E Diel, 1 Nëntor 2026

1 qershori ne rrethe

02/06/2009  Certifikatë mirënjohje prefektes Zefi

Fëmijët jetim festojnë 1 Qershorin

KORÇE- Kanë festuar ditën e tyre ndërkombëtare mbi 40 fëmijë jetim të qarkut të Korçës, ndërkohë që nuk kanë harruar t’i japin certifikatën e mirënjohjes prefektes prof. dr. Elfrida Zefit. Ndërkaq Qendra për Zhvillimin e Shoqërisë Civile në bashkëpunim me Shoqatën e Fëmijëve Jetim, vlerësuan zonjën Zefi me Certifikatë e Mirënjohjes, për gjithçka kishte bërë dhe bën për fëmijët. Ashtu si në vitet e mëparshme edhe ditën e 1 Qershorit fëmijët jetim të Korçës u mblodhën në të njëjtin ambient (lokal) për të festuar ditën e festës së tyre. Mes një organizimi të përkryer ata mundën të kalojnë një ditë të këndshme dhe veç kësaj të gjenden mes dhuratash të pëlqyeshme. Për të gjitha këto, Qendra për Zhvillim e Shoqërisë Civile dhe Shoqata e Fëmijëve Jetim, përmes një certifikate falënderimi vlerësuan zonjën Zefi për gjithçka që kishte bërë për fëmijët jetim të këtij qarku. Në këtë festim, merrte pjesë edhe babai i Sidorela Amitit nga Ormani i Korçës, vajza e të cilit mundi të kthehet në jetë vetëm pas ndihmës që ofroi zonja Zefi, duke e çuar atë për operim në një nga spitalet më të mira të shtetit italian. Prefektja Zefi u shpreh: “Në këtë ditë të veçantë feste, nuk ka nënë, nuk ka njeri që ka një zemër, që në një ditë të tillë të kursejë urimet për sa më shumë lumturi dhe të bëjë gjithçka mundet për fëmijët”. V. Hasani

Festa e 1 Qershorit

Marrin dhurata 35 fëmijë

të shtruar në spital

BERAT- U është dashur ta kalojnë në spital festën e tyre të 1 Qershorit, por nuk u kanë munguar urimet e dhuratat. 35 fëmijë beratas pranë të cilëve janë gjendur në paraditen e djeshme disa subjekte dhe institucione shtetërore me dhuratat e tyre. Ndonëse nuk kanë mundur ta kalojnë në shtëpitë e tyre festën e fëmijëve, por dhe në dhomat e spitalit ku janë duke marrë ndihëm mjekësore në paraditen e djeshme dje kanë mundur të festojnë festën plot dhurata. Bashkia e Beratit, biblioteka e qytetit “Vexhi Buhajara” si dhe First Investments Bank, kanë bashkëpunuar sot (dje) në ditën ndërkombëtare kushtuar fëmijëve me qëllim e vetëm që dhe fëmijët e sëmurë që gjendeshin në spital në këtë ditë të mund të festonin festën e tyre. Ndryshe nga bashkëmoshatarët e tyre, të cilët i janë bashkuar një atmosfere festive dhe lojëra e spektakël në qendër të qytetit, 35 fëmijë të shtruar në repartin e pediatrisë kanë urime dhe dhurata nga kryetari i bashkisë Fadil Nasufi, punonjës të bibliotekës së qytetit dhe përfaqësues në First Investments Bank. Pushtetarë lokalë, drejtues të shoqatave jo fitimprurëse janë bashkuar me fëmijët e shtruar në spital, duke i uruar festën dhe larguar në këtë mënyrë për pak momente vëmendjen nga mjekimi. S. Gozhina

Festa gjen dhjetëra fëmijë lypës

Përurohet një kopsht i

rikonstruktuar nga turqit

BERAT- Nuk mund të kishte dhuratë më të bukur sesa një kopsht me ambiente komode e bashkëkohore për fëmijët e lagjes “Çlirimi” në qytetin e Beratit. Jo më kot është zgjedhur festa e fëmijëve që në këtë qytet të përurohej përfundimi i rikonstruksionit të kopshtit “Çlirim 2”. Me anë të një investimi nga qeveria turke nëpërmjet Agjencisë turke për Zhvillim. Por ndërsa dje shumë fëmijë i janë gëzuar festës dhe dhuratave dita ndërkombëtare i ka gjetur dhe dhjetëra e qindra fëmijë jetim dhe në kushte e jetesës të varfërisë ekstreme. Janë me qindra fëmijë jetim dhe të komunitetit romë, me prindër të vrarë në krye të detyrës të policëve, por dhe fëmijë të tjerë ku prindërit e tyre kanë humbur jetën në punë si dhe në aksidente të ndryshme rrugore etj. Por çka është më kryesorja, fëmijët jetim dhe të pa përkrahur janë fëmijët e mbetur jetim me babanë gjallë, por pa përkrahjen e tyre që vijën nga ndarja e çifteve. Divorcet e 18 muajve të fundit ka lënë jashtë kujdesit prindëror dhe edukues mbi 127 fëmijë të moshave të ndryshme nga 1 deri në 16 vjeç. Janë këtë fëmijë që vetë nënat i detyrojnë të sillen duke lypur rrugëve të qytetit të Beratit dhe të qyteteve të tjera të qarkut të Beratit. Madje shumica e këtyre fëmijëve vuajnë dhe jetojnë në varfërinë e tejskajshme ekstreme dhe çka është më kryesorja askush nuk interesohet për ta. S. Gozhina

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›