Apeli i GJKKO lë në fuqi masën “arrest me burg” për Veliajn

TIRANË, 13 mars /ATSH/ Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar la në fuqi masën “arrest me burg” për kryetarin e bashkisë së Tiranës Erion Veliaj.
Kryebashkiaku i Tiranës ankimoi masën e sigurisë duke kërkuar lehtësimin e saj me argumentin se nuk ka asnjë rrezik për prishje provash apo largim nga vendi.
Gjyqtari Engert Pëllumbi ndryshoi masën për biznesmenin Elman Abule, nga “arrest me burg” në “arrest shtëpie”, ndërsa la në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, “detyrim paraqitje” për biznesmenët Shkëlqim Fusha, Gentian Sula dhe Meriman Palushi.
Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë, brenda 45 (dyzet e pesë) ditëve nga e nesërmja e njoftimit të tij.
Kryebashkiaku Erion Veliaj ndodhet në paraburgim prej 10 shkurtit dhe dyshohet për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë) dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Avokati Haxhia: Asnjë provë e re, nuk plotësohen kushtet për “arrest me burg”
Avokati i Veliajt, Maks Haxhia në një prononcim për mediet jashtë ambienteve të SPAK deklaroi se në seancën gjyqësore nuk është paraqitur asnjë provë e re për kryebashkiakun e Tiranës.
Sipas avokatit, nuk plotësohen kushtet për masën e “arrest me burg”, ndërsa shtoi se Veliaj nuk paraqet rrezikshmëri.
“Zgjidhja e çështjeve me masë arresti për këdo, është një absurd që vetëm në Shqipëri ndodh, sidomos kur vepra s’paraqet shkallë rrezikshmërie apo personi. Nuk mund të aplikohet masa e arrestit për personin më të votuar në Shqipëri dhe t’i thotë që je person i rrezikshëm. Rrezikshmëria lidhet me agresivitetin dhe mundshmërinë për të kryer vepra penale. Presim të ndodhë çudia në Gjykatë të Lartë sepse nuk plotëson kriteret për t’u mbajtur në burg. Në seancë ka qenë i njëjti material që ka qenë në Gjykatën e Shkallës së Parë”, u shpreh Haxhia.