E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtetndërtimi në Kosovë

Prishtinë/Kosovë, 21 gusht – Muzika amerikane dëgjohej nga kafenetë e Kosovës. Kosovarët nuk ndiheshin në siklet rreth faktit se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë do ta jepte mendimin në lidhje me ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë nga Kosova. Ndonëse Kosova e kishte shpallur pavarësinë më 17 shkurt të vitit 2008, njohjet nga shtetet stagnuan kur Asambleja e Përgjithshme e OKB-së ia referoi ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, më vonë gjatë atij viti. Pa marrë parasysh verdiktin e GJND-së, shqiptarët e Kosovës besonin se pavarësia nga Serbia është e pakthyeshme. Ata kurrë nuk do të pajtoheshin me kthimin nën kontrollin serb. Ata, po ashtu, besonin se SHBA-ja kurrë nuk do ta lejonte një gjë të tillë.
Ekziston një lidhje e pastër dashurie midis SHBA-së dhe Kosovës. Presidentët Bill Clinton dhe George W. Bush gëzojnë një respekt të madh: Clinton për udhëheqjen e aksionit ushtarak të NATO-s, që e çliroi Kosovën nga pushtimi serb, dhe Bushi për koordinimin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Shumë shtete kanë qenë në pritje të mendimit të GJND-së, para se të vendosnin nëse duhej apo jo të lidhnin marrëdhënie diplomatike me Kosovën. Para opinionit të GJND-së, 69 shtete, përfshirë SHBA-në, dhe 22 nga 27 shtetet anëtare të Bashkimit Evropiane e kishin njohur Kosovën si shtet të pavarur e sovran.
Gjatë vizitës sime të kohëmëparshme në Kosovë, jo zyrtarisht mora mendimet e elitës politike të Kosovës dhe të shoqërisë civile në prag të mendimit të GJND-së. Të gjithë prisnin që GJND-ja t’u jepte fitoren të dyja palëve. Pas njëzet muajsh shqiptarët e Kosovës ishin bërë nonshallantë rreth tërë procesit. Nuk pritej ndonjë zhvillim dramatik.
Mirëpo, GJND-ja në të vërtetë e mbështeti fuqishëm qëndrimin e Kosovës, duke konkluduar se shpallja e pavarësisë nga Serbia më 2008 nuk e shkelte Ligjin ndërkombëtar. Shqiptarët e Kosovës kremtuan. Opinioni ishte një mundësi për të shtuar numrin e njohjeve.
Derisa e mirëpresin Mendimin e GJND-së, shqiptarët e Kosovës janë të përqendruar në kushtet ekonomike në Kosovë. Shumë nga njerëzit, me të cilët kam biseduar, kanë theksuar se legjitimiteti i Kosovës nuk është vetëm çështje strikte ligjore. Ata mezi prisnin që ta linin prapa tërë procesin e lidhur me GJND-në, në mënyrë që liderët politikë të Kosovës të përqendroheshin në shtetndërtim dhe në një qasje më proaktive për luftimin e korrupsionit dhe kriminalitetit, që kanë pasur një efekt korroziv në zhvillimin demokratik dhe ekonomik të Kosovës. Ata besojnë se transparenca dhe llogaridhënia kanë rëndësi të madhe për realizimin e aspiratave shtetërore të Kosovës.
Kosova përballet me shumicën e problemeve, të cilat i kanë pasur edhe shtetet e tjera postkomuniste dhe shtetet që kanë dalë nga konflikti, përfshirë qeverisjen joefektive, gjyqësorin e dobët dhe korrupsionin e përhapur. Problemet janë përkeqësuar me krizën ekonomike globale, e cila ka ndikuar tek investimet direkte të jashtme dhe remitencat. Produkti i brendshëm bruto është duke rënë; rritja ekonomike ka rënë në 4,4 për qind më 2009, nga 5,8 për qind gjatë vitit të mëparshëm. GDP-ja varet në masë të madhe nga shpenzimet publike, të cilat shënuan rritje 39 për qind nga viti 2008 deri më 2009 dhe përfaqësonin rreth 14 për qind të GDP-së më 2009. Po atë vit financimet e donatorëve arrinin në 7,5 për qind të GDP-së. Kosova importonte pothuajse të gjitha mallrat për konsum dhe materialet për rindërtim pas luftës së vitit 1999. Më shumë se dhjetë vjet më vonë, problemet në balancën tregtare vazhdojnë të jenë të pranishme. Deficiti ishte 37 për qind të GDP-së më 2009 dhe eksportet përfaqësonin vetëm 10,3 për qind të importeve dhe vetëm 6 për qind të GDP-së më 2009. Gjatë vitit të kaluar ka pasur një rënie të vazhdueshme të remitencave, kredive private dhe investimeve direkte të jashtme, të cilat kanë zbritur nga 350 milionë euro më 2008 në 250 milionë euro më 2009.
Borxhi i jashtëm është duke u rritur. Kostoja minimale e sektorit të energjetikës është 3 për qind e GDP-së në bazë vjetore. Qeveria e Kosovës është duke e financuar ndërtimin e autostradës që e lidh këtë vend me Shqipërinë, dhe borxhi mund të rritet si rezultat i kostove të larta. Paqartësitë e tjera kanë të bëjnë me shkallën, kohëzgjatjen dhe nivelin e mbështetjes donatore me koncesion. Pjesa kosovare e borxhit jugosllav është një barrë shtesë. Papunësia është e lartë. Më shumë se 40 për qind e kosovarëve janë të papunë. Niveli i papunësisë për personat e moshës 15 deri në 25 vjet është 70,5 për qind. Prej këtyre, 96,3 për qind kurrë nuk kanë pasur ndonjë vend pune. Rreth 30.000 persona hyjnë në tregun e punës çdo vit dhe nuk kanë mundësi për ndonjë punësim. Më 2009 Kosova kishte nivel të varfërisë që shkonte në 45 për qind, me 15 për qind që jetonin në varfëri ekstreme. Kosova është shteti më i varfër në Evropë, me të ardhura mesatare vjetore për kokë banori prej vetëm 2.500 dollarësh.
Të bësh biznes është vështirë. Kosova është ranguar e 113-ta nga Banka Botërore për “bërjen e biznesit” më 2009. Disa aspekte janë posaçërisht problematike. Kosova ishte ranguar e 164-ta për “nisjen e biznesit” e 176-ta për “trajtimin e lejeve të ndërtimit”, e 172-ta për “mbrojtjen e investitorëve” dhe e 157-ta për “zbatimin e kontratave”. Procedurat e regjistrimit të biznesit dhe të licencimit, posaçërisht në nivel komunash, janë burokratike, të politizuara dhe të korruptuara. Sipas “Transparency International”, midis 13 deri në 22 për qind e të anketuarve kanë thënë se e kanë korruptuar ndonjë zyrtar publik në vitin 2009. Gjithsej 38 për qind besojnë se gjyqësori i Kosovës është institucioni më i korruptuar. Besnikët e Qeverisë janë caktuar në poste prokurorësh dhe gjyqtarësh, duke iu dhënë përgjegjësia për luftimin e korrupsionit. Grupet mbikëqyrëse raportojnë se një klikë tejet e ngushtë e miqve dhe e familjarëve të Qeverisë kontrollojnë kontratat e prokurimit dhe i fitojnë ato. Krahas korrupsionit është edhe mosgatishmëria e Qeverisë për të vepruar kundër zyrtarëve të lartë që shkelin ligjet, përfshirë ministrat e kabinetit, zëvendësministrat dhe zyrtarët e partive politike.
Krahas këtyre problemeve serioze është edhe veprimtaria e Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK). Si agjenci e nëntokës për inteligjencë e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), anëtares kryesore të qeverisë kosovare të koalicionit, SHIK-u siguron shuma të mëdha nga ryshfeti, zhvatja dhe reketimi. SHIK-u ka një marrëdhënie simbiotike me zyrtarët e lartë qeveritarë, të cilët po ashtu përfitojnë nga aktivitetet e SHIK-ut. Të ardhurat e SHIK-ut do të arrijnë 500 milionë euro më 2010, ka thënë Florin Krasniqi, shqiptaro-amerikan dhe njeri i besueshëm nga brenda, që ka pasur lidhje me Ushtrinë çlirimtare të Kosovës (UçK).
Modeli i biznesit është i thjeshtë: ata që bashkëpunojnë shpërblehen; kritikët merren në shënjestër. Për shembull, gazetarët që raportojnë për korrupsionin përndiqen dhe kërcënohen. Qeveria e Kosovës i bën presion Radiotelevizionit të Kosovës (RTK). Zyrtarët shfrytëzojnë mjetet ekonomike që reklamuesve t’u mbushin mendjen të mos bëjnë biznes me mediat e pavarura, si “Koha Ditore” dhe “Zëri”. Stafi i një prej programeve më kritike televizive, “Jeta në Kosovë”, u kërcënua me vdekje pas transmetimit të një raporti kritik ndaj një prefekti të PDK-së. Një përfaqësues me ndikim i OJQ-ve, i cili Qeverisë iu referua si “ndërmarrje e përbashkët kriminale”, u etiketua “antishtetërore” nga zëdhënësi i Qeverisë, derisa kritikët akuzohen se janë “spiunë serbë”.
Edhe mua “Infopress” më ka akuzuar se jam agjent serb - gazetë kjo që financohet nga SHIK-u dhe botuesi i së cilës është deputet i PDK-së. Duke reaguar kundër raportit tim hulumtues, kryetari i Parlamentit, anëtar me ndikim në PDK, bëri deklarata publike, duke insistuar se SHIK-u ishte shpartalluar formalisht rreth dy vjet më parë. Megjithatë, ekzistenca e tij është një sekret i njohur publik. Ndonëse besnik i PDK-së, SHIK-u nuk i jep llogari askujt.
Mirëpo, për shkak të natyrës si organizatë klandestine, nuk ka dokumente rreth aktiviteteve të SHIK-ut. Ky artikull bazohet në intervistat me personat që nuk kanë dashur të identifikoheshin. Burimet janë të besueshme. Krahas z. Krasniqi, tre ish-kryeministra insistojnë se pjesëtarët e SHIK-ut janë duke i vazhduar aktivitetet e tyre, duke ndikuar në jetën publike dhe private në Kosovë.
Prej nga erdhi SHIK-u? SHIK-u është pjesë e nëntokës së errët të agjencive politike të inteligjencës, të cilat për një kohë të gjatë kanë dominuar në sigurinë e brendshme të Kosovës. Ai u themelua nga shqiptarët e Kosovës nga lugina e Drenicës në të nëntëdhjetat, për të ndihmuar në aktivitetet e UçK-së. SHIK-u fillimisht financohej prej fondeve të mbetura nga lufta e vitit 1999, posaçërisht fondi “Vendlindja Thërret”, që financoi luftën guerilje të UçK-së për pavarësi. Ndonëse SHIK-u nuk pati ndonjë rëndësi gjatë luftës, ai u pasurua nga konfiskimi i mallrave dhe i produkteve industriale, të cilat i lanë serbët, të cilët u tërhoqën me nguti. SHIK-u, po ashtu, zuri banesat e serbëve dhe kërkonte para që t’ua lironte ato blerësve të rinj.
Prej UçK-së dolën disa parti politike pas luftës. Hashim Thaçi, kryeministri aktual, e formoi PDK-në. Si rrjedhojë, besnikëria e SHIK-ut ndaj UçK-së u bart tek PDK-ja. Veprimtaria fillestare e SHIK-ut kishte të bënte me mbrojtjen e zyrtarëve partiakë, si dhe mbledhjen e informatave e përndjekjen e kundërshtarëve politikë.
SHIK-u nuk ishte i vetëm; edhe partitë e tjera politike të Kosovës kishin themeluar shërbime të inteligjencës gjatë luftës. Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e formoi krahun e vet të inteligjencës “Sigurimi i Atdheut”. Ai pati një personel prej 300-vetash në periudhën e kulminacionit, që financohej pjesërisht nga donacionet e shqiptarëve të Kosovës që jetonin jashtë. Ai, po ashtu, merrte një përqindje të ryshfetit që i paguhej LDK-së nga biznesmenët lokalë, të cilët konkurronin për tenderë të rindërtimit dhe punëve të tjera. Ndonëse secila parti kishte rrjetin e vet të nëntokës, SHIK-u u bë më i madhi dhe më profesionali, duke i inkorporuar në fund agjencitë më të vogla të inteligjencës të partive të tjera.
Kush e udhëheq SHIK-un? Kadri Veseli ka qenë kreu i pakontestuar i SHIK-ut që nga themelimi i tij e deri më sot. Ndonëse SHIK-u punëson më shumë se 100 persona, qindra të tjerë paguhen në bazë të performancës dhe për informatat që japin. Personeli i tij përbëhet kryesisht prej luftëtarëve të UçK-së, të cilët punonin në të nëntëdhjetat për Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe  të Lirive të Njeriut, një OJQ e përqendruar në mbledhjen e dëshmive për shkeljen e të drejtave të njeriut nga forcat serbe të sigurisë. Shqiptarët e Kosovës që punonin për UDB-në, agjencinë serbe të inteligjencës, po ashtu mundeshin t’i bashkoheshin SHIK-ut. Struktura piramidale e SHIK-ut i mundëson secilit person që të përfitojë nga aktivitetet e të tjerëve.
Ndonëse Veseli nuk ka pasur kurrë ndonjë post zyrtar në Qeveri, ai ka lidhje të ngushta me kryeministrin Thaçi. Veseli dhe ndihmësit e tij kryesorë – Azem Syla, Fatmir Xhelili dhe Latif Gashi – kanë grumbulluar pasuri të mëdha për vete. Fondet e SHIK-ut po ashtu janë përdorur për të financuar aktivitetet e PDK-së dhe degët mediale të PDK-së, si “Infopressi”. Për t’u siguruar që miqtë e tij të caktohen në pozitat vendimmarrëse, SHIK-u ndikon fuqimisht tek vendimet për punësim për poste të larta në Qeveri.
Si fiton para SHIK-u? SHIK-u mbikëqyr më shumë se gjysmën e tenderëve shtetërorë dhe kontratave të prokurimit, duke marrë një pjesë të shumës kur jepen kontratat. Kjo praktikë është e përhapur, mirëpo jo edhe depërtuese. Ministri i Transportit, Fatmir Limaj, që ndodhet nën hetime për korrupsion, ka pasur përplasje me SHIK-un, pasi që i kishte bërë ballë depërtimit të SHIK-ut në tenderët e Ministrit të Transportit.
SHIK-u merr donacione nga biznesmenët e Kosovës, të cilët si shkëmbim marrin mbrojtjen e tij, si dhe lehtësime për sigurimin e kontratave. Deri në 60 për qind e bizneseve të Kosovës i kanë paguar ryshfet SHIK-ut gjatë dhjetëvjetëshit të kaluar. SHIK-u merr para edhe nga ndërmarrjet e mëdha shoqërore, si Aeroporti i Kosovës, Posta dhe Telekomunikacioni i Kosovës, Korporata Energjetike e Kosovës dhe nga pompat e benzinës.
SHIK-u ka lidhje të ngushta me Doganat e Kosovës, të cilat ndihmojnë në importimin e mallrave pa paguar taksa. SHIK-u punon me një numër të madh të bandave kriminale, të cilave u ndihmon për biznese, posaçërisht për trafikimin e duhanit, drogës dhe njerëzve përmes pikëkalimeve kufitare. SHIK-u pastron fondet e veta të paligjshme përmes bizneseve të ligjshme si “Kosova Petrol”. Makinat e bixhozit, që janë të përhapura në Kosovë, kontrollohen nga SHIK-u.
A ka SHIK-u një rrjet rajonal? Po, SHIK-u ka lidhje operative me klanet mafioze në shtetet fqinje (Maqedoni, Serbi, Shqipëri, Greqi dhe Mal të Zi). SHIK-u kontrollon dy pikëkalimet kryesore në veri të Kosovës, pranë kufirit me Serbinë. Të paktën 10 kamionë me cigare dhe benzinë kalojnë nëpër kufirin Kosovë-Maqedoni për çdo ditë. SHIK-u dhe partnerët e tij grekë, po ashtu, janë tejet të përfshirë në trafikimin fitimprurës të produkteve të mishit.
A ka SHIK-u agjendë politike? SHIK-u raportohet se bashkëpunon me Tribunalin Ndërkombëtar Penal për Jugosllavinë (ICTY). Ai i ka siguruar dëshmitarë Prokurorisë së Tribunalit, duke marrë në cak kundërshtarët politikë të PDK-së.
Cilat janë marrëdhëniet e SHIK-ut me Qeverinë amerikane? SHIK-u është i njohur mirë për SHBA-në. SHIK-u i pati identifikuar caqet për sulmet ajrore të NATO-s më 1999. Pas luftës SHIK-u vazhdoi të luante një rol të dobishëm, duke parandaluar ekstremistët salafistë që të depërtonin në Kosovë përmes themelimit të organizatave humanitare e të shërbimeve. SHIK-u përbëhet nga katër drejtori dhe njëra prej tyre punon me agjencitë perëndimore të inteligjencës në fushën e kundërterrorizmit. SHIK-u, po ashtu, ka marrëdhënie pune me inteligjencën serbe dhe me bandat kriminale, për mbajtjen e qetësisë në Mitrovicë, një qytet i ndarë përgjatë lumit Ibër, që është vatër problematike për vazhdimin e armiqësive midis serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës.
A ekziston ende SHIK-u? Veseli pati lëshuar një komunikatë, duke bërë të ditur se SHIK-u po ndalte aktivitetet më 14 qershor të vitit 2008. Paralajmërimi i Veselit nxiti një debat rreth modaliteteve të integrimit të SHIK-ut dhe organizatave të tjera të inteligjencës në një strukturë formale të sigurisë, të destinuar për t’u shërbyer njerëzve e jo partive politike. Agjencia Kosovare e Inteligjencës u themelua më 2009. Disa prej anëtarëve të SHIK-ut u caktuan në pozita udhëheqëse në AKI. Të tjerët e kanë penguar punën e AKI-së, për t’u siguruar që ajo nuk do t’i bëjë konkurrencë dhe nuk do të ndërhyjë në aktivitetet e SHIK-ut. Një gjë është e sigurt: SHIK-u nuk mund të transformohet në një agjenci të udhëhequr profesionalisht dhe llogaridhënëse, pa i përjashtuar elementët kriminalë të saj.
SHIK-u mund të mos ekzistojë më si organ. Megjithatë, anëtarët e SHIK-ut i kanë përhapur rrjetet e tyre brenda Qeverisë, posaçërisht në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe në ministritë e tjera me funksionin e prokurimit. Rrjeti i SHIK-ut po ashtu është përhapur në Forcën e Sigurisë së Kosovës (KSF) dhe në Policinë e Kosovës. Ai ka ndikim të konsiderueshëm edhe mbi anëtarët e gjyqësorit.
është me rëndësi të merren parasysh qëndrimet e anëtarëve të SHIK-ut që hedhin poshtë kritikat. Ata insistojnë se akuzat për kriminalitet janë të padrejta. Ata veten e shohin si patriotë që luftuan dhe sakrifikuan për ta çliruar Kosovën nga sundimi represiv serb. Si të tillë, ata mendojnë se kanë të drejtë në beneficionet që i nxjerrin prej SHIK-ut.
Një raport i sinqertë rreth aktiviteteve të SHIK-ut dhe lidhjeve të tij me Qeverinë nuk duhet që të lërë anash të arriturat e Kosovës. Thaçi gëzon merita për daljen paqësore të Kosovës si shteti më i ri i botës dhe për ruajtjen e stabilitetit. Kushtetuta e Kosovës përfshin të ashtuquajturat parime të Ahtisaarit për të drejtat e minoriteteve, autonominë kulturore dhe decentralizimin e serbëve të Kosovës. Kosova ka zgjeruar infrastrukturën dhe e ka nisur një program ambicioz të privatizimit.
Kosova u bë anëtare e Bankës Botërore dhe e Fondit Monetar Ndërkombëtar gjatë vitit të kaluar. Anëtarësimi në këto institucione financiare ndërkombëtare është një hap i rëndësishëm në përpjekjet e Kosovës për marrjen e ndihmave të jashtme dhe sigurimin e njohjeve të reja nga bota. Më 2008, 1,2 miliardë dollarë u zotuan gjatë një konference donatorësh. Mbështetja nga bashkësia ndërkombëtare është duke vazhduar. Më 21 korrik të vitit 2010, FMN-ja miratoi një hua prej 140 milionë dollarësh. Rreth dyfishi i kësaj shume u premtua nga Banka Botërore dhe  Komisioni Evropian.
SHBA-ja ka qenë e paluhatshme në përkrahjen e saj për Kosovën. Thaçi u mirëprit ngrohtësisht nga nënkryetari Joe Biden në Shtëpinë e Bardhë gjatë korrikut. Ai premtoi “zero tolerancë për korrupsionin”. Megjithatë, Qeveria e Kosovës duhet të gjykohet në bazë të asaj që bën, e jo asaj që thotë.
Përgjegjësinë për luftimin e korrupsionit e ka Qeveria, e cila mund ta dëshmojë seriozitetin e saj duke i shkarkuar apo arrestuar ministrat e korruptuar. Familjarët e zyrtarëve qeveritarë nuk duhet të jenë përjashtim. Liderët politikë të Kosovës duhet ta fuqizojnë Agjencinë Kundër Korrupsionit dhe ta zbatojnë Planin Strategjik e Nacional. Parlamenti i Kosovës duhet të merret me zbrazësitë legjislative për luftimin e krimit të organizuar, duke harmonizuar në të njëjtën kohë ligjet me standardet e BE-së.
Qëllimi i përgjithshëm duhet të jetë ulja e ndikimit të Qeverisë dhe fuqizimi i iniciativës private. Duhet ndërmarrë hapa për përmirësimin e ambientit biznesor. Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme janë motori i rritjes ekonomike. Mirëqenia është mënyra më e mirë për ta luftuar korrupsionin. Për këtë arsye, pikat për regjistrimin e biznesit, përfshirë mundësinë e regjistrimit përmes internetit, do ta lehtësonin procesin për të bërë biznes, do të depolitizonin procesin e regjistrimit dhe do të ndihmonin në luftimin e korrupsionit. Në nivelin komunal janë të nevojshme masat për procedura të standardizuara të regjistrimit, rregulla uniforme për lejet e ndërtimit, si dhe zbatim efektiv të kontratave.
Mediat e pavarura të Kosovës duhet të përkrahen – e jo të shtypen. Anëtarët e Kongresit Amerikan duhet të shprehin shqetësim për kërcënimin e gazetarëve. Gazetarët kryesorë të Kosovës që hetojnë korrupsionin duhet të mbështeten, duke marrë Shpërblimin Ndërkombëtar për Liri të Shtypit nga Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve. Një program i veçantë i granteve për grupet civile antikorrupsion po ashtu duhet të niset.
AKI-ja duhet të japë llogari para Parlamentit, kryeministrit apo presidentit. Mbikëqyrja ndërkombëtare është e nevojshme për t’u siguruar se AKI-ja nuk përfundon si mjet i partive politike. Natyrisht se Thaçi i ka të gjitha kompetencat. Megjithatë, bashkësia ndërkombëtare mund të bëjë më shumë për t’i ndihmuar Qeverisë që ta luftojë korrupsionin dhe kriminalitetin.
Misioni evropian për sundimin e ligjit (EULEX) ishte krijuar me kompetenca ekzekutive për të hetuar, ndjekur penalisht dhe gjykuar kategori specifike të krimeve, përfshirë korrupsionin. Megjithatë, ky mision pati një fillim të ngadalshëm dhe deri më tani nuk i ka realizuar pritjet. Ai është duke pësuar nga mungesa e konsensusit në Bruksel. Ndonëse EULEX-i ka 2.500 punonjës, prej të cilëve 1.600 janë staf ndërkombëtar, postet e larta janë të zbrazëta.
Roy Reeve, zv.drejtor i misionit të EULEX-it, më dërgoi një letër më 28 qershor, duke theksuar se “hetimet kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar marrin kohë, dhe kohët e fundit kemi treguar se misioni ka filluar të shënojë rezultate pozitive pas vetëm 18 muajsh qëkur ka nisur operacionet. Prokurorët e EULEX-it në nivelin e gjykatave të qarkut janë të përfshirë në 55 raste të lidhura me korrupsion, derisa Qeveria, me mbështetjen e EULEX-it, kohë më parë e ka themeluar Grupin Punues Kundër Korrupsionit”.
është e vërtetë se EULEX-i tani ka marrë qasje më këmbëngulëse. Më 14 korrik, një panel i përzier i gjyqtarëve dënoi një gjykatës të Gjyqit të Qarkut të Prishtinës për marrjen e mitos. Më 15 korrik, EULEX-i dhe Grupi Punues Kundër Korrupsionit ndërmorën bastisje në tetë vende. Më 23 korrik, Grupi Punues Kundër Korrupsionit e arrestoi guvernatorin e Bankës Qendrore. Hetuesit e EULEX-it po ashtu kontrolluan shtëpinë dhe zyrën e ministrit të Transportit të Kosovës, si dhe lokacionet e zyrtarit kryesor ekzekutiv të PTK-së. (Këta hapa e kanë pasuar thirrjen e këtij autori për shkarkimin e kreut të EULEX-it).
Mirëpo, ka ende hapësirë që EULEX-i ta përmirësojë punën e vet. Sa i përket llogaridhënies, Komiteti Politik dhe i Sigurisë i Këshillit të BE-së duhet ta rishqyrtojë performancën e EULEX-it. Po qe se Këshilli i BE-së konstaton se EULEX-i nuk i ka përmbushur objektivat e veta, atëherë ky mision duhet të shpërbëhet. Qeveria e Kosovës ka nevojë për ndihmën e EULEX-it dhe  të diplomatëve të tjerë, që duhet të dënojnë praktikat e korruptuara më zëshëm dhe të japin emrat e shkelësve më të mëdhenj.
Mendimi i GJND-së nxit njohje më të madhe globale për Kosovën. Ashtu si edhe më parë, SHBA-ja është vënë e para, duke i nxitur shtetet që të vënë marrëdhënie diplomatike me të. Megjithatë, mundësia e njohjeve do të rritej po t’i përmirësonte Kosova qeverisjen dhe strukturat shtetërore.
Qeveria e Kosovës dhe ajo e SHBA-së kanë një marrëdhënie të posaçme. Partneriteti i tyre duhet të fuqizohet, e jo të dobësohet, përmes një dialogu më të sinqertë dhe më të hapur. Për më tepër, demokracia e Kosovës do të fuqizohej, po qe se shqiptarët e Kosovës e shohin SHBA-në si një mike të sigurt që ia thotë si të mirat, ashtu edhe të këqijat. Administrata Obama beson se respekti,qasja dhe kërkesa janë elementet kryesore të sundimit të ligjit. Ajo duhet ta bëjë të qartë se askush nuk ndodhet mbi ligjin, madje as SHIK-u.

(Autori është drejtor i Programit për Paqevënie dhe të Drejta në Institutin e Universitetit të Columbias për Studime mbi të Drejtat e Njeriut. Ky artikull është shkruar për “World Policy Journal”. “Koha Ditore” e boton artikullin me lejen e autorit)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›