E Shtunë, 31 Tetor 2026

Braçe: Nano krijoi hapësira në PS për FRESSH

Java që sapo nisëm është cilësuar nga Partia Socialiste si ‘Java e të rinjve socialistë’. Kjo pikërisht se përkon me 20-vjetorin e themelimit të forumit rinor eurosocialist, FRESSH. Për këtë qëllim, selia rozë ka programuar një sërë aktivitetesh, të cilat do të kulmojnë me një takim të madh në Pallatin e Kongreseve më 15 janar, ku ashtu siç është bërë traditë tashmë do të jenë të pranishëm edhe themelues, si dhe figura të tjera socialiste të cilët kanë dalë nga radhët e tij. Njëri prej tyre është edhe deputeti Erion Braçe, i cili teksa anonçon ‘Javën e të rinjve socialistë’, nuk ngurron të shprehë mirënjohje për drejtues të Partisë Socialiste, midis të cilëve edhe për Fatos Nanon e Servet Pëllumbin, të cilët sipas tij u krijuan mundësinë të rinjve që të organizohen në këtë Forum. Duke komentuar në faqen e tij në Facebook, Braçe nuk harron të përmendë dhe drejtuesit e parë të këtij Forumi, midis të cilëve edhe kreun aktual të LSI-së, Ilir Meta. “Të dielën është data 15 Janar, dita kur të rinj socialistë nga e gjithë Shqipëria, por mes tyre edhe kosovarë, themeluan Forumin Rinor Eurosocialist Shqiptar. Ishte koha kur Partia e Punës po shuhej, Partia Socialiste kishte nevojë jetike për njerëz të rinj, Fatos Nano, Servet Pëllumbi, Spiro Dede, Namik Dokle, Musa Ulqini etj., po krijonin gjithë hapësirën e domosdoshme për Ilir Zelën, Ilir Metën, Pandeli Majkon, Ndre Legisin, Haki Morinën etj, etj., djem e vajza të rinj në PS. Unë jam i lumtur që e nisa prej aty dhe drejtova për herë të parë në atë organizatë”, - shprehet Braçe në Facebook. Më tej, ai duke u nisur nga slogani “Re:Fressh”, me të cilin të rinjtë socialistë do e festojnë këtë përvjetor, e mbështet idenë e një rifreskimi të këtij Forumi, por kërkon nga drejtuesit e tij që të bëjnë kujdes të mos humbasin vlerat që ky Forum nga mbartur në vite, siç është edhe aksioni. “E pashë banerin e 20-vjetorit. Pa diskutim ka nevojë për një ‘Re:Fressh’! Por një gjë dua të them, ai forum u themelua, u ndërtua, u rrit në aksion, në veprim, akumuloi gjithë energjinë e një brezi të tërë në aksione të vërteta të një opozite që po transformonte të majtën në Shqipëri. Re:FRESSH, por pa humbur aksionin. Modeli është madje shumë më i rigjeneruar tek Vetëvendosja në Kosovë!”, - shprehet Braçe. Ndërkohë që në lidhje me aktivitetet që do të organizojë PS dhe FRESSH në kuadër të këtij 20-vjetori, sekretari i PS-së për rininë dhe emigracionin ka shpjeguar dje nëpërmjet një interviste dhe axhendën konkrete, e cila do të nisë paraditen e 15 janarit me konventën në Pallatin e Kongreseve dhe do të mbyllet me një takim për programin e PS-së për sa i përket të rinjve. “Paradite do kemi një konventë të madhe në Pallatin e Kongreseve, ku do të marrin pjesë themelues si Pandeli Majko, Ilir Zela etj., dhe mijëra të rinj nga e gjithë Shqipëria. Ne drekë kemi ekspozitën “Protestuesi Shqiptar” përgjatë Bulevardit, frymëzuar nga ideja e TIME-s që ia dedikoi ndryshimet në botë protestave, e jo qeverive. Pasdite kemi një forum tek black-box tek Akademia e Arteve për programin, u kemi kërkuar të rinjve të sjellin ide që mund t’i fusim në program, buxheti i arsimit, reforma në universitet, heqja e stazhit të papaguar, heqja e pagesës për TOEFL-in, arsimi profesional dhe strategjitë e punësimit të të rinjve”, - tha Veliaj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›