'> PS-ja për dekretet dhe krizën
Partia Socialiste paralajmëron mospjesmarrje në votimin për dekretet e presidentit Topi për anëtarët e Gjykatës së Lartë, për shkak të ndryshimeve të rregullores së Kuvendit që përcaktojnë votim të hapur në seancë. Nënkryetari i grupit parlamentar Sajmir Tahiri, argumenton se këto ndryshime u bënë në mënyrë arbitrare nga mazhoranca, për të ushtruar kontroll mbi gjyqësorin dhe për të mos lejuar rrjedhjen e votave nga deputetet demokratë. Tahiri pohon se do të jetë kryesia e grupit që do të vendosë për qëndrimin që PS do të mbajë gjatë shqyrtimit të këtyre kandidaturave në komisionin e ligjeve të mërkurën. Por ai shton se që në fillim, mazhoranca paralajmëroi një sjellje partizane dhe te njëanshme. Sipas Tahirit, kjo është një ndër arsyet pse selia rozë e shikon të vështirë bashkëpunimin me PD-në kur kjo e fundit ka treguar se nuk ka vullnet për të gjetur konsensus, jo vetëm për ligjet, por dhe për transparencën e zgjedhjeve. Mbi këtë çështje, edhe deputeti Taulant Balla ka pohuar se PS-ja nuk do të heqë dorë nga hetimi procesit elektoral të një viti më pare. Drejtues të partisë Socialistë kanë artikuluar ditët e fundit, rinisjen e protestave dhe përdorimin e çdo mjeti demokratik kundër shurdhërisë siç e cilësojnë ata, refuzimin e kryeministrit për transparencën e zgjedhjeve. Një tjetër opsion është dhe vendosja e marrëdhënies së kushtëzuar me parlamentin, vendimi zyrtar për te cilin, do të dalë nga forumet drejtuese të selisë rozë.