E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbi urën famëkeqe të vetëvrasjeve

ZIRINA LLAMBRO

Cilësohej si Ura e psherëtimave ajo më famë-keqja në Luksemburg, një nga shtetet me standardin më të lartë të jetesës në Europë. Çdo vit, dhjetëra vetë zgjidhnin Le pont Rouge (Urën e Kuqe), për ti dhënë fund jetës. Gjatë vizitës në kryeqytetin e bankierëve, teksa guida na sqaronte se Luksemburgu renditej, gjithashtu ndër të parët në botë për vetëvrasjet, fytyra mu vesh me habi e në kokë më vërshonin disa pyetje të njëpasnjëshme që nuk mu ndanë edhe disa ditë pas këtij udhëtimi. Po këta luksemburgasit çfarë kanë? Pse e vrasin veten? I kanë të gjitha: para, mirëqenie, parqe, qetësi, gjithçka që ne shqiptarëve na mungon e njëkohësisht na ngarkon mendërisht. Çudi e madhe! Nuk e mbaj mend nëse arrita tu jap përgjigje atëherë, por javën e fundit, teksa vetëvrasja e publicistit të njohur Ardian Klosi u vuajt e u përfol gjerë e gjatë, këto pyetje mu kthyen sërish, bashkë me disa përgjigje, më së shumti të nxitura nga letrat e lamtumirës të shkruara në faqet e gazetave. Në to spikaste më shumë fjala pendesë dhe fjala vdekje apo të tjera që shfrynin mllef jo të paqenë në fakt ndaj këtij vendi. Fare pak hasej fjala jetë. Me gjithë mirëkuptimin ndaj dhimbjes për ata që e njihnin, e donin dhe e vlerësonin Klosin, kjo dëshirë e ndërgjegjshme apo e pandërgjegjshme për të justifikuar një akt vetëvrasjeje mu duk pak e pasens, apo si një mënyrë për të qetësuar shpirtin e të gjallëve. Me ato pak njohuri për psikanalizën, është e thjeshtë të kuptohet se çdo çrregullim mendor e ka një zanafillë. E ka një burim që shkakton humbjen e balancave dhe paqes me veten, për rrjedhojë, ndaj gjithçkaje që të rrethon. E përditshmja të konsumon aq shumë, sa pa e kuptuar merret pak kohë për të kapur çfarë po ndodh brenda nesh për ti parë gjërat aq zymtë dhe pa rrugëdalje. Jetojmë në një shoqëri konsumi që bren vazhdimisht shpirtin, e ky konsumizëm është i njëjtë në të gjithë botën, ndonëse shfaqet në forma të ndryshme. Në Luksemburg, një nga shtetet më të zhvilluara të Europës, dhjetëra bankierë zgjedhin Urën e psherëtimave për të shkëputur fillin e jetës. Në Shqipëri, një nga vendet me të varfra të Europës, gra e vajza vendosin të kapërdijnë një kokërr fostoksinë për ti dhënë fund. As më shumë e as më pak e dhimbshme është ikja e një intelektuali, (përveçse ka më shumë zhurmë e nderime), pasi në fund të fundit bëhet njësoj fjalë për një jetë njerëzore. Por, të përpiqesh ti japësh ngjyrime një vetëvrasjeje duke fajësuar vetëm realitetin e pashpresë ku jetojmë përditë, duket se nuk ndihmon aspak, askënd, madje as atë që ka ikur. Vetëvrasja është një fenomen që, për fat të mirë, referuar statistikave, në vendin tonë mbetet në nivele disa herë më të ulëta sa në BE. Jemi një komb agresiv, impulsiv, shpesh edhe negativ, por pa diskutim vital e me goxha forcë për të përballuar jetën. Ndoshta në shumë raste jemi edhe depresivë, tepër depresivë. E gjithë kjo gjendje na kalon pa u vënë re sepse induktohemi nga të tjerët që funksionojnë njësoj, ose shumë më keq. Vëmë një maskë për tu përshtatur. Vuajmë e dëshpërohemi pa i dhënë një emër asaj çfarë po kalojmë. Gjejmë justifikime pa fund, duke ua hedhur fajin gjithmonë të tjerëve që na mbysin, që janë të pandryshueshëm, që bëjnë kompromise, që janë të ligë, të paskrupullt. Ndërkohë që kurrë nuk do ta pranonim se jemi ne në depresion të thellë e çfarë është më shkatërruesja, do tia mohonim pa dashje vetes. Ndonëse shërimi apo përkeqësimi nis pikërisht prej aty. Sepse në Shqipëri, të jesh në depresion shihesh pak a shumë njësoj sikur ke lebrën. Këtu ndryshojmë rrënjësisht nga luksemburgasit edhe pse ata vetëvriten më shumë. Për ne shqiptarët mendimi i të tjerëve vlen mbi gjithçka. Më të brishtët shpirtërisht futen kështu në një rrugë pa krye, përpiqen ti duken mirë gjithë botës, ndonëse busullën e kanë humbur. Një jetë e tërë mund tiu shkojë e tillë. Disa i sheh duke shfryrë e sharë të inatosur me lëkurën e tyre që sa hapin sytë në mëngjes. Të tjerë zgjedhin të ikin. Sigurisht që askush ska të drejtë ti gjykojë, por gjithaq askush ska të drejtë ti justifikojë. Ka një forcë madhore që bën diferencën e që mund të të nxjerrë nga qorrsokakët më të thellë. Kjo është forca për të jetuar. Sado zi ta shkarravisim këtë vend, nëse ushqejmë këtë forcë brenda nesh, ka gjithnjë një mundësi përmirësimi dhe një zgjidhje. Ka gjithmonë një dritë paqeje që mund ta gjejmë edhe në gjërat më të vogla, ndonëse realiteti mund të na projektohet i pashpresë. Ndoshta shpesh mund të na duket sikur luftojmë me mullinjtë e erës, por për sa kohë nuk është aq e fortë sa të na vërë për fund, për aq kohë sa gjenerohen forcat për tu ngritur prapë, ia vlen të mos dorëzohesh. Të jetosh, pa diskutim do të thotë të bësh kompromise, por ato që zhysin në mjerim shoqërinë, e sidomos tonën, janë kompromiset në raport me veten. Misioni ynë është të zgjedhim, të përmirësojmë, dhe jo të justifikojmë zgjedhjet tona e të të tjerëve. Kur justifikimi kthehet në një armë, mënyrë të menduari e të jetuari nga ajo që quhet pjesa e shëndoshë mendërisht e shoqërisë sonë, siç na është reflektuar ditët e fundit, kambanat e alarmit bien më fort se në çdo urë psherëtimash.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›