E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

1 miliardë euro për Shqipërinë nga Plani i Rritjes, Kos: Shpresoj që sot të ratifikojmë në PE dy marrëveshjet

TIRANË, 13 mars/ATSH/ Komisionerja për Zgjerimin në Bashkimin Evropian, Marta Kos u shpreh sot gjatë konferencës për shtyp me Kryeministrin Edi Rama, se ajo është e para zyrtare që vjen nga rajoni dhe që e di mirë se çdo të thotë të luftosh për të qenë një vend anëtar i Bashkimit Evropian. Sipas Kos, duhet shumë punë për t’u bërë pjesë e këtij klubi, por zyrtarja e BE-së shprehet se ky angazhim do të jetë një sukses i përbashkët i Shqipërisë dhe familjes evropiane.

“Edhe fakti që ju jeni të harmonizuar dhe në përputhje të plotë me politikën e jashtme dhe atë të sigurisë së BE është vërtet fantastike”, shtoi ajo.

“Por, unë shpresoj që ne sot do të kemi në Parlament ratifikimin e të dyja marrëveshjeve të cilat janë të domosdoshme në mënyrë që ne t’i japim Shqipërisë shifrën 1 miliard euro, një pjesë në hua dhe një pjesë tjetër me grante në mënyrë që të kryhen të gjitha reformat e nevojshme për Shqipërinë dhe për të bërë të mundur që ju të jeni gati për të qenë shtet anëtar. Ky është objekti kryesor i planit të rritjes që është pjesë e integrimit gradual ku ju po ecni vërtet shumë mirë”, u shpreh Kos.

“Ju keni thënë në të shkuarën që vendet kandidate përpara se të bëhen anëtare, të bëhen pjesë e BE-së me anën e rrjeteve të ndryshme, me SEPA-n, korridoret e gjelbra, po ashtu edhe me planin e rritjes dhe më ka lënë shumë mbresa reputacioni juaj për mikpritjen, për mirësinë dhe ma kishin thënë këtë gjë më parë, por unë e kam përjetuar tashmë. Nuk është puna si më keni pritur, por si keni pritur edhe Kolegjin e Evropës pikërisht këtu në Tiranë”, vijoi Kos.

“Pra, bëhet fjalë për bashkëpunimin rajonal, rinor, ju keni organizuar Samitin e Ballkanit në vitin 2022, Procesin e Berlinit samit që u organizua vjet, por edhe për Komitetin Politik Evropian që do të zhvillohet sivjet në maj, ju keni qenë shumë i suksesshëm dhe keni sjellë edhe organizatën  e futbollit për nën 21-vjeçarët dhe kjo do të ndodhë në vitin 2027. Është super fantastike kjo që po bëni ju, është madhore, por të gjithë e dimë që fokusi do të jetë te zbatimi i reformave”, tha Komisionerja për Zgjerimin në BE. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›