E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkëjetesa e pamundur e dy shumicave

Share

Nga Mero Baze

Letra e Edi Ramës drejtuar partive politike për zgjedhjen e një presidenti konsensual, po përpiqet të përdoret për teori konspiracioni lidhur me mundësinë për të negociuar rreth mundësisë së Ilir Metës apo Fatos Nanos për tu bërë president. Letra në të vërtetë është një nga veprimet e matura të Partisë Socialiste, pasi si parti opozitare ajo bën një shërbim ndaj frymës kushtetuese për zgjedhjen e një presidenti konsensual. Opozita nuk ka vota për asgjë tjetër përveçse një presidenti konsensual. Po të kishte 71 vota, ajo do të ishte shumicë parlamentare dhe për të pasur 84 vota, aq sa duhen për një president konsensual, ajo duhet doemos të kërkojë dialog me partitë e tjera politike. Kaq. Detyra e opozitës përfundon këtu. Opozita nuk mund të hyjë në bisedime as për emra të përveçëm dhe as për ndonjë president me 71 vota të blera, të premtuara apo të trafikuara ilegalisht. Nuk mund ta bëjë këtë pasi nuk mund të japë shembullin e para se si duhet bërë pis institucioni i presidentit të ri ende pa u zgjedhur.

Por pavarësisht këtij parimi, ka plot zëra, biles dhe nga opozita, që janë të gatshëm dhe ëndërrimtarë kur flasin për llogari që i bëjnë me gishta poshtë tavoline, për mundësinë e njërit apo tjetrit për të arritur 71 vota në parlament. Ky naivitet politik thellohet edhe më tej kur flitet për emra konkret siç është Fatos Nano apo Ilir Meta, d.m.th të flitet për një shumicë të re presidenciale pa Berishën. Shumica e re presidenciale pa Berishën, por me Berishën kryeministër, është një naivitet, pasi është absurde që në vend të bashkëjetojnë dy shumica, një shumicë presidenciale dhe një shumicë qeverisëse. Pra, do të ishte naivitet që me ndihmën e opozitës të krijohej një shumicë prej 71 votash për të bërë një president nga ish- socialistët që bashkëpunojnë me Berishën dhe kjo pakicë e artë të bënte pjesë dhe në shumicën presidenciale dhe në atë qeverisëse. Pra, më thjesht akoma do të ishte naivitet që të kishim një president që quhet Nano apo Meta me votat e socialistëve dhe të kishim po kryeministër Berishën me votat e Metës dhe nanoistëve në parlament. Në çdo demokraci normale ka një shumicë dhe ajo është shumica që qeveris. Nëse Meta apo Nano duan ti japin fund kësaj shumice, ata i kanë votat e duhura, ta rrëzojnë Berishën dhe të formojnë pastaj një shumicë të re, e cila të çojë vendin në zgjedhje dhe të negociojë për presidentin e ri. Nuk mund të ketë edhe një shumicë me socialistët dhe Metën për President, edhe një shumicë me Berishën dhe Metën për qeveri. Ajo shumicë që do të zgjedhë presidentin meriton të na qeverisë deri më 2013, dhe nëse Meta apo Nano kanë vota për të prishur një shumicë të tillë, ta fillojnë me Berishën. Ata nuk mund të përdorin Berishën për të qenë në qeveri dhe Ramën për të qenë në presidencë.

Për këtë arsye oferta e Ramës për një president konsensual është parimore dhe është veprimi i duhur që opozita duhet ti përmbahet deri në momentin që ajo është pakicë dhe që respekton frymën kushtetuese për një president konsensual. Me këtë akt Rama e mban me ndershmëri Partinë Socialiste larg marifeteve dhe kulisave të dy ish- socialistëve, të cilët realisht janë pjesë e pushtetit të Berishës. Ilir Meta është pjesë e shumicës qeverisëse me katër deputetë dhe një kuotë prej 20 për qind në administratën e vendit, ndërsa Fatos Nano është pjesë e qeverisë, duke rregulluar në poste publike thuajse gjithë njerëzit e tij të afërt që ka pasur kur ishte kryeministër. Mjafton të kujtojmë që shefi i tij i kabinetit, Agim Isaku, një kritik i pafrenuar i Berishës, është emëruar nga Berisha ambasador për shkak të kuotës që i ka dhënë Fatos Nanos në qeveri, dhe Frrok Çupi, i cili drejton një gazetë të një firme plehrash, që Nano e ka sjellë në Shqipëri prej 2004, merr dhe një rrogë i emëruar nga Berisha si Drejtor i Qendrës për Art dhe Kulturë, një institucion pa zyrë, pa personel dhe pa organikë, vetëm për një rrogë për një nga ushtarët e Fatos Nanos. Të tillë ka në plot vende të tjera në administratë, që janë punësuar duke e konsideruar Fatos Nanon pjesë të pushtetit. Po ti shtosh kësaj dhe kujdesin që bizneset e tij të mos konsiderohen armike, siç konsiderohet çdo biznes i dikujt që mbështet opozitën, mund të themi pa frikë që Nano dhe Meta janë dy ish- socialistë në koalicion me Berishën, pra janë pjesë e një shumice qeverisëse në vend me Berishën, dhe nuk mund të jenë njëkohësisht dhe pjesë e një shumice presidenciale me opozitën. Këtë nuk e lejon pikë së pari Berisha, por dhe sikur të ndodhte, opozita nuk duhet të bëhet pis në këtë operacion prapaskenash, pasi atë e fiton Berisha me të tijtë. Nëse ata duan të formojnë një shumicë të re qeverisëse, le ta bëjnë dhe pastaj ka logjikë politike që ajo shumicë të kthehet në shumicë presidenciale. Por të dy shumicat nuk mund të bashkëjetojnë. Mirë është ashtu siç kërkon opozita të zgjidhet një president konsensual dhe kjo nuk fut vendin në krizë. Në të kundërt, shumica e thjeshtë që zgjedh presidentin, është e vetmja shumicë që do qeverisë në vend.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›