Studentët, sfidë Dashit, 100 mijë lekë citostatikë dhuratë për Onko-hematologjinë
Ndërkohë që në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza gjendja e ilaçeve është problemi i cili kohët e fundit ka shkaktuar jo pak polemika, nga Ministria e Shëndetësisë ende nuk është marrë asnjë masë për furnizimin sa më shpejt të pavijoneve me ilaçe.
Për këtë problem duket se kanë qene ditën e djeshme vulnerabël rreth 20 studentë të fakulteteve të ndryshme të cilët nga të ardhurat e tyre personale u kanë dhuruar fëmijëve në pavijonin e onko-hematologjisë, medikamente dhe dhurata në vlerën e 100 mijë lekëve. Pra atë që deri më tani e ka neglizhuar vetë institucioni përgjegjës i cili duhet të pajisë me çdo medikament të gjitha pavijonet, e kanë përmbushur studentët të cilët kanë blerë 100 mijë lekë citostatikë për pacientët e vegjël të shërbimit të Onko-Hematologjisë. Kanë qenë mbi 20 studentë të cilët me të ardhurat e tyre kanë bërë të mundur blerjen e medikamenteve të kimioterapisë për këta fëmijë. Ka qenë një fond prej 100 mijë lekësh të cilat janë siguruar nga studentët e Shoqatës Ardhmëria. Në këtë shoqatë nuk janë vetëm studentë të fakultetit të Mjekësisë por edhe të fakulteteve të tjera si Ekonomik, Filologjik, Inxhineria etj. Gjatë pjesëmarrjes së tyre ditën e djeshme në pavijonin e Onko-Hematologjisë studentë kanë qëndruar për disa minuta me të vegjlit duke i dorëzuar atyre dhuratat Duke qenë se në studentët e mjekësisë ishim në vitin e fundit ku përfshihet edhe lënda e pediatrisë kemi vendosur tu vijmë në ndihmë këtyre fëmijëve të vegjël kanë pohuar studentët e fakultetit të Mjekësisë ditën e djeshme. Ndërkohë stafi mjekësor i këtij pavijoni ka bërë apel për dhurim vullnetar të gjakut për të ndihmuar këtë kategori të pacientëve, po ashtu edhe apel bizneseve për të qenë më afër këtyre pacientëve, për tu organizuar festa dhe aktivitete të tilla duke krijuar atmosfera të këndshme në mënyrë që ata të harrojnë sadopak dhimbjen e për më tepër mungesat e theksuara të ilaçeve.
Mungesat
Jo më shumë se një muaj më parë Drejtori i QSUT-së ka deklaruar se duhen vetëm disa ditë që spitali e të gjitha pavijonet do të furnizohen me medikamente pasi tenderimet kanë përfunduar tashmë e ilaçet kanë drejt blerjes, por edhe pse kanë kaluar më shumë se tre javë, sërish mungesa e ilaçeve në pavijonet e spitalit më të madh në vend, duket se është shqetësimi parësor për të gjithë pacientët e familjarët e tyre. Sërish ditën e djeshme është përsëritur i njëjti refren nga Drejtoria e Qendrës Spitalore Universitare Nënë Tereza e cila në njoftimin për shtyp thekson se, kanë përfunduar tenderimet për barnat e këtij viti dhe këto ditë jemi në fazën e lidhjes së kontratave me firmat farmaceutike, qe do të thotë furnizim i menjëhershëm me ilaçe, sipas listës së planifikuar të spitalit. Lista e medikamenteve spitalore këtë vit është më e gjerë si gamë, me sasi me të mëdha në krahasim me vitet e tjera dhe në përmbajtje të listës ka ilaçe terciare në përshtatje me natyrën e shërbimit tonë spitalor. Citostatikët janë 60 % më shumë, po kështu edhe paketa bazë e barnave është 40 % në rritje. 60 % e buxhetit total të QSUT këtë vit do të përdoret për barna, shifër kjo më e larta ndër spitalet.
Barnat
Lista e barnave është tenderuar e para si proçedurë, në bazë të kërkesave të shërbimeve, ashtu siç e parashikon ligji. Në njoftimin për shtyp nga QSUT, thuhet se, si rezultat i sa mësipërm këtë vit do të kemi furnizim më të mirë me ilaçe në krahasim me vitet e tjera. (Mungesat në barna) Mungesat e hasura deri më tani në spital, kanë të bëjnë me disa barna specifike për pacientë apo grupe pacientësh të veçantë. Rreth një muaj më parë Ilir Dashi, në një konferencë për shtyp ka deklaruar që, pavarësisht se mund të jenë të paplanifikuara disa barna, ne do ti sigurojmë me çdo kusht ato, duke përdorur të ardhurat dytësore e disa rezerva të tjera që do të krijohen gjatë tenderimeve. Për materialet e mjekimit kemi marrë masa të shpejta për plotësimin e nevojave më emergjente brenda qershorit, muaj në të cilin përfundojnë procedurat elektronike për të gjithë sasinë vjetore. Ka theksuar me tej Dashi. Sipas tij mirëmbajtja e aparaturave ka përfunduar 100 % procesi i tenderimit dhe lidhjes së kontratave. Është bërë kujdes dhe janë gjetur rrugët e zgjidhjes për të kontraktuar mirëmbajtjen edhe për ato aparatura që kanë qenë të palidhura vitin e kaluar.
Shqipëria në listën e zezë, dyfishohet numri i pacientëve me kancer
Shqipëria renditet në listën e vendeve që kanë shifra të larta të pacientëve, që vuajnë nga tumoret. 20 vitet e fundit është shtuar ndjeshëm numri i pacientëve që vuajnë nga lloje të ndryshme të tumoreve, duke e dyfishuar atë, krahasuar me vitet para '90. Shefi i shërbimit të Onkologjikut në QSUT, thotë se diagnostikimi i hershëm i pacientëve, është një nga prioritetet e strukturave të shëndetësisë. "Nga viti '90 deri në vitin 2010 ne kemi dyfishim të rasteve me kancer në Shqipëri. Si në mbarë botën dhe në vendin tonë, nuk bëjnë përjashtim te meshkujt kanceri që prek më tepër është kanceri i mushkërive dhe te femrat kanceri i gjirit", tha Agim Sallaku, shef i shërbimit të onkologjisë. Problematike, mbetet dhe vdekshmëria pasi mungon sensibilizimi i qytetarëve, shprehet shefi i onkologjikut. "Vdekshmëria vazhdon të mbetet e lartë sepse fatkeqësisht ende popullsia shqiptare nuk është ndërgjegjësuar siç duhet që kanceri nuk është me një fatalitet por një sëmundje që mund të shërohet, dhe mund tu them që sot në botë, rreth 50 për qind e rasteve me kancer mund të shërohen ose të kenë mbijetesa jashtë mase të gjata", vijoi ai. Këto deklarata u bënë gjatë një konference në praninë e kryetarit të komisionit të shëndetësisë Tritan Shehu, i cili u shpreh se vitin e ardhshëm në Shqipëri, do të mbahet konferenca më e rëndësishme, e kontrollit të kancerit e cila organizohet nga taskforcë e Mesdheut, për kontrollin e tumoreve. Sëmundja e kancerit të qafës së mitrës është një nga komplikacionet më shqetësuese dhe të rrezikshme për gratë në Shqipëri. Numri i grave me kancer në qafën e mitrës po rritet me ritme të shpejta në vendin tonë, duke shkaktuar një numër të lartë vdekjesh. Duke iu referuar shifrave të dhëna nga strukturat shëndetësore, Shqipëria radhitet si vendi me vdekshmërinë më të lartë nga kjo sëmundje, pasi nga ky kancer vdesin çdo vit 140 gra. Për këtë arsye, mjekët u bëjnë apel grave të paraqiten rregullisht te gjinekologu, për të bërë të mundur parandalimin dhe avancimin e mëtejshëm të kësaj sëmundjeje vdekjeprurëse. Për sa u përket moshave më të prekura nga sëmundja e kancerit të qafës së mitrës, ky komplikacion prek më së shumti femrat e moshës 20 deri 25 vjeçe. Numri më i lartë i grave të prekura nga ky komplikacion shënohet në qytetet e Tropojës, Lezhës dhe Shkodrës, si dhe në fshatrat ku ka mungesë të theksuar informacioni mbi këtë sëmundje.
Arta AGOLLI
Last Updated on E Premte, 04 Qershor 2010 20:38