E Shtunë, 31 Tetor 2026

9 qershor 2008

Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin shqyrton projektligjin për gazin natyror   Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, në mbledhjen e datës 9 qershor 2008, filloi shqyrtimin  e projektligjit Për sektorin e gazit natyror.
Ishin  të pranishëm në mbledhje  përfaqësuesit e Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës: Stavri Dhima, Zamir Stefani, Bujar Leka, Ilia Gjermani dhe Zija Kamberi.
Ata shpjeguan se përgatitja e këtij projektligji përbën edhe një detyrim, në kuadër të programit të MSA-së për përafrimin me Direktivat e BE-së, por është edhe një angazhim i vendit tonë, në kuadër të Traktatit të Krijimit të Komunitetit të Energjisë, i cili është ratifikuar nga Kuvendi.   Qëllimi dhe objekti i hartimit të këtij projektligji, përcaktohen në Nenin 1 të tij dhe kanë të bëjnë, jo vetëm me krijimin e kuadrit ligjor për zhvillimin dhe rregullimin e sektorit te gazit natyror në Shqipëri, por njëkohësisht edhe me mundësitë për të krijuar një treg të gazit natyror konkurrues dhe të integruar me tregjet rajonale dhe Evropiane, që siguron një shërbim me cilësi të lartë dhe me kosto te arsyeshme për qytetarët. Në po këtë nen, përcaktohen gjithashtu politikat, rregullat dhe procedurat për organizimin dhe funksionimin e tregut të gazit natyror dhe veprimtaritë e gazit natyror, përfshirë të drejtat dhe detyrimet e personave fizikë dhe juridikë,  lidhur me këto veprimtari.   Pas dëgjimit të  shpjegimeve të  përfaqësuesve të Ministrisë, Komisioni vendosi ta vazhdojë shqyrtimin e projektligjit në mbledhjen e ditës së mërkurë ku do të ftojë Ministrin e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli dhe Kryetarin e ERE-s, Bujar Nepravishta,  për të dëgjuar edhe shpjegimet  e tyre për projektligjin.
Sektori i Marrëdhënieve me Mediat i Kuvendit
Tel/Fax: +355 4 23 74 18/ Tel: +355 4 26 48 95; e-mail: zyraeshtypit@parlament.al ;
pressoffice@parlament.al ; info@parlament.al .

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›