1 qershori në shtëpinë e fëmijës në Shkodër, asnjë nuk feston me prindërit

Flutura Zeneli, 14 vjeçe jeton prej 8 vitesh në shtëpinë e fëmijës në Shkodër. 8 vite më parë kur u bë pjesë e shtëpisë së madhe siç e quan ajo, ishte bashkë më vëllain dhe motrën. Sot i vëllai ka kaluar në një tjetër institucion përkujdesje.
Një ditë për Fluturën është thuajse e njëjtë me atë të fëmijëve të tjerë, duke ndjekur shkollën, kurset dhe pasditeve lojra me shoqet.
Flutura këtë 1 qershor sëbashku me fëmijët e tjerë mori pjesë në festën e organizuar përpara bashkisë së qytetit. Ajo pret dhurata nga ndonjë bamirës, ndërsa thotë se ka kërkuar një kostum sportiv duke qenë se është portjere.
Familja e viziton, ndonëse në këtë 1 qershor Flutura e as motra e saj nuk i patën afër. Dëshira e saj mbetet e njëjtë, që një ditë të bashkohen motrat, vëllai më prindërit e tyre, e këtë dëshirë uron edhe për fëmijët e tjerë në këtë 1 qershor.
Ndonëse ky institucion u angazhua që festat të mos mungojnë për të vegjlit, drejtorja Vinifreda Gazulli, nuk e fsheh trishtimin teksa thotë se asnjë nga prindërit nuk uroi apo dhuroi diçka për fëmijët e tyre që jetojnë në shtëpinë e fëmijës 6-16 vjeç në Shkodër.
Për këta fëmijë festat janë rutinë, ku kujdestarët dhe donatorët kujdesën për ta, duke u munduar që të mbushin ngrohtësinë e munguar të familjes.
/rtsh/