E Diel, 1 Nëntor 2026

1 shtatori do të nisë me zile apo me grevë

Kryesia e SBASHK-ut gjatë gjithë verës ka pranuar mjaft shkresa e thirrje telefonike nga terreni. Emërtim i përbashkët i tyre është se gjendja në arsimin parauniversitar është rënduar shumë dhe se  ka edhe  shqetësime e reagime të zëshme nëpër shkolla në kërkim që gjendja të ndryshojë për të mirë. Në këtë atmosferë, në fillim të kësaj jave, kaloi mbledhja e Kryesisë së SBASHK-ut. Në një atmosferë të qetë pune u shtruan në tavolinë të gjitha këto çështje. U analizuan edhe angazhimet e përfaqësuesve sindikalë dhe rrjedhat e takimeve me zyrtarët e lartë të MASHT-it dhe institucioneve të shtetit dhe u lavdëruan gjithë këto përpjekje për të gjetur zgjidhje përmes takimesh e bisedash të sinqerta. Në të gjitha diskutimet e anëtarëve të  Kryesisë së SBASHK-ut vërehej shqetësimi i arsyeshëm për gjendjen aktuale në arsimin fillor e të mesëm dhe dëshira që zgjidhja të gjendet në këto pak ditë të mbetura e të mos ketë nevojë  që Këshilli i Përgjithshëm të debatojë e të  vendosë për hapa e reagime sindikale, duke mos përjashtuar grevën e përgjithshme në të dyja nivelet e arsimit të Kosovës.
Bazuar në bisedat që dëgjohen mes mësimdhënësish nëpër shkolla fillore e të mesme të Kosovës, nëse nuk gjendet gjatë këtyre pak ditëve  një zgjidhje dhe nuk shkohet në lëvizje pozitive, 1 shtatori nuk do të fillojë me zërin e ziles e nxënësit e rikthyer në bankat e tyre, po do të nisë me grevë të përgjithshme në gjithë shkollat fillore e të mesme të Kosovës. Në shkresat dhe bisedat telefonike nga përgjegjësit sindikalë dhe sindikalistët e shumtë nëpër komunat e Kosovës janë cekur shumë e shumë arsye që kanë krijuar këtë gjendje të pakënaqësisë dhe gjithë këto shqetësime e atmosferë për të shkuar në hapa  e reagime sindikale. Përmendet aty se në sektorët e tjerë kishte mjaft lëvizje pozitive dhe mësimdhënësit u janë gëzuar këtyre, por këtë gëzim  e zbeh fakti se tani e dy vite  në arsimin paraunivesitar nuk ka as edhe një lëvizje pozitive rreth pagave përveç premtimeve publike të krerëve të institucioneve të shtetit se arsimi është në krye të prioriteteve të Qeverisë. Në ankesat gojore e me shkrim drejtuar kreut të SBASHK-ut përmenden si fakte edhe inflacioni i lartë, gjegjësisht ngritja e vazhdueshme e çmimeve elementarë të jetës, duke filluar nga mielli e buka. Këto kanë bërë që mundësia blerëse e mësimdhënësit të zbehet shumë bazuar në faktin se pagat nuk kanë lëvizur fare tani e dy vite. Nëse mungon një  përgjigje e shpejtë  dhe pozitive e MASHT-it dhe Qeverisë në takim me përgjegjës të SBASHK-ut, atëherë e hëna e 23 gushtit mund të sjellë diskutime të zjarrta në Këshillin e Përgjithshëm të sindikalistëve të arsimit dhe aty edhe mund të  shpallet vendimi për grevë të përgjithshme. Kjo do të ngjajë, jo pse kështu do Kryesia apo Këshilli i Përgjithshëm i SBASHK-ut, por pse kështu kërkojnë mësimdhënësit e Kosovës. Ata janë në pritje dhe urojnë që situata të tejkalohet me marrëveshje të arsyeshme mes institucioneve të Kosovës dhe sindikalistëve. Mësimdhënësit e Kosovës i kanë provuar grevat dhe veprimet e tjera sindikale dhe asnjë prej tyre nuk i do ato. Ata janë të prirë për marrëveshje të kuptueshme dhe për lëvizje pozitive në zgjedhjen e problemeve. Ata nuk duhet mbështetur për muri.

(Autori është kryetar i Kuvendit të  Sindikatave të Arsimit Fillor të Kosovës në kuadër të SBASHK-ut)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›