E Shtunë, 31 Tetor 2026

10 korrik 2008 - Kuvendi mblidhet në seancë plenare


Kuvendi u mblodh në seancë plenare ditën e enjte, më 10 korrik 2008, ora 10:00, nën drejtimin e Zëvendëskryetarit Fatos Beja.   Gjatë diskutimeve për çështje jashtë rendit të ditës, deputetët folën për nënshkrimin e protokollit për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, për çështje të kulturës dhe futjen e qytetit të Beratit në listën e trashëgimive kulturore botërore të UNESCO-s, për probleme të sistemit shëndetësor, etj.   Më pas, Kryeministri Sali Berisha, në fjalën e tij para deputetëve përshëndeti ngjarjen, që ai e cilësoi historike, të nënshkrimit të Protokollit për Anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.   Nga dje e përgjithmonë, Shqipëria është një vend tjetër në sytë, mendjet dhe zemrat e botës së lirë. Dua të theksoj se dje 26 vendet anëtare të aleancës më të madhe të lirisë, firmosën anëtarësimin e Shqipërisë, firmosën realizimin e një projekti ëndërr për kombin shqiptar. U shpreh mirënjohje të thellë të gjitha vendeve anëtare, veçanërisht SHBA, Presidentit George Bush që erdhi me mesazhin Shqipëria në NATO, Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer dhe paraardhësve të tij që shprehën ndjenjat më miqësore ndaj Shqipërisë.
Falënderoj qytetarët shqiptarë, të cilët shprehën mbështetje për reformat, duke e kthyer Shqipërinë nga vendi i totalitarizmit më të thellë në një vend me demokraci funksionale dhe ekonomi tregu. Falënderoj ata që mbështetën reformave e këtyre tre viteve të fundit dhe planin për anëtarësim.
Meritë ka Parlamenti, i cili votoi me frymë konsensuale reforma të mëdha, që bindën vendet anëtare për seriozitetin e këtij institucioni për arritjen e standardeve. Meritë kanë ata që e shndërruan Shqipërinë në një vend të sigurtë duke luftuar krimin e organizuar dhe duke dënuar bandat kriminale. Meritë kanë ata që zhvilluan një luftë të suksesshme ndaj korrupsionit dhe konflitit të interesave, si dhe një luftë efiçente ndaj kontrabandës. Ata faktuan se ky vend është serioz në reformat që ndërmerr dhe i konsideron jetike për qytetarët e saj. Kjo Qeveri është në një valë me vullnetin e hekurt të qytetarëve shqiptarë për të qenë pjesë e aleancës së lirisë.
Sot Shqipëria është një vend tjetër. Natyrisht, ajo ka probleme dhe halle, si dhe çështje të rëndësishme për të zgjidhur.
Ky stacion, ky zhvillim e bën Shqipërinë më të besueshme, më të pranueshme dhe më të mirëpritur se çka qenë më parë.
Ky stacion, bën të mundur zgjidhjen më të shpejtë dhe me më efiçencë të halleve të shqiptarëve. E bën këtë vend të vogël më të sigurt për investime.
Firma e djeshme është firmë sigurie për shqiptarët, është votëbesimi i reformave që një Qeveri ka ndërmarrë ndonjëherë, tha Kryeministri Berisha.   Nga ana e saj, Kryetarja e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Valentina Leskaj, u shpreh se opozita me kontributin e saj ka treguar se është pro NATO-s. Jemi krenarë për nënshkrimin e Protokollit të Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Falënderojmë qytetarët shqiptarë, ushtarakët dhe të gjithë ata që kanë mbështetur reformat.   Në vijim, Kuvendi mori në shqyrtim dhe miratoi projektligjin Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në ndryshimin e marrëveshjes së TRIPSIT Aspekte të Tregtisë që lidhen me pronësinë intelektuale dhe projektligjin Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9270, datë 29.7.2004, Për sistemin e adresave.   Kuvendi vendosi të shtyjë raportimin e Prokurorit të Përgjithshëm Mbi gjendjen e kriminalitetit në Shqipëri për vitin 2007.   Seanca plenare i mbylli punimet rreth orës 12:50.   Sektori i Marrëdhënieve me Mediat i Kuvendit Tel/Fax: +355 4 23 74 18/ Tel: +355 4 26 48 95; e-mail: zyraeshtypit@parlament.al ;
pressoffice@parlament.al ; info@parlament.al .

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›