave të kapitalit, me bonot e privatizimit që u janë dhënë atyre nga shteti.

Në vendim përcaktohen edhe kriteret që duhet të përmbushin investitorët që do të dërgojnë shprehjen e interesit për tenderin. Ata duhet të jenë persona juridikë, të kenë një kapital, tërësisht të paguar, jo më pak se 3 milionë USD apo ekuivalentin e shumës, në valutën në të cilën është shprehur kapitali, si dhe vlera neto e konsoliduar, duhet të jetë të paktën 6 milionë USD. Për të garantuar zhvillimin e mëtejshëm të shoqërisë, ata duhet të jenë shoqëri e specializuar në industrinë mekanike ose konsorcium, ku kontrollin e shoqërisë ta ketë shoqëria e specializuar në industrinë mekanike, e cila të ketë një aktivitet në industrinë mekanike jo më pak se tre vitet e fundit.

Kriteret e vendosura për vlerësimin e ofertave garantojnë për marrjen e vlerës më të madhe në shitjen e paketës së kuotave të kapitalit dhe në garantimin e zhvillimit me perspektivë të shoqërisë.

U miratua edhe vendimi "Për shpronësimin, për interes publik, të pasurisë së paluajtshme, që preket nga ndërtimi i depos së ujit të ujësjellësit të Poloskës, në qëndër, Devoll, të Qarkut të Korcës".

Në zbatim të ligjit nr. 8561, datë 22.12.1999 "Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik" nga komuna Qendër, Devoll është kërkuar shpronësimi i pronës tokë are të pronarit që preket nga ndërtimi i depos së ujësjellesit Poloskë në Devoll.

Fshati Poloskë, që prej 30 vjetësh, furnizohet me ujë të pijshëm nga një burim i vogël i pamjaftueshëm, me rrjet të ndërtuar me çezma publike. Me ndërtimin e ujësjellësit përmirësohet furnizimi me ujë të pijshëm i banorëve të këtij fshati.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›