1 Qershori, politika, një ditë me fëmijët
U kanë kushtuar fëmijëve disa orë nga dita e diel Presidenti i vendit, Bamir Topi; Kryeministri Sali Berisha dhe personalitete të tjera. Me rastin e 1 Qershorit, Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, është çelur një ekspozitë, "Arti, gjuha jonë e përbashkët". Pikturat mbanin firmën e fëmijëve me aftësi të kufizuara nga disa qytete. Kjo ekspozitë u çel në ambientet e Galerisë së Arteve, nën kujdesin e zonjës Liri Berisha, presidente e fondacionit të fëmijëve shqiptarë, "Domenico Scalione". Në këtë projekt të titulluar "Miqtë e artistëve të vegjël" u prezantuan me dhjetëra punime të shoqatave të ndryshme të fëmijëve të minibashkisë së kryeqytetit, të rrethit të Vlorës, Shkodrës dhe Tepelenës. Ata u përshëndetën në ditën e fëmijëve nga Kryeministri Sali Berisha. Ndërsa Presidenti i Republikës, Bamir Topi, së bashku me Zonjën e Parë, Teuta Topi, e dy vajzat Nada dhe Etida, priti në Pallatin e Brigadave një grup nxënësish të dalluar të disa prej shkollave fillore të kryeqytetit, të shoqëruar nga prindër dhe mësues të tyre. Në kujtim të Ditës së Fëmijëve dhe kremtimit të saj, Topi u dhuroi fëmijëve të pranishëm librin e tij më të dashur në fëmijëri, "Tregime të Moçme Shqiptare", të autorit Mitrush Kuteli, si dhe librin e autorit Antuan De Sent Ekzyperi, "Princi i vogël". Librat mbanin nënshkrimin e Presidentit të Republikës, si dhe urimet për Festën e 1 Qershorit dhe për suksese të mëtejshme në rrugën e dijes. Festa e 1 Qershorit është festuar edhe në sheshin "Skënderbej", nën kujdesin e Bashkisë së Tiranës. Lojëra, muzikë dhe akrobaci nga cirku i Tiranës kanë mbledhur fëmijët, ndërsa nënkryetari i bashkisë, Eduard Shalsi, deklaroi se përkujdesja ndaj fëmijëve shkon në të gjitha ditët e vitit. "Tirana e pastër, shkollat, kopshtet dhe parqet janë dëshmia më e pastër e vëmendjes sonë për fëmijët në 365 ditët e vitit", theksoi Shalsi. Një kënd i veçantë në kryeqytet u është kushtuar edhe fëmijëve romë. Forumi Rinor Eurosocialist Shqiptar ka ngritur kopshtin e hapur për t‘u dhënë mundësi loje dhe dëfrimi fëmijëve që nuk e kanë një mundësi të tillë për shkak të pamundësisë ekonomike dhe kushteve jo të favorshme sociale.