Përhapja e situatës gripale në spitale e poliklinika
12/01/2010 Këshillat parandaluese për grupet e rriskuara
Përveç urgjencave në spitale edhe poliklinikat apo ambulancat e lagjeve janë përballur gjatë ditëve të fundit me një fluks të lartë pacientësh të të gjitha moshave, që kanë kërkuar kujdesin e specializuar mjekësor për shkak të komplikacioneve të shfaqura nga përhapja e viruseve gripale. Megjithatë, sipas mjekëve, këto raste mbeten brenda kufirit të lejueshëm të përhapjes (krahasuar me fundin e muajit nëntor e fillimin e dhjetorit), duke iu referuar muajit në të cilin ndodhemi. Në urgjencën pediatrike të QSUT-së raportohet të paraqiten rreth 150-170 pacientë të vegjël në ditë me komplikacione të ndryshme të rrugëve të frymëmarrjes, ndërsa në urgjencat e pavijoneve të tjera regjistrohen rreth 70-80 raste, kryesisht nga moshat e rritura që vuajnë edhe nga sëmundje kronike. Një numër i konsiderueshëm pacientësh me vendosjen e tarifave të reja për vizitat detyrohen të marrin shërbimin më parë te mjeku i familjes, çka shoqërohet me rritjen e frekuentimit të poliklinikave, duke shmangur kështu përplasjet në dyert e spitaleve.
Situata gripale
Lidhur me situatën gripale në vend problemet më të shpeshta të hasura te pacientët pohohet të jenë infeksionet e sipërme dhe të poshtme të rrugëve të frymëmarrjes. Vetëm pranë poliklinikës numër 9 në kryeqytet pohohet të paraqiten rreth 30 pacientë në ditë, pjesa dërrmuese e të cilëve përbëhet nga moshat pediatrike, që manifestojnë shqetësime gripale. Ndërsa pranë qendrës shëndetësore numër një, e cila llogaritet të jetë më e madhja në rang kombëtar, drejtoresha Edlira Lashi, njëkohësisht dhe mjeke, lidhur me situatën javore epidemiologjike pohon se raportohen rreth 176 raste të prekura nga infeksionet e rrugëve të sipërme të frymëmarrjes, si dhe 148 raste të tjera të prekura nga infeksionet e poshtme të rrugëve të frymëmarrjes. Sipas saj, këto flukse janë brenda kufijve të lejuar për kohën në të cilën ndodhemi. Ndërkohë ajo rekomandon mbajtjen e kujdesit maksimal në dy muajt e ardhshëm shkurt-mars, që cilësohen si sezone të shtimit të fluksit të përhapjes së gripit masiv. Prekja nga këto viruse kryesisht nis me temperaturë të lartë, dhembje të kyçeve, kokës, probleme me frymëmarrjen, kolle. Më të rrezikuarit për tu prekur mbeten fëmijët nga 0-14 vjeç, si dhe të sëmurët kronik.
Referimi
Aplikimi i sistemit të referimit dhe vendosja e tarifave të reja të shërbimeve në sistemin publik ka bërë që të pakësohet fluksi i pacientëve në dyert e spitaleve. Nëse gjatë viteve të shkuara të gjithë dyndeshin për në urgjencat e spitaleve për trajtim, tashmë janë frenuar nga vendosja e çmimit të lartë, çka ka sjellë orientimin e tyre drejt mjekut të familjes. Gjithashtu sistemi i referimit ka shtuar dhe numrin e banorëve që kanë aplikuar për marrjen e librezës shëndetësore, me të cilën përfitojnë shërbime më pak të kushtueshme.
Përhapja
Sipas të dhënave të raportuara, rezulton se rastet e konfirmuara jo vetëm për gripin sezonal, por dhe për gripin e derrave janë të shpërndara pothuajse në të gjitha zonat gjeografike, gjë që flet për qarkullim e virusit thuajse në të gjithë vendin. Numri më i madh i rasteve të prekura nga gripi vërehet në zonat kryesore urbane, veçanërisht në Tiranë e Durrës, ku është marrë dhe numri më i madh i mostrave të analizuara, si dhe në Mat, ku përveç gripit sezonal është evidentuar dhe rasti i parë i përhapjes së A/H1N1-shit në shkolla. Shtimi i rasteve të përhapjes në masë për të dyja llojet e gripit është vënë re dhe në qytetin e Lezhës e të Sarandës. Deri më datën 5 janar janë analizuar rreth 2781 mostra të dyshuara vetëm për gripin e derrit.
Simptomat
Temperaturë e lartë
Të dridhura (ethe)
Dhimbje koke
Lodhje
Kollë
Dhimbje fyti
Të vjella
Vështirësi në frymëmarrje
Mungesë oreksi
Këshilla
Mbajtja e një higjiene të rreptë.
Larja e shpeshtë e duarve me sapun.
Dezinfektimi i ambienteve ku jetohet.
Mbylleni gojën me pecetë kur kolliteni e teshtini.
Pecetën apo shaminë hidheni në kosh.
Mos i afroni duart tek goja, hunda apo sytë.
Evitimi i ambienteve me shumë njerëz.
Regjim i rregullt ushqimor me sa më shumë lëngje.
Vajtja te mjeku sapo të shfaqen simptomat e para.
Mospërdorimi i qetësuesve pa rekomandim.