1 vit pas privatizimit, OSSH asnjë investim në sistemin e shpërndarjes
Mungesa e investimeve në rrjetin e shpërndarjes së energjisë, situata e vështirë financiare, humbjet në rrjet dhe tarifimi i tyre në adresë të konsumatorëve janë problemet që shoqërojnë Sistemin e Shpërndarjes së Energjisë. Kompania OSSH nuk ka kryer
asnjë investim në rrjetin e amortizuar të shpërndarjes që pas privatizimit të saj. Strategjia e kompanisë çeke për të mbledhur një herë paratë nga konsumatorët dhe më pas për të investuar në rrjet transferohet në probleme për konsumatorët shqiptarë. Edhe pajisja e konsumatorëve me matës nuk mund të konsiderohet investim nga kompania, pasi aparatet janë blerë nga konsumatorët, të cilët faturoheshin me shuma marramendëse afrofe. Problemet e kompanisë çeke CEZ janë evidentuar edhe nga Banka Botërore, e cila vetëm pak ditë më parë ka vënë theksin në mungesën e investimeve në sistemin e shpërndarjes.
Sistemi i Shpërndarjes
Kompania çeke që ka privatizuar Sistemin e Shpërndarjes së Energjisë nuk ka kryer asnjë investim në sistemin e shpërndarjes së energjisë që pas privatizimit të këtij sistemi. Edhe pse OSSH ka rritur çmimin e energjisë me 13 për qind për konsumatorët familjarë dhe rreth 20 për qind për bizneset, ajo nuk kryen as detyrimet minimale ndaj klientëve të saj. Në rast të mos pagimit të energjisë së prapambetur brenda 72 orëve, teknikët e OSSH të presin lidhje. Por në shumicën e rasteve kjo kompani nuk ju dërgon abonentëve faturat në shtëpi. Faturistët lëshojnë faturat në fund të shkallës apo në mes të lagjes dhe nuk mbajnë asnjë përgjegjësi për rastet kur konsumatorët nuk mund të gjejnë faturën. Madje arkëtarët e OSSH nuk pranojnë të kryejnë pagesat pa faturën e energjisë dhe as nuk konfirmojnë shumën e shpenzuar në dokumentacionin përkatës. Qytetarët janë të detyruar të shkojnë pranë zyrave të shpërndarjes për të rimarrë faturën dhe më pas për tu drejtuar pranë arkës për të shlyer detyrimin. Operatori i Shpërndarjes nuk merr parasysh pjesën e vonesës që i duhet qytetarëve për të gjetur faturën e energjisë dhe nis aplikimin e kamatëvonesës menjëherë pas skadimit të afatit.
Faturat
Shqiptarët paguajnë faturën më të shtrenjtë për energji elektrike krahasuar me gjithë vendet me ekonomi të ngjashme. Kështu, fatura e energjisë në vendin tonë është 64 për qind më e shtrenjtë se në Maqedoni. Çmimi mestar i energjisë elektrike në Maqedoni është 6.7 lekë për kilovat orë. Në Shqipëri një kilovat orë energji elektrike kushton 13 lekë. Çmimi i energjisë elektrike që paguhet nga familjet shqiptare është jo vetëm më i larti në të gjithë rajonin, por edhe shpenzimet për energjinë në Shqipëri zënë peshën me të madhe në krahasim me të ardhurat mujore. Nga 1 janari çmimi i energjisë elektrike është rritur me 13 për qind. Enti Rregullator, vendosi rritjen e çmimit të energjisë për të tre operatorët në treg, prodhimin, transmetimin dhe shpërndarjen. Enti vendosi që çmimi me të cilin KESH tregton energjinë e prodhuar, të rritet nga 1.61 lekë për kilovat në 2.03 lekë për kilovat. Rritja është me 0.42 lekë, ose 25.5 për qind. Enti vendosi që edhe OST, për transmetimin e energjisë elektrike të përfitojë nga 0.5 lekë për kilovat, 0.6 lekë për kilovat. Pra 0.1 lek për kilovat, ose 20 për qind. Ndërkohë që tarifa mesatare e energjisë që tregtohet nga OSSH, është rritur nga 8.45 në 9,53 lekë/kilovat. Rritja është 1.08 lekë për kilovat ose 13 për qind.
BB: OSSH, asnjë investim në rrjet
Në sektorin e shpërndarjes së energjisë nuk janë bërë investime dhe një nga problemet kryesore të këtij sektori është situata e vështirë financiare. Ky është përfundimi i ekspertes së Bankës Botërore, e cila është shprehur se reformat nuk bëhen më një të rënë të lapsit. Përfaqësuesja e bankës Botërore Camille Nuamah është shprehur se shumë reforma që Shqipëria ka ndërmarrë në sektorin e energjisë tani janë drejtuar drejt zhvillimit të tregut rajonal të energjisë elektrike, i cili sigurisht nevojitet edhe për futjen e vendit në BE. Ajo theksoi se ju po prodhoni energji, por ju nuk keni mjetet e financimit për sektorin e energjisë apo për zgjerimin e rrjetit. Sipas Nuamah duhen shumë investime për të përmirësuar cilësinë e shpërndarjes. Ne kemi një projekt në sigurinë e digave në kaskadën e Drinit, si dhe projekte në nënstacionet e transmetimit dhe kjo do të vazhdojë më tej, pasi kompania private të përmbushë detyrimet e saj për vazhdimin e investimeve në sektor. Pra, ne do të vazhdojmë të jemi të përfshirë në sektorin e energjisë për një kohë të gjatë, theksoi përfaqësuesja e BB. Banka Botërore ka qenë donatori kryesor në sektorin e energjisë për një kohë shumë të gjatë. Ne kemi qenë krenarë që jemi shoqëruar me një grup të madh të donatorëve për të drejtuar diskutimet me qeverinë për ristrukturimin e sektorit.
Ornela Manjani