E Diel, 1 Nëntor 2026

1 Qershori, Topi pret fëmijët e fshatit “SOS”

Kreu i shtetit Bamir Topi ka pritur sot njëzet fëmijë nga “Fshati SOS”, me rastin e 1 Qershorit, ditës së fëmijëve.
Në fjalën e tij përshëndetëse Kreu i Shtetit shqiptar shprehu urimet më të mira për të gjithë fëmijët, por dhe për prindërit e mësuesit e tyre, si dhe bëri apel për ndërgjegjësimin e mbarë shoqërisë shqiptare për më tepër përkujdesje ndaj fëmijëve, brezit që përfaqëson të ardhmen e vendit.
“Duhet të mendojnë për jetën e fëmijëve, për të ardhmen e tyre! Çdo prind duhet të jetë i ndërgjegjshëm për krijesat që ka sjellë në jetë dhe ky është një apel edhe për institucionet: unë dëshiroj të përgëzoj institucionin që ju ka vënë nën kujdes, sepse jua ka bërë jetën njësoj si të gjithë të tjerëve! Ju duhet të mësoni shumë! Jam bindur që kur të rriteni, ju do të krijoni familjet tuaja të shëndosha, do të punoni secili në profesionin e vet dhe nga informacioni që kam, të gjitha premisat janë që ju do të bëheni njerëz të shëndetshëm të kësaj shoqërie, që patjetër qytetarët e saj nesër do t’i ketë qytetarë evropianë!” theksoi Topi.
Ai gjithashtu ka bërë apel që fëmijët të mos kujtohen vetëm në ditën e 1 Qershorit, por duhet të kujtohen çdo ditë të vitit.
“Besoj që ky është një apel që nuk ju drejtohet juve, të dashur fëmijë, por u drejtohet institucioneve, u drejtohet të rriturve që të mendojnë çdo ditë të vitit për ju, sepse ju do të jeni e ardhmja e këtij vendi” theksoi Topi.
Më pas Kreu i Shtetit shqiptar u shpërndau fëmijëve libra si dhurata simbolike me rastin e Festës së 1 Qershorit.
 

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›