VENDIM PËR UNIFIKIMIN E PROCEDURAVE TË KONTROLLIT TË TERRITORIT NGA INSPEKTORATI NDËRTIMOR E URBANISTIK KOMBËTAR E AI VENDOR
V E N D I M
PËR
UNIFIKIMIN E PROCEDURAVE TË KONTROLLIT TË TERRIRIT NGA INSPEKRATI NDËRTIMOR E URBANISTIK KOMBËTAR E AI VENDOR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 16, të ligjit nr.9780, datë 16.7.2007 “Për inspektimin e ndërtimit”, me propozimin e ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Unifikimin e procedurave të kontrollit të territorit nga Inspektorati Ndërtimor e Urbanistik Kombëtar (më poshtë INUK) e ai vendor, si vijon:
a) Kryeinspektorët/inspektorët e inspektoratit ndërtimor e urbanistik vendor, në mbështetje të nenit 12, të ligjit nr.9780, datë 16.7.2007, “Për inspektimin e ndërtimit”:
i) kanë të drejtë të hyjnë e të ushtrojnë kontroll në mjediset, ku kryhet ndërtimi.
ii) pajisen dhe identifikohen me dokument zyrtar, ku percaktohet pozicioni i vendit të punës, i cili i paraqitet subjektit, mbi të cilin do të ushtrohet kontrolli.
iii) kanë të drejtë të kërkojnë zbatimin e objektit në terren, sipas lejes së ndërtimit të dhënë nga organi i autorizuar i qeverisjes vendore, si dhe të kontrollojnë dosjen me dokumentacionin, teknik e ligjor, të objektit.
b) Inspektorati ndërtimor e urbanistik vendor:
i) zbaton vendimet e marra nga organi i qeverisjes vendore në fushën e ndërtimit, brenda territorit nën juridiksionin e tij.
ii) kryen kontrolle në territorin administrativ të njësisë vendore, në bazë të planit mujor të punës, të miratuar nga kryeinspektori, si dhe në bazë të njoftimeve të marra nga institucionet qendrore dhe ato vendore, subjektet, fizike e private.
iii) ka të drejtë të kryejë një apo më shumë kontrolle në të njëjtin objekt, sipas problematikave, teknike e ligjore të objektit, që ndërtohet, kryeinspektori përcakton numrin e kontrollit të tij.
iv) përfshin në kontrollin e tij ndërtimin e një objekti të ri, prishjen e objektit, rikonstruksionin e objektit, riparimin e objektit, infrastrukturën, tokësore e nëntokësore, si dhe prishjen e objekteve, që paraqesin rrezik shembjeje, me pasoja për jetën dhe shëndetin e njerëzve dhe mbi pasurinë e të tretëve, në përputhje me nenin 59, të ligjit nr.8405, datë 17.9.1998, “Për urbanistikën”, të ndryshuar.
c) Inspektorati ndërtimor e urbanistik vendor realizon kontrolle nëpërmjet:
i) një grupi inspektimi, i cili ka në përbërje jo më pak se dy inspektorë;
ii) një grupi inspektimi të përbashkët, i cili ka në përbërje një inspektor të INUK-së dhe një inspektor të inspektoratit ndërtimor e urbanistik vendor, kur kontrolli ushtrohet në ndërtimet në zonat e objektet, me rëndësi kombëtare.
2. Kryeinspektori/inspektori vendor, gjatë kontrollit të ushtruar për zbatimin e punimeve në objektet me leje ndërtimi, i vlerëson shkelje të punimeve në ndërtim:
a) mospërputhjen e objektit në ndërtim, me kërkesat e lejes së ndërtimit e të projektit teknik të zbatimit, të miratuar e konfirmuar nga organi i autorizuar si:
i) ndërtimi i volumeve të tepërta, në lartësi ose në gjerësi të objektit (shtesë kati ose shtesë anësore);
ii) ndryshime të përmasave në gjatësi, gjerësi, lartësi, më të mëdha ose më të vogla se ato të miratuara;
iii) ndryshime në arkitekturën e fasadës së objektit, krahasuar me projektin e miratuar;
iv) rrethimi i objektit nuk është bërë sipas planorganizimit të miratuar.
b) Mosrespektimin e kuotave të lartësisë së kateve me ato të miratuara.
c) Mungesat e masave të sigurimit teknik të objektit dhe të mbrojtjes së jetës së njerëzve.
ç) ndotjen e mjedisit nga ndërtimi i objektit.
3. Inspektorati ndërtimor e urbanistik vendor, në bazë të planit të punës verifikon:
a) vendosjen e tabelës së objektit me leje ndërtimi, të dhënat përkatëse, sipas nenit 56, të ligjit nr.8405, datë 17.9.2007, “Për urbanistikën”. Kjo tabelë duhet të ketë përmasa 3 m x 3 m, dhe duhet të përmbajë gjithashtu, këto të dhëna:
i) Emërtimin e objektit, sipas lejes së ndërtimit;
ii) Lejen e ndërtimit;
iii) Emrin e projektuesit;
iv) Emrin e inxhinierit mbikëqyrës të punimeve në objekt;
v) Datën e fillimit dhe të mbarimit të punimeve në objekt;
vi) Planimetrinë e sheshit të ndërtimit të objektit, në lidhje me objektet përreth;
vii) Pamjen tridimensionale të objektit.
Tabela me këto të dhëna duhet të figurojë në objekt, sipas formës dhe dimensioneve, të paraqitura në aneksin shoqërues të këtij vendimi.
b) dosjen e dokumentacionit teknik e ligjor, që ndodhet në objekt si:
- lejen e ndërtimit, së bashku me vendimet e KRRT-së;
- projektin teknik të zbatimit të objektit, i konfirmuar nga drejtoria/zyra e urbanistikës;
- studimin gjeologjik dhe atë sizmik;
- lejen mjedisore, të miratuar nga agjencia e mjedisit;
- miratimin e ndryshimeve në projekt, në rastet kur ka të tilla;
- licensimin e pjesëmarrësve në ndërtim (licenca e shoqërisë, drejtuesi teknik, mbikëqyrësit, inxhinieri i zbatimit të punimeve dhe inxhinierë të tjerë, pjesëmarrës në punime);
- aktin e piketimit të objektit;
- aktkontrollin e kuotës 0,00, në përfundim të kësaj faze;
- verifikimin e të gjitha punimeve të kryera deri në ditën e kontrollit, në përputhje me projektin e miratuar;