E Diel, 1 Nëntor 2026

1 Qershori, Berisha dhe Rama pranë fëmijëve: Ju premtojmë të ardhme më të mirë

TIRANE- Kryeministri Sali Berisha mori pjesë në një aktivitet të organizuar në Muzeun Historik Kombëtar me rastin e 1 Qershorit, ditës ndërkombëtare të fëmijëve. Kreu i ekzekutivit e vuri theksin tek përkujdesi i fëmijëve që u përkasin pakicave, teksa premtoi qeveria do të bëjë gjithçka për një të ardhme më të mirë. 

"Qeveria do të shumëfishojë forcat për të kapërcyer pasojat e diskriminimit për fëmijët romë dhe egjiptianë, por në tërësi një kujdes maksimal duhet adresuar drejt fëmijëve të pakicave", deklaroi Berisha. 

Duke e konsideruar 1 Qershorin si ditën e së ardhmes, Kryeministri Berisha uroi të gjithë fëmijët por edhe prindërit, që me përpjekje titanike bëjnë gjithçka për t'i marrë jetës atë që u takon. "Uroj që Shqipëria të ndërtohet ashtu siç ata kanë të bukur ëndrrën e tyre. Të bëjmë gjithçka për një të ardhme që këta fëmijë meritojnë", tha Berisha. 

Sipas tij, shoqëria shqiptare ka mundësi dhe është e aftë që të bëjë gjithçka për cilësinë e edukimit të tyre dhe për të garantuar kushte jetese më të mira dhe një të ardhme më të mirë se sa gjeneratat para tyre. 

"Këtu kemi fëmijë me disa kufizime, fëmijë që kanë përpara një jetë me përpjekje të mëdha. Ne do të bëjmë gjithçka që ata të arrijnë sa më shumë në përpjekjen e tyre të madhe për një jetë normale. Hapa serioze janë ndërmarrë dhe kjo është evidente, por hapa të tjerë të rëndësishëm do të ndërmerren dhe angazhimi dhe kujdesi i qeverisë dhe shoqërisë do të jetë gjithnjë e më i madh. Ekspozita që ata hapin sot është dëshmi e gjenisë së tyre krijuese, potencialit të tyre të madh krijues", tha Berisha. 

Kryeministri u shpreh se, "shoqëria shqiptare është thellësisht e detyruar ndaj fëmijëve të komunitetit rom dhe nuk duhet të harrojë barrën e rëndë të diskriminimit shekullor që rëndon mbi paraardhësit e tyre".

Në aktivitetin e sotëm ishin e pranishme dhe zonja Liri Berisha si dhe zonja e parë e vendit Odeta Nishani.

1 Qershori, Rama pranë fëmijëve jetim në Vlorë, premton të ardhme më të mirë
Kreu i PS-së, Edi Rama njëherësh kandidati për deputet në Qarkun e Vlorës ka përzgjedhur shtëpinë ku strehohen fëmijët jetim të qytetit bregdetar për ti uruar gjithë fëmijëve shqiptar  “Gëzuar 1 Qershorin”. I shoqëruar nga kreu i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, Rama qëndroi në mes të fëmijëve, të cilët luanin dhe gëzonin. 

“Rama gëzuar 1 Qershorin. Bashkë me kryetarin e Bashkisë vendosët që sot këtë 1 qershor ta festojmë tek jetimorja me fëmijët jetim dhe më fëmijët e tjerë të lagjes me dëshirën e madhe duke i uruar 1 Qershorin fëmijëve të zotohemi se do bëjmë më shumë, për të gjithë fëmijët e Vlorës, për fëmijët që kanë nevojë për kushte më të mira, ne çerdhe kopshte shkolla lagje, kanë nevoje për hapësira dhe aktivitet që ti shërbejnë mirë rritjes së tyre”, tha Rama. 

Kryesocialisti Rama kishte marrë me vete dhe dhurata për fëmijët (kompjutera të vegjël, dore). Rama tha se tabletat elektronike do të sjellin risi për shkollën, teksa nuk shmangu edhe premtimin elektoral se brenda 4 viteve të ardhshme shkolla e mesme dhe më pas ajo 9-vjecare do të pajisen me tableta elektronike që së shpejti mund të zëvendësojnë librat.

“Sot ne kemi sjellë, disa dhurata , janë dhurata që lidhen me ata që duam të bëjmë për gjithë fëmijët e Shqipërisë , kemi sjellë këto tableta, kompjutera të vegjël dore që kanë një të mirë të madhe se fëmijët i mësojnë vetë nuk kanë nevoje fare për mësues për ti mësuar si të përdorin, për të mësuar gjëra që nga librat mësojnë me vështirësi. Tabletat janë ato që duam të sjellim si të risi për shkollën. Duam brenda 4 vitet e ardhshme, shkollat e mesme dhe dalëngadalë dhe shkolla 9- vjecare të fillojnë të pajisen me tableta. Objektivi është të arrijmë deri ne heqjen e librave dhe mbajtjen e këtyre tabletave edhe për mësimdhënien. Dua që këto 30 tableta të shërbejnë si guri i parë i themelit, për katër vitet e ardhshme këtu në Vlorë për fëmijët e Vlorës. Sot do i japim këto tableta për fëmijët e jetimores, duke i konsideruar si fëmijët tanë, si pasuri dhe amanet të përbashkët. Do vijojmë të pajisim me tableta të gjithë fëmijët”, premtoi Rama. 

“Ju uroj Gëzuar 1 Qershorin! Dëshiroj ta kaloni gëzuar ditën, ju premtoj bashkë me xhaxhi Shpëtimin e se ne do bëjmë shumë më tepër për ju në vijim dhe 1 Qershorin tjetër do e festojmë prapë bashkë diku tjetër. Faleminderit dhe Gëzuar 1 qershorin”, uroi Rama. 

(e.m/BalkanWeb) Lidhje te tjera   Sot 1 Qershori, fëmijët ‘protestojnë’ me lojëra FOTO: 1 Qershori, Rama pranë fëmijëve jetim në Vlorë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›