Nën drejtimin e Kryeministrit Fatos Nano, u zhvillua sot mbledhja e rradhës e Këshillit të Ministrave në të cilën u miratiuan projekligje për ratifikimin e disa marrëveshjeve ndërkombëtare
Nën drejtimin e Kryeministrit Fatos Nano, u zhvillua sot mbledhja e rradhës e Këshillit të Ministrave në të cilën u miratiuan projekligje për ratifikimin e disa marrëveshjeve ndërkombëtare për tregëtinë e lirë, për përmirësimin e infrastrukturës mjedisore, në fushën ushtarake e kulturore.
U miratua projektligji "Për ratifikimin e Marrëveshjes, ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për projektin "Programi i mbrojtjes së mjedisit të Liqenit të Ohrit / masa shoqëruese"".
Objektivi i këtij projekti është të asistojë Qeverinë shqiptare në modernizimin e sistemit të furnizimit me ujë në qytetin e Pogradecit dhe në zonën përreth.
Objektivat kryesorë të tij janë:
• Të përmirësojë dhe mbulojë cilësinë dhe sigurinë e furnizimit me ujë.
• Të krijojë një sistem ambjentalisht të pastër në trajtimin dhe shkarkimin e ujërave të zeza.
Objektivat e projektit përputhen plotësisht me strategjinë tre-vjeçare të qeverisë për zbatimin e planit të menaxhimit të cilësisë së ujit dhe mbrojtjes së mjedisit të liqenit të Ohrit.
Rajoni i Pogradecit është propozuar nga pala gjermane sepse aktualisht atje janë duke u zbatuar disa projekte të financuara nga Qeveria gjermane si:
• Furnizimi me ujë dhe kanalizimet në Korçë dhe në Pogradec
• Mbrojtja e mjedisit në liqenin e Ohrit (Pogradec)
• Modernizimi i shërbimeve publike në gjashtë bashki të vendit, përfshirë edhe Pogradecin
U miratua projektligji "Për ratifkimin e Marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për projektin "Furnizimi me ujë dhe shkarkimi i ujërave të zeza në Shqipërinë e mesme – komponenti i Lushnjës".
Mes dy qeverive është rënë dakort që të financohet ky projekt me një shumë prej 4.601.626,93 Euro. Projekti bën të mundur jo vetëm furnizimin me ujë të qytetit të Lushnjës por edhe rregullimin e kanalizmeve të ujërave të zeza.
Duke qënë se për qytetet Berat dhe Kuçovë është parashikuar të jepen me konçesion të përbashkët një firme private shfrytëzimi me ujë dhe kanalizimet e ujërave të zeza, është rënë dakort që projekti të realizohet në dy komponentë për të cilat duhen të mbyllen kontrata të veçanta, një për Lushnjën dhe tjetra për Beratin dhe Kuçovën sëbashku.
Gjatë bisedimeve qeveritare të zhvilluara në qershor të vitit 2000 në Ndërmarrjen e Furnizimit me Ujë dhe Kanalizimeve Lushnjë, janë bërë përmirësime të dukshme në drejtim të shfrytëzimit dhe organizimit, përkatësisht:
• Bashkimi i ujësjellësit dhe kanalizimeve
• Rritja e përqindjes së arkëtimit të faturave
• Reduktimi i lidhjeve ilegale
• Programi teknik dhe socio-ekonomik i përshtatshëm i shpërndarjes së ujit në zona të veçanta të qytetit
U miratua projektligji "Për ratifikimin e Marrëveshjes së Tregëtisë së Lirë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Serbisë dhe Malit të Zi".
Kjo marrëveshje është nënshkruar në Romë, më 13 nëntor 2003 dhe është rezultat i proçesit dhe angazhimit rajonal të bashkëdrejtuar nga Ministria e Ekonomisë dhe ajo e Financave. Në këtë proçes kanë marrë pjesë aktive edhe ministritë dhe institucionet e tjera të përfshira. Ndërkohë, ajo është bashkërenduar dhe koordinuar në vijimësi me Komunitetin Biznesor Shqiptar, nëpërmjet jo vetëm pjesëmarrjes së përfaqësuesve të këtij komuniteti në Grupin Negociator, por edhe konsultave, thithjes së mendimeve nga ky komunitet, si nga Ministria e Ekonomisë ashtu edhe nga ajo e Bujqësisë dhe Ushqimit.
Në ndryshim nga të gjitha marrëveshjet e tjera të këtij lloji të nënshkruara deri tani, Marrëveshja e Tregtisë së Lirë me Serbinë dhe me Malin e Zi pati të domosdoshëm një raund të tretë negocimi, për arësye se komuniteti biznesor bujqësor, i cili ishte pjesë aktive gjatë negociatave, paraqiti vërejtje lidhur me sasitë e konçesionimit të importit shqiptar të miellit nga Serbia dhe Mali i Zi. Gjatë rinegocimit u arrit një harmonizim më i mirë i interesit të biznesit bluajtës dhe interesave shqiptare për këtë marrëveshje.
Përfundimi i marrëveshjes është i lidhur edhe me hapjen e negociatave për Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Kosovës, kusht i vendosur nga OKB.
U miratua projektligji "Për ratifikimin e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Moldavisë".
Edhe kjo marrëveshje është nënshkruar në Romë, më 13 nëntor 2003. Ajo është hartuar në bashkëpunim me Komunitetin Biznesor Shqiptar.
Marrëveshja e Tregtisë së Lirë me Moldavinë synon që Shqipëria të plotësojë tërësisht:
• Angazhimet e saj lidhur me Zbatimin e Memorandumit të Mirëkuptimit për Liberalizimin e Lehtësimin e Tregtisë ndërmjet vendeve përfituese të Paktit të Stabilitetit, nënshkruar nga Ministrat e Tregtisë të vendeve të Europës Juglindore në kuadrin e Paktit të Stabilitetit, në Bruksel, qershor 2001.
• Plotësimin e një ndër kushteve për vazhdimin e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit me BE.
• Arritjen e objektivave në kuadrin e programit të Qeverisë Shqiptare për lehtësimin dhe liberalizimin e mëtejshëm të Tregtisë.
Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave u miratuan edhe disa vendime të rëndësishme:
U miratua projektligji "Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Rumanisë, për bashkëpunimin ushtarak".
Qëllimi i marrëveshjes është përcaktimi i fushave dhe formave të bashkëpunimit ushtarak midis palëve, bazuar në parimet e barazisë, partneritetit dhe përfitimit reciprok, në përputhje me ligjet kombëtare si dhe parimet e normat e njohura të së drejtës ndërkombëtare dhe angazhimeve të palëve.
Fushat e bashkëpunimit në këtë marrëveshje përfshijnë edhe veprimtari të shërbimeve kërkimore dhe shkencore, shkenca dhe studime ushtarake, hidrologji, metereologji, mjekësi në Forcat e Armatosura, çështjet e ligjore në fushën e mbrojtjes, aktivitete kulturore dhe sportive, etj.
U miratua gjithashtu edhe vendimi "Për miratimin, në parim, të Marrëveshjes së bashkëprodhimit kinematografik, ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Konfederatës Kanadeze".
Kjo marrëveshje synon të zbusë vështirësitë e shumta që kineastët shqiptarë prej kohësh po hasin për realizimin e veprave filmike shqiptare me bashkëprodhues të huaj, duke e nxitur më tej këtë praktikë. Në këtë kuadër, kontributi i bashkëprodhimeve kinematografike ndikon edhe në zhvillimin e industrisë kinematografike dhe në rritjen e shkëmbimeve ekonomike kultutore mes Shqipërisë dhe Kanadasë.
Ky vendim është përpjekje në identifikimin dhe evidentimin e vlerave më të mira kulturore shqiptare, duke i dhënë një shtysë prodhimit të filmave cilësorë, artistikë, vizatimorë dhe dokumentarë.