“Ë-ndërrime...” në “rërën” e Borges-it
12/01/2010 Janë ëndrra që “bisedojnë” së bashku në një takim në ndërrimin e viteve. Tik-taku i parë i 2010-s shënoi ekspozimin e tyre së bashkë në “Ë-ndërrimi i viteve” në Zenit, për të qëndruar çelur gjatë gjithë janarit. “Ë-ndërrimi i viteve”, tashmë shndërruar në traditë në “Zenit”, është një ekspozitë ku paraqesin punët e tyre të gjithë ata artistë që kanë ekspozuar veprat e tyre gjatë vitit të kaluar në këtë galeri. Boshtin e edicionit të gjashtë të kësaj ekspozite e përbëjnë punët artistike të Artur Tashkos, Artan Shabanit dhe të katër artistëve italianë Stefano Romano, Francesco Pedrini, Andrea Naçiarriti dhe Claudia Losi, pjesë e ekspozitës “4 ways to...”, të cilët morën pjesë në bienalen e Tiranës gjatë 2009-s. Ndërkohë 2010 i ofron lexuesit shqiptar edhe tri botime të reja: “Librin e Rërës” nga Jorge Luis Borges, “Shqipëria e Poshtme” nga John Foster Fraser dhe “sikur qenia/elegji në gji të gjendjes” nga Krenar Zejno, i cili në poezinë e tij “analizon” qenien duke e sjellë si një përshkim paradigmash, marrëdhëniesh sociale, filozofike, historike-të gjitha “të vendosura në një ton ironik, si në çdo përçapje postmoderne”.
“Libri i rërës” përfshin trembëdhjetë tregime dhe është pasuruar me poezi të përzgjedhura të J.Luis Borges nga poezitë e tij të vona të botuara në origjinal në përmbledhjet “Ari i tigrave” dhe “Trëndafili i pafundmë”. Ky libër është përkthyer nga Azem Qazimi, i cili më herët ka përkthyer edhe “Librin e Qenieve Imagjinare” të Borgesit. “Unë nuk shkruaj për një pakicë të zgjedhurish, e cila për mua s’ka as edhe një kuptim, as për atë entitet të lajkatuar platonian të njohur si ‘Masat’. Unë nuk u zë besë këtyre abstragimeve, që i kanë aq për zemër demagogët. Unë shkruaj për vete dhe për miqtë e mi, unë shkruaj për ta bërë më të durueshëm kalimin e kohës”, vëren vetë Borges. Sipas tij, fjalët janë simbole që nënkuptojnë një kujtim të ndarë në disa njerëz. “Kujtimi që dua të hedh tani në letër më përket mua dhe vetëm mua; të gjithë të tjerët kanë vdekur. Mistika evokon një trëndafil, një puthje, një shpend që është gjithë shpendët, një diell që është gjithë yjet dhe dielli, një kanë me venë, një kopsht, apo një akt seksual. Nga të gjitha këto metafora, asnjëra s’do të më hyjë në punë për të përshkruar atë natë të gjatë dhe të lumtur, që na shpuri, të rraskapitur dhe të gëzuar, në kufijtë e agut”, do të vijonte më tej autori te “Kongresi”.