1 Maji në Fier, naftëtarët e Marinzës protestojnë për rritje pagash dhe meritokraci

Në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, naftëtarët në Fier kanë protestuar për rritje pagash, trajtim jodiskriminues dhe bonuse.
Protesta e organizuar nga Sindikata e Sektorit Hidrokarbur para zyrave të kompanisë në Marinzë nuk ishte thjesht simbolike, por vazhdim i kërkesave që sindikata ka bërë ndaj drejtuesve të Bankers Petroleum.
“Nuk keni para për t’i bërë publicitet shoqërisë. Keni para për të bërë në mediet më të mëdha në vend, të cilat nuk janë sot këtu, pavarësisht njoftimit tonë se do të mbanim një tubim paqësor. Keni para për t’u dhënë të gjithëve. Keni para edhe për të bërë publicitet, por harroni që aseti juaj më i madh në Borizanë janë këta njerëzit këtu. Trajtimi me dinjitet i këtyre njerëzve është promovimi më i madh që mund t’i bëni kompanisë tuaj,” deklaroi kryetari i sindikatës, Dritan Shahu.
“Meritokracia këtu është sipas preferencave. Kërkojmë rritje page me dinjitet dhe jo me mik, me shok. / Në kapitalizëm kemi ligjin, pronën dhe meritokracinë. Te tria këto nuk zbatohen këtu,” u shprehën dy protestues.
Protestuesit thanë se do e përshkallëzojnë protestën nëse kompania nuk reagon ndaj kërkesave të tyre.
/rtsh.al/