Përmbytjet shtyjnë zgjedhjet e brendshme në PD
12/01/2010 Kryeministri kishte paralajmëruar mbledhjen e KK-së më mes të janarit
Situata e rëndë e krijuar në Veri të vendit pas përmbytjeve të mëdha ka bllokuar zhvillimet e brendshme në Partinë Demokratike. Pas Kuvendit të PD-së, ku u zgjodhën 100 anëtarët e rinj të Këshillit Kombëtar të partisë, pritej që procesi i brendshëm zgjedhor të vijonte gjatë muajit janar. Vetë kryeministri Sali Berisha kishte bërë të ditur se do të thërriste mbledhjen e parë të KK-së në mes të muajit janar, por burime brenda PD-së kanë bërë të ditur se kjo mbledhje është shtyrë për një periudhë të papërcaktuar. Shkak për këtë shtyrjeje janë bërë përmbytjet e mëdha dhe përfshirja në operacionet e shpëtimit dhe kalimit të gjendjes së emergjencës. Vetë kryeministri Sali Berisha, njëherësh kryetar i PD-së, që në fillim të kësaj situate emergjente është përfshirë në operacionet dhe në inspektimet. Po ashtu edhe një pjesë e madhe e kryesisë së përgjithshme, të Sekretariatit dhe anëtarë të Këshillit Kombëtar të PD-së janë pjesë e këtyre operacioneve. Nënkryetarja demokrate dhe Kryetare e Kuvendit, Jozefina Topalli, deputete e qarkut të Shkodrës, dhe të gjithë deputetët e tjerë demokratë të këtij qarku janë vendosur në kryeqendrën e Veriut të vendit. Sekretari i Përgjithshëm i partisë dhe ministri i Financave Ridvan Bode ka vizituar Shkondrën dhe është në kontakt të përhershëm me situatën atje. Gjithashtu ministra të tjerë janë angazhuar direkt në operacionet e emergjencës si pjesë e Komitetit Ndërministror të Emergjencës. Një pjesë e madhe e anëtarëve të Këshillit Kombëtar, zyrtarë të lartë të shtetit, janë duke ndjekur gjenden në zonat e përmbytura.
Mbledhja e Këshillit Kombëtar të PD-së do të zgjidhte anëtarët e rinj të kryesisë së përgjithshme dhe sekretariatin e kësaj force politike. Të 100 anëtarët e KK-së do të votojnë për 27 anëtarët e rinj të kupolës blu dhe për sekretarët e rinj. Në këto zgjedhje pritej edhe rritja e numrit të sekretarëve të partisë, çka është konfirmuar nga vetë kryeministri Sali Berisha. Në garën për anëtarë të kryesisë pritet rivalitet mes rrymave apo grupimeve të brendshme në PD. Duke qenë më afër kryetarit të partisë Sali Berisha e duke qenë më të konsoliduar në përbërjen e kryesisë, rrjedhimisht ka më shumë peshë në vendimmarrjen politike. Ndërsa për sa i përket përbërjes së anëtarësisë së sekretariatit të PD-së pritet që në postet kyçe: sekretar i përgjithshëm dhë nënkryetarë, të mos ketë ndryshime.
Sekretariati aktual
Ridvan Bode - sekretar i përgjithshëm
Jozefina Topalli - nënkryetare
Astrit Patozi - nënkryetar
Ilir Rusmali - sekretar për Çështjet Ligjore
Ferdinand Poni - sekretar për Pushtetin Lokal
Ilir Bano - sekretar i Burimeve Njerëzore
Flamur Noka - sekretar Organizativ
Gent Strazimiri - sekretar për Partneritetin
Edmond Spaho - sekretar për Ekonominë